Europa pëlqen Jonida Maliqin, e dyta në sondazhin për fitoren e Eurovision-it

440
Sigal

Dy ditë më parë Jonida Maliqi dhuroi një performancë emocionuese për publikun europian në koncertin “Eurovision in Concert”, mbajtur në Amsterdam. Këngëtarja rrëmbeu duartrokitje të shumta. Ky event është shumë i rëndësishëm duke qenë se aty prezantohen të gjitha këngët pjesëmarrëse live dhe publiku fillon të krijojë të preferuarit e tij.

Siç duket Jonida dhe zëri i saj është pëlqyer shumë pasi së fundmi në faqen dedikuar Eurovizionit ”WiwiBlogs”, Jonida po bën namin. Në sondazhet e hapura nga faqja e njohur, Shqipëria ka fituar zemrat e publikut dhe është renditur e dyta si pretendente për fituese pas Duncan Laurence, përfaqësuesi i Holandës.

Në një intervistë për një prej kanaleve të Eurovision Song Contest në YouTube, nga Amsterdami, Jonida Maliqi ka folur për këngën me të cilën do të garojë në Festivalin Europian në Tel Aviv këtë vit. Duke shpjeguar mesazhin e këngës, fituesja e Festivalit të RTSH për vitin 2018 thotë: “Flet për emigracionin, një çështje globale dhe personale. Mos harroni të ktheheni në tokën tuaj, tek rrënjët tuaja. Mos harroni origjinën, gjakun, familjen. Keni një identitet, mos e harroni. Sa herë që e këndoj këtë këngë kam emocione”.

“Kur e ndjen vërtet një këngë, punon me energji pozitive me të. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë jam rritur në skenë, kam nisur të këndoj që kur isha 9-vjeç. Tani jam më e pjekur, por kjo është një këngë shumë personale për mua”. Festivali Europian i këtij viti, edicioni i 64-t, do të zhvillohet në Izrael. Nata e parë do të jetë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe më 18 maj 2019.