Dëmtimi i mëlçisë, si ndikojnë 5 llojet e hepatiteve virale

657
Hepatiti viral është një ndër infeksionet më të shpeshta të mëlçisë. Viruset tipike të hepatiteve janë A,B,C,D,E, prej të cilave marrin edhe emrin.
Hepatiti A
Shkaktohet nga virusi i hepatitit A, i cili gjendet shpesh në jashtëqitjet e njerëzve. Infeksioni përhapet me rrugë fekalo-orale, çka do të thotë se infeksioni merret nëpërmjet ngrënies së ushqimeve të infektuara, pirjes së ujit apo lëngjeve të ndotura, kontaktit me persona të infektuar apo prekjes së objekteve të infektuara, kur nuk respektohen rregullat e higjienës.
Periudha e fshehtë (nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e shenjave klinike) është 2-6 javë. Hepatiti A ka vdekshmëri të ulët në përgjithësi, rrallë jep infeksion dhe asnjëherë nuk kronicizohet. Në këto raste, virusi A mund të shkaktojë edhe shpërthime epidemike, sidomos në kolektiva, duke sjellë pasoja sociale dhe ekonomike.
Hepatiti B
Shkaktohet nga virusi me të njëjtin emër. Ky virus gjendet në gjak dhe në lëngjet e trupit, si sperma apo lëngu vaginal. Infeksioni përhapet nëpërmjet disa rrugëve: kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna shtatzënë e infektuar tek bebja, kontaktit me gjak, transfuzioneve të gjakut apo shiringave e ageve josterile, gjatë kryerjes së procedurave invazive, apo tatuazheve në kushte josterile. Periudha e fshehtë është 2 deri në 6 muaj.
Rreth 10 për qind e të sëmurëve që e kalojnë hepatitin viral B, bëhen bartës kronikë të virusit. Gjithashtu, bartës kronikë bëhen edhe rreth 90 për qind e bebeve të lindura nga nënat me hepatit B.
Ndërsa 1 për qind e infeksioneve akute me hepatit B përparojnë mjaft shpejt në forma të rënda, të cilat quhen hepatite të rrufeshme (fulminante) dhe që kanë vdekshmëri të lartë deri në 60 për qind. Bartësit kronikë kanë rrezik më të lartë për të bërë cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti C
Shkaktohet nga virusi i hepatitit C. Infeksioni përhapet njëlloj si infeksioni nga hepatiti B, nëpërmjet të njëjtave rrugë: kontaktit seksual të pambrojtur, nga nëna shtatzënë e infektuar tek bebja, kontaktit me gjak, transfuzioneve të gjakut apo shiringave e ageve josterile, gjatë kryerjes së procedurave invazive, apo tatuazheve në kushte josterile.
Periudha e fshehtë është 6 deri në 10 javë. Hepatiti C shkakton në 80 për qind të rasteve hepatit kronik dhe 5-20 për qind të rasteve kalojnë në cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti D
Shkakton infeksion në mëlçi, vetëm në praninë e virusit të hepatitit viral B (bashkinfeksion). Infeksioni përhapet nëpërmjet të njëjtave rrugë si infeksioni nga hepatiti B dhe C. Periudha e fshehtë është 3 deri në 7 javë.
Kur të sëmurët me hepatit B kronik infektohen me virusin D, sëmundja mund të përkeqësohet shpejt drejt hepatit të rrufeshëm, ose cirrozës. Virusi i hepatitit D shkakton në rreth 60 -70 për qind të rasteve hepatite kronike dhe cirrozë të mëlçisë.
Hepatiti E
Shkaktohet nga virusi i hepatitit E. Përhapet me rrugë fekalo-orale, dhe kryesisht nëpërmjet ujit të pijshëm të ndotur. Sëmundja e shkaktuar nga virusi E është e lehtë dhe nuk shkakton infeksion kronik, por mund të shkaktojë epidemi. Tek gratë shtatzëna, vdekshmëria nga hepatiti E është i lartë, me rreth 10-20 për qind të rasteve.
Sigal