Mendësia koncesionare e qeverisë së Rilindjes, përballë garës së investimeve teknologjike rajonale

644
Sigal

I gjithë rajoni, prej vitesh, është zhytur në një garë të ethshme për të tërhequr sa më shumë investime me vlerë të shtuar në teknologjinë e informacionit e industrinë prodhuese, kryesisht atë automotive, të cilat rrisin produktivitetin e ekonomisë, duke e bërë atë më konkurruese.

Në afat të gjatë, kjo sjell paga më të larta për punonjësit, më shumë të ardhura në buxhet dhe, ky i fundit, ka më shumë hapësira të kanalizojë fondet që mbledh në investime për rrugë, spitale, shkolla, paga, pensione, duke rritur mirëqenien e qytetarëve të vet.

Bullgaria, me teknologjinë e informacionit, synon të bëhet India e Europës. Maqedonia po ecën mirë në tërheqjen e industrisë automotive. Tre kompani “Johnson Matthey”, “Kromberg & Schubert”, “Van Hool” janë në renditjen e 11 më të mëdhave sipas qarkullimit vjetor në vendin fqinjë, duke hapur së bashku më shumë se 8 mijë vende pune, të nxitura nga lehtësitë e shumta fiskale që ofron shteti maqedonas. Më e madhja, “Johnson Matthey”, realizon shitje jashtë, që janë të barabarta në vlerë me 70% të totalit të eksporteve shqiptare. Kompanitë serbe po prodhojnë softuerë për industri të ndryshme, duke filluar nga bujqësia e deri në mjekësi, si dhe makinat me vetëdrejtim, aplikacione të reja lojërash online, etj. Si pjesë e strategjisë, Serbia po tërheq investitorët e huaj me statusin e pagës së ulët, si dhe me subvencione deri në 10,000 euro për çdo punonjës.

Pronësia e huaj, futja e teknologjive inovative, njohuritë, po rezultojnë faktorë kryesorë për suksesin e kompanive vendase, duke i ndihmuar të shmangin shumë nga kurthet e mjedisit lokal, duke u dhënë atyre akses në tregjet e mëdha. Kapaciteti për inovacion gjithashtu është shfaqur si vendimtar për suksesin e një kompanie dhe është një fushë në të cilën vendet e EJL-së kanë shumë punë për të bërë.

Në këtë garë të fortë, shtetet e rajonit kanë nga pas qeveritë e tyre. P.sh., Bullgaria e Serbia janë sot në “luftë” për të tërhequr Volkswagen, i cili kërkon të ndërtojë një fabrikë të re në rajon. Serbia është gati të bëjë gjithçka, edhe të ofrojë dyfish më shumë subvencione dhe lehtësi, sipas deklarimeve zyrtare nga presidenti i vendit.

Në linjë komplet të kundërt mendësie, përqasje dhe këndvështrimi për të ardhmen, është qeveria shqiptare. Për disa vite iu gëzua investimeve të mëdha në fushën e gazit dhe energjisë, që sollën gati 2 miliardë euro. Por, këto projekte, ashtu siç i frynë shifrat e investimeve, me mbarimin e tyre pritet që t’i shfryjnë shumë shpejt. Tashmë fillon testi i vërtetë për ekonominë reale. Investimet e vërteta, si ato që po vrapojnë të tërheqin fqinjët, nuk janë në radarin tonë.

Shqipëria vijon të ketë si avantazh konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe pak po bëhet për të ndryshuar këtë. Edhe në renditjen e më të mëdhenjve, sipas qarkullimit vjetor të 2018-s, mbizotërojnë kompanitë tregtuese, që financojnë eksportet, kanë pak të punësuar, nuk kanë vlerë të shtuar (teksa normat e tyre të fitimit janë minimale). Sipërmarrjet e fokusuara në industrinë përpunuese janë ato të konsoliduara prej vitesh dhe mungojnë hyrjet e reja. Renditja e “Monitor 200” është një pasqyrë e asaj se si kompanitë e lidhura direkt me aktivitetin e TAP dhe situata e favorshme me reshje fryn rritjen ekonomike në 4% në 2018-n, që tashmë në fakt është përgjysmuar tashmë. Edhe efekti i TAP po ndihet me rënien me 30% të të ardhurave nga TVSH e brendshme në korrik e gusht të këtij viti, si rrjedhojë e përfundimit të punës së nënkontraktorëve. Edhe ndërtimi që u fry në vitin 2017 nga injektimi në ekonomi i parave me origjinë të dyshimtë, u shfry shumë shpejt.

Risia më e madhe e vitit 2018 është fuqizimi i kompanive koncesionare dhe hyrja në listën e më të mëdhenjve të tre prej projekteve të reja me Partneritet Publik-Privat. Kjo duket se është filozofia e të paktën 20 viteve të ardhshme, teksa qeveria ka marrë angazhimin për projekte me vlerë 2 miliardë euro, pjesa më e madhe e të cilave po rezultojnë me kosto tepër të fryra dhe jo eficiente, ku humbjet duket se janë shumë më të larta sesa përfitimet (rasti i koncesioneve në shëndetësi, ku në vitin 2018 u paguan 18 milionë euro për shërbimin e sterilizimit, që shteti mund ta kryente vetë, kur me këto para mund të ribëhej një spital modern nga e para). Një filozofi kjo krejt e kundërt nga modeli zhvillimor që po ndjekin vendet fqinjë me ne.

Në linjë me konceptet e zhvillimit të qëndrueshëm (shfrytëzimi i burimeve pa i dëmtuar ato për të ardhmen), rajoni po tenton t’u lërë brezave të ardhshëm një ekonomi konkurruese, me vende pune me paga të larta në sektorë premtues dhe shtim të njohurive (know how), duke krijuar stimuj që të rinjtë të qëndrojnë në vend. Në linjë me një model tërësisht të paqëndrueshëm, me një mendësi koncesionare, të shpikur alla shqiptarçe, ajo që po u lë Shqipëria brezave të ardhshëm është vetëm një barrë borxhesh, që vetëm do t’u shtojë të rinjve dëshirën për të ikur!  / EDITORIAL – MONITOR /