Mimoza Çobo: Nxënësit e Semanit në Fier, përqafojnë traditat popullore

1396
Sigal

Reportazh

Nxënësit e Semanit përqafojnë traditat popullore

Mimoza Çobo

Në perëndim të qytetit të Fierit, atje ku shtrin krahët e gjelbër fusha e Myzeqesë së Vogël dhe horizonti duket sikur puth qiellin dhe imazhin e drurëve halorë që pasqyrohet deri tek retë, mes dherave të butë gjarpëron udha që të çon buzë detit Adriatik, aty ku radhiten plazhet e virgjëra, dunat, rëra e imët që mban në bërthamën e saj, ilaçin shëronjës për trupin dhe shpirtin, deti që fsheh në thellësitë e tij misticizmin e kohërave. Se çfarë bukuri magjike fshehin këto plazhe do i tregojmë në një reportazh tjetër, por për kërshërinë e lexuesit, dua të theksoj se bukuritë në shtatin e Myzeqesë së Vogël janë të shumta dhe të lashta sa vetë gjeneza e kësaj toke të lashtë biblike. Fshati Seman shtrihet 17 km në vijë tokësore nga qyteti i Fierit. Në perëndim kufizohet nga deti Adriatik, në veri me lumin Seman dhe në jug me Apoloninë e lashtë. Këtë udhë e përshkoj me autobus çdo ditë, jo për të shkuar drejt plazhit, por në fshatin Seman, në shkollën e mesme të bashkuar “Andon Profka”, ku ushtroj profesionin e mësueses. Kjo shkollë është vatra e nxehtë e këtij reportazhi. Pasi lëmë pas rrethinat e Fierit, lagjen “Afrimi i ri”, qendrën e “Fermës”, siç e quajnë vendasit, fshatrat Ndërmënas, Hoxharën e vjetër dhe Topojën, në të djathtë të këtij fshati, udhëtojmë drejt Sheq –Marinasit, që njihet si vendi ku mbretëron si dikur druri i marinës. Ia vlen të përmend një detaj të veçantë të këtij druri që ngjall kërshëri jo vetëm për vendasit dhe udhëtarët, por edhe për botanistët. Gjatë zgjimit në pranverë, degët e njoma të marinës çelin lule me nuanca spektakolare, ngjyrë rozë në uthull.

Gonxhet e çelura formojnë një tufë lulesh që varen poshtë gjithë bukuri. Larmia e natyrës mbërthen shpirtin aventurier me aromën ndjellëse që depërton në thellësitë e kënaqësisë së udhëtimit. E teksa lëmë pas fshatin Sheq-Marinas, për së largu shfaqet një ishull i vogël i pyllëzuar me drurë, kryesisht vidh, frashër, selvi etj., që iu bëjnë hije shpirtrave që prehen në varrezat e vjetra të fshatit Seman. Ky ishull mistik sot, dergjet heshtur, njëlloj si vejusha e trishtë, që iu bën veri varreve. Dikur heshtjen e tij e thyente tingulli i kambanës së kishës së “Shën Triadhës”. E ndërtuar 400-vjet më parë, ajo funksionoi si objekt kulti e adhurimi deri në vitin 1967, vit kur u prishën shumë kisha në të gjithë vendin. Në truallin e kishës kanë mbetur disa mbetje nga muret e saj, që ruhen me fanatizëm nga vendasit. Në kujtesën e semaniakëve ruhet e freskët gojëdhëna e një ëndrre lajmëtare, që u bë shkak për ndërtimin e kësaj kishe. Ndjesia se jemi duke shkelur mbi një tokë sa të lashtë aq dhe biblike na shoqëron përgjatë fushave që përmbyste dikur “Lumi i vdekur”, siç e quan lumin Seman shkrimtari ynë i shquar, Jakov Xoxa, në romanin me të njëjtin emër. Teksa hedh vështrimin përtej xhamave të autobusit,syrin e çlodh një brez tokash bujqësore e kullotash të pasura me poli-florë që shtrihen deri në afërsi të pyllit të Semanit. Pa u afruar akoma pranë fshatit, ndien për së largu shpërthimin e sythave të pemëve, parfumin kundërmues të luleve që lajmërojnë ardhjen e pranverës. Por aromat më dehëse që përkëdhelin rrënjët e shpirtit, janë aromat e foshnjave të sapolindura, që megjithëse të pakta në numër, përcjellin mesazhin e përtëritjes së jetës. Ngazëllehem, kur në buzët e tyre, çel sythi i se ardhmes, kur qelizat e Semanit rinohen e s’kanë frikë nga plakja.

