Dr. Argita Zalli: Tashmë edhe pijet dietike mund të shkaktojnë diabetin e sheqerit

607
Sigal

Të gjithë ne kemi qenë konsumues të pijeve
freskuese të paktën një herë në jetë. Madje shumë prej nesh kanë zgjedhur përdorimin
e pijeve dietike për arsyen e thjeshtë, se nuk përmbajnë as kalori dhe as sheqer
– ky i fundit akuzohet sot për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve
kardiovaskulare, obezitetit, kancerit apo mbijetesës së qelizave kanceroze etj.
Por, kërkimet shkencore më të fundit pohojnë që edhe pijet dietike me ëmbëltues
artificialë mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të diabetit të sheqerit tip 2,
po njësoj si pijet që përmbajnë sheqer.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje
kronike, e cila karakterizohet nga një rritje përtej normës e glukozës në gjak.
Njihen disa lloje të diabetit, ndër të cilat mund të përmendim diabetin tip 1
apo insulinë vartës, tip 2 (jo insulinëvartës) dhe diabetin gjatë shtatzënisë.
Në fakt, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë diabeti i sheqerit i tipit
2 është më i shpeshti ndër këto, duke numëruar rreth 90% të rasteve me diabet në
të gjithë botën. Ajo që e bën të rëndë këtë sëmundje për të gjithë personat që
preken prej saj, janë komplikacionet që shfaqen në periudha afatgjatë si:
retinopatia, nefropatia, neuropatia diabetike periferike apo më thjesht e thënë,
problemet me shikimin, funksionin e veshkës apo problemet me nervat periferikë
që inervojnë gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Komplikacion tjetër jetë-kërcënues
mund të jenë edhe problemet me zemrën, të cilat çojnë deri në infarkt të saj
dhe më tej, vdekje të personit. 

Ende nuk njihen plotësisht shkaqet dhe
mekanizmat fiziopatologjikë të zhvillimit të diabetit tip 2, por sipas
studimeve të shumta që janë kryer, faktorë të tillë si historia familjare,
mosha në rritje, obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, kolesteroli “i keq” i
lartë në gjak, dieta jo e shëndetshme, hipertensioni arterial mund të rrisin
rrezikun për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.

Një ndër studimet më të fundit,
realizuar nga Instituti Karolinska në Suedi nën udhëheqjen e  Dr. Löfvenborg ka dhënë rezultate mjaft
interesante në lidhjen, që ekziston midis konsumimit të pijeve freskuese, veçanërisht
atyre dietike dhe diabetit të tipit 2. Sipas tij, personat të cilët ishin
konsumues të rreth 2 gotave (400 ml) pije freskuese në ditë, qoftë dietike ose
me përmbajtje sheqeri kishin 2 herë më shumë gjasa për zhvillimin e diabetit
tip 2 në krahasim me jokonsumatorët. Gjithashtu u pa, që 5 gota pije freskuese
në ditë mund ta dhjetëfishojnë këtë risk. 
 

Mirëpo, duke qenë se pijet dietike përmbajnë
në brendësi të tyre vetëm ujë, ëmbëltues artificial, aroma të ndryshme dhe jo
sheqer, atëherë si shpjegohet që ata mund të ndikojnë në rritjen kronike të
sheqerit në gjak? Sipas këtij studimi, mund të jetë e mundur që ëmbëltuesit
artificialë në pijet dietike të shtojnë oreksin, duke çuar në një marrje më të
madhe të sasive ushqimore. Gjithashtu ata ndikojnë negativisht në balancën e florës
normale bakteriale në zorrë duke çuar drejt intolerancës ndaj glukozës.

Përveç diabetit, deri më tani dihet që
pijet me sheqer mund të jenë faktorë risku për zhvillimin e sëmundjeve
kardiovaskulare. Në një studim prospektiv të mëparshëm, në të cilin janë
ndjekur 40000 meshkuj për 2 dekada, u zbulua që ata që konsumuan çdo ditë rreth
330 ml pije freskuese në ditë, kishin 20% më shumë gjasa për të vdekur nga një
atak kardiak sesa ata që i konsumuan këto pije rrallë. Gjithashtu ata akuzohen
edhe për ulje të fertilitetit si tek femrat, ashtu edhe tek meshkujt.

Këto fakte, me siguri përbëjnë lajmin e
keq të ditës për të gjithë ata që preferojnë ta shuajnë etjen apo të shoqërojnë
vaktet e tyre me pije të ndryshme freskuese, përfshirë dhe ato dietike. Ama,
parë nga një anë pozitive: jeni me fat që ky lajm erdhi tek ju, kështu ju mund
të filloni të ndryshoni për mirë disa gjëra në jetën tuaj. Këtë bëjeni duke
filluar me eleminimin e pijeve nga dieta juaj, si dhe zëvendësimin e tyre me
ujë, lëngje frutash, apo pije të tjera me origjinë natyrore, të sigurta për
shëndetin tuaj!

Dr. Argita Zalli ka lindur me 18 Shkurt te vitit 1986 ne qytetin e Fierit . Studimet e larta i përfundoi ne Universitetin e Sussex-it, ku studioi Medicinë Molekulare. Pas diplomimit në Molekular Medicine, Argita përfundoi doktoraturën në Immunology në Universitetin e Birmingham-it duke punuar me shkencëtarë me famë botërore.  Doktoraturën e parë e kreu në University College London (UCL), ku në bashkëpunim me emra shumë të respektueshëm e të njohur botërorë, publikoi një revistë shkencore me impakt të madh në fushën e psychobiology-së. Argita tashmë punon në një nga universitetet me prestigjoze në botë “Imperial College London” ku merret me kërkime shkencore, në fushën e haematology-së. Midis kërkimeve shkencore, Argita jep dhe leksione tek studentet ne fushat e shkencës së mjekësisë; në immunology, haematology dhe psychobiology. Ne vitin 2015, Argita mori çmimin si një nga lektoret më të mira të studimeve të mjekësisë në University College London.  Pasioni i Argitës për shkencën dhe mjekësinë bëri që Argita, në bashkëpunim me binjaken e saj Dr. Detinën, të krijojë një organizate jo fitimprurëse, e cila titullohet ‘We speak science’. Qëllimi i kësaj organizate është të rrisë edukimin në nivelin e shkencës edhe mjekësisë në botë. Për më tepër Argita është përfshirë në organizimin e disa konferencave, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.