Alarmi: Mbetjet po na helmojnë, prodhimet nuk ka kush i mbledh

382
Sigal

Fermerët e Korçës në gjendje të vështirë, të gjithë kanë ikur, s’kemi punëtorë për mbledhjen e qershive. Ministria e Bujqësisë këshillon mbjelljen e qershive, por nuk siguron tregun.

Banorët e Fierit: Po na shkurtohet jeta, fusha e mbetjeve urbane është kthyer në burim kanceroz

 

 

Nga Vepror Hasani

Në qarkun e Korçës  mbledhja e qershive, prej disa vitesh, është bërë mjaft e vështirë sepse është e vështirë gjetja e punëtorëve për mbledhjen e tyre. Të gjithë kanë ikur në Greqi, Maqedoni dhe vende të tjera. Ata që kanë mbetur, nuk kanë përvojë në mbledhjen e këtij fruti, por duke parë që përveç tyre, nuk ka të tjerë, kërkojnë pagesë të lartë ditore. Të gjendur në mungesën totale të fuqisë punëtore, fermerët  e pemtoreve të qershive, marrin në provë herëpasherë punëtorë të tillë, por shumë shpejt kuptojnë se, ata nuk janë të aftë për këtë punë, pasi në momentin e këputjes së frutit njëkohësisht shtypin edhe kokrrat e qershisë duke i nxjerrë jashtë standardit. Për të gjitha arsyet e mësipërme, fermerët e pemtoreve të qershive detyrohen t’i mbledhin vetë, por përgjithësisht familjet janë të vogla, me fëmijë të vegjël, gjë që e bën të pamundur mbledhjen dhe shitjen e prodhimit në kohë, kur dihet që  fillimisht, (për pak kohë), qershia shitet me 120 lekë duke zbritur në 100, 70, 60 lekë e së fundi në 50 lekë; pra çdo vonesë për prodhuesin e qershive, shoqërohet me humbje të të ardhurave, por rrugë tjetër nuk ka, sepse me ardhjen e pranverës, të gjithë ikin nga Shqipëria, pasi në këtë vend nuk sigurojnë dot të ardhura për përballimin e vitit që kanë përpara.

Mungesa e fuqisë punëtore

Mirëpo mungesa e fuqisë punëtore nuk shoqërohet vetëm me problematikën e përmendur më sipër, pasi çdo vonesë në mbledhjen e prodhimit, qershitë mbeten të rrezikuara nga reshjet, të cilat në qarkun e Korçës gjatë kësaj stine janë të shpeshta. Rreshjet e shiut dhe ulja e temperaturave, (pavarësisht nga shërbimet që u janë bërë pemtoreve të qershive deri në këtë kohë), shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike për të gjithë kultivuesit e pemtoreve, pasi në këtë periudhë shfaqet plasja, (e kokrrave të qershisë), ulet përqindja e sheqerit, nis kalbëzimi i frutit etj, gjë që kërkon shpenzime shtesë për luftimin e kalbëzimit dhe të mizës së qershisë, të cilat shkaktohen nga kushtet e motit për shkak të rreshjeve. Në raste të tilla, dëmet janë të mëdha, pasi qarku i Korçës ka 500 ha me qershi, me një prodhim të përgjithshëm prej 8,000 tonë. Zonat me sipërfaqe më të mëdha pemtoresh me qershi janë: Pocesta, Kloca, njësia administrative e Pirgut dhe ajo e Mollajt. Vetëm Pocesta ka 120 ha tokë me qershi. Ndërkohë, vit pas viti, sipërfaqet e pemtoreve me qershi rriten me disa përqind, në një kohë kur fuqia punëtore mungon.

Mungon tregu i shitjes

Çdo mëngjes, na thonë fermerët e qarkut Korçë, presim ardhjen e makinave të tregtarëve që marrin prodhimet tona, gjithçka ngjason me një panair të çuditshëm. Gjithkush përpiqet të shesë një arkë më shumë, sepse çdo ditë që kalon është humbje për ne. Shpenzojmë shumë, shpjegojnë fermerët, për punimin e tokës, kryerjen e shërbimeve, blerjen e pesticideve, mbledhjen e prodhimit etj. Ndërkohë kemi edhe humbje për shkak të motit. Ajo çfarë na mbetet nga gjithë puna e një viti, nuk është dhe aq e kënaqshme, por me çfarë mund të merremi tjetër?  Madje kur vijnë makinat, pa shitur arkat me qershi, nuk kemi arka të tjera për mbledhjen e qershive. Tregtarët e marrin qershinë tonë mjaft lirë, ndërsa e tregtojnë me një çmim shumë më të lartë, dhe kjo nuk është e ndershme.

Problemi është i hershëm

“Problemi i tregut është i hershëm, sepse edhe pas kaq vitesh, nuk kemi patur organizimin e duhur përsa i përket krijimit të grupeve të përbashkëta për shitjen e mallit dhe përpilimit të kontratave me kompanitë e ndryshme. Gjithsesi, kemi ndërmarrë disa nisma, kemi kërkuar edhe ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë për mbështetje me kapacite teknike, si: pajisje për kalibrimin e qershisë dhe marketimin ose etiketat e produktit. Gjithashtu, aktiviteti ynë  me tregun e jashtëm nuk ka qenë në nivelet e duhura  sepse ne jemi të sigurtë që kultivimi i këtij produkrti sjell të ardhura, por në mungesë të tregut të shitjes, ne nuk arrijmë të mbulojnë as kostot e prodhimit të tij, pasi deri më tani, kemi funksionuar vetëm me tregtarë të vegjël, kur sipërfaqet me qershi në qarkun e Korçës janë të mëdha dhe duhej të kishin tërhequr tregtarë të mëdhenj. Vetëm njësia administrative Mollaj, prodhon 500 tonë qershi në vit. Gjithsesi na mbetet të organizohemi, theksojnë fermerët e Dvoranit, dhe këtë do ta bëjmë.”

Fusha e mbetjeve urbane ‘kanceri’ i Fierit, banorët: Po na shkurtohet jeta

Fusha e mbetjeve urbane në Fier, është kthyer në shqetësim për të gjithë qytetin, pasi era e pakëndshme ndjehet kudo. Ambientalisti Besmir Agalliu, ngre alarmin pasi sipas tij, edhe pse bashkia është në dijeni se po shkaktohet një masakër mjedisore, deri më tani, nuk ka marrë asnjë masë. Fusha e mbetjeve urbane në Fier, është kthyer në një kancer jo, vetëm për familjet e bizneset aty pranë, por për të gjithë qytetin e Fierit, pasi era e rëndë mbizotëron në çdo shtëpi fierake. Banorët theksojnë faktin se, në verë, tymi kur i vënë zjarrin dhe aroma që lëshojnë plehrat bëhen të padurueshme. Nga ana tjetër, ambjentalisti dhe inxhinieri i mjedisit, Besmir Agalliu ka pohuar faktin se, kjo metodë funksionimi që po bën bashkia Fier, në lidhje me mbetjet urbane, duhet paditur në prokurori për masakër njerëzore.

Dhe derisa të përfundojë ky projekt i nisur nga bashkia e Fierit, situata do të vazhdojë e tillë ku, banorët pranë kësaj fushe po largohen, bizneset po falimentojnë, qytetarët fierakë po sëmuren dita -ditës.