Vështroj, si thithin me endje gjinjtë qumështor, gjinjtë e ngushëllimit të ekzistencës sonë në tokë. Tingujt e ninullës, më zhysin në thellësitë e monologut intim poetik, ku çdo fjalë e tingull lidhet me urtësinë, dashurinë, trimërinë dhe shëndetin. E qara e foshnjave u duk sikur zgjoi nga gjumi shenjtorët në kishën e “Shën Triadhës”, ndërtuar para shumë vitesh në qendër të fshatit, pranë kopshtit të fëmijëve që dikur ka qenë shkolla e parë fillore e zonës. Kisha është ura lidhëse e Zotit me besimtarët. Teksa dëgjoj cicërimat e fëmijëve që vijnë nga kopshti, me duket sikur ato i ngjajnë këngës së dallëndysheve që kanë shtegtuar në çdo cep të botës. Dhe krejt natyrshëm lind pyetja drithëruese: Vallë, a do të kthehen në pranverë dallëndyshet e Semanit?! Foletë e tyre qëndrojnë në pritje në pemën me rrënjë indigjene, mbështetur në thellësi të dheut të butë, që kur punohet në pranverë, derdhet si bukë vale.

Nëse do provosh të marrësh një plis dheu nga trualli i Semanit, do shohësh brazdën e lashtuar të parmendës, vazhdën e qerres që dikur ishte i vetmi mjet udhëtimi e jetese për myzeqarin. E, nëse plisin e dheut do e shtrydhësh fort me pëllëmbën e dorës, nga gishtërinjtë do rrjedh palë-palë djersa me aromën grurit, do rrjedhin rrëke gjaku,virtytesh,gëzimesh, hallesh e dertesh. Semani, ky vend me tradita dhe vlera të mëdha kulturore, folklorike, arsimdashëse e historike, në rrjedhën e kohërave ka mbajtur lart flamurin e qëndresës, për të ruajtur identitetin e vet, gjuhën, traditat, shëmbëlltyrat që janë lulja e syrit të tij. Busti i mësuesit- dëshmor, Andon Profka, simbol i sakrificës njerëzore, i luftës për liri e pavarësi, për dije e arsimim, monument i madhërishëm në truallin shekullor të tempullit të dijes, ku gjallojnë gjurmët e ndritshme të jetës së tij. Në qiellin e syve ëndërrimtarë, janë gdhendur paqja dhe jeta, shkëndija e lirisë, drita e meteortë për brezat. Nga buzët e bronzta rrjedhin tingujt më të bukur të shkronjave, ninulla e tokës që e rriti dhe po e mban përjetësisht në gjirin e saj të butë. “Abetarja kombëtare shqipe” e profesorit, dijetarit dhe mendimtarit të ndritur myzeqar, Jani Minga, do të ngrohte me rrezet e dijes, zemrat dhe shpirtin e nxënësve të klasës përgatitore, më 1919 e një vit më pas, nxënësit e klasës së parë të shkollës së parë shqipe në Komunën e Semanit, me mësues Ilia Prençe. Hapat e sigurt që të çojnë të prekësh qiejt e dritës, janë gjurmët e dritëruara nëpër të cilat ecën për të përshkuar lëndinën e dijes. Gjurmët e dritëruara të Papa Isaias janë tek çdo kokrrizë e dheut të Semanit. Misionarët e parë që përhapën dritën e dijes në shkollën e Semanit në vitet ’30 të shekullit të 20-të, Thoma Mici, Xoxi Dhima, Jani Boçova, Izet Vasiari, Zoica Bogo, Ramiz Treni, Kozma Stefi, Llazar Stefi etj., do të ishin plejada e parë e misionarëve që do të linin gjurmë rrezëllitëse për brezat e ardhshëm të mësuesve. Nëpër vite kjo shkollë hodhi rrënjë të forta dhe nxori nga gjiri i saj qindra nxënës,që do të ishin filizat e ardhmërisë së kombit.

Kjo falë punës së vullnetshme e përkushtuese të mësuesve, këtyre pishtarëve të dijes që janë aq shumë në numër, sa për arsye të formatit të reportazhit, nuk do të mundem dot që t’i përmend të gjithë. Shembullin ideal të mësimdhënies e gjejmë të gdhendur në emrat e mësuesve, Llazar Stefi, shkrimtarit Mihal Krimçe, Hysen Emiri, shkrimtarit Aristotel Mici, Andon Çeliku, Eleni Stamuli, Llazar Shqepa, Aleksandër Boçova, Antoneta Kota, Naun Voja, Sokrat Stroni, Niko Gjoka, Lule Shqepa, Filip Çala, Irakli Toska, i cili ka dhënë kontributin e tij të çmuar në përjetësimin e vlerave të trevës së Semanit në librin “Semani, gjurmë në histori”. Komuniteti i Semanit është krenar që ka nxjerrë nga gjiri i vet njerëz të shquar që kanë lënë gjurmë në historinë moderne të Shqipërisë: Prof. Jani Thoma (Stefi), pedagog në UT, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë pranë Akademisë së Shkencave, autor i librit “Leksikologjia e Gjuhës Shqipe”, autor dhe bashkautor i disa fjalorëve të gjuhës shqipe. Thoma Thomai (Stefi), arkitekt, piktor, skulptor etj.

Në këtë fshat janë rrënjët e lashta të familjes së shkrimtarit ikonë të letërsisë shqipe, Jakov Xoxës. Profesor Jani Thomai së bashku me shkrimtarin Jakov Xoxa i ngritën kultin e nderit emrit të kësaj krahine dhe gjithë Myzeqesë. Të gjitha dashuritë, me kalimin e kohës veniten, vetëm dashuria për dije dhe arsimim, nuk venitet asnjëherë. Dashuria për arsimim është një vlerë tjetër e shtuar në gjerdanin e virtyteve të trevës së Semanit. Sa futesh në ambientet e shkollës së mesme të bashkuar “Andon Profka”, të bien në sy ambientet e gjelbëruara, natyra e qetë e nxënësve, dëshira dhe etja për dije e kulturë. Nga ky këndvështrim realist, rrezëllejnë cilësitë e brezit të së ardhmes, që kanë vëmendjen dhe përkushtimin maksimal të drejtueses së kësaj shkolle znj. Marinela Boçi dhe stafit të mrekullueshëm të mësuesve. “Motoja e kësaj shkolle,-shprehet znj.Marinela, “është: Arsim cilësor dhe edukim për gjithë jetën. Kur këto dy elemente shkrihen me njëri-tjetrin,fitojnë rëndësinë për formimin ideal të brezit të ri”. Përpara se të jetë një drejtuese e zellshme e këtij institucioni të dijes, ajo është një mësuese e devotshme që rrezaton cilësi të veçanta si në mësimdhënie ashtu dhe në aspektin organizativ e drejtues për të përballuar me sukses sfidat që i shërbejnë projektimit të së ardhmes, përmes kulturës dhe dijeve për gjeneratat e reja. Gjithashtu, ajo shprehet se, një nga detyrat e përhershme të stafit të mësuesve të kësaj shkolle është, të rrisin cilësinë në vlerë note dhe bashkëpunimin me komunitetin për tërheqjen e nxënësve në shkollë. Komuniteti është pro shkollimit të fëmijëve, por problem, mbetet ulja e numrit të nxënësve nga viti në vit. Kjo ndodh si pasojë e largimit masiv të popullsisë në emigracion, të zhvendosjes pranë zonave urbane, si dhe të uljes së ndjeshme të lindshmërisë në këtë trevë. Për më tepër, ajo shprehet se një rol të rëndësishëm në edukimin psiko-motor të nxënësve e veçanërisht të nxënësve me aftësi të kufizuara, kanë luajtur bashkëpunimet që kemi pasur me shkollat e zonës dhe me Qendrën Sociale “Murialdo”.

Padyshim që aktivitete të tilla, me karakter sensibilizues, argëtues dhe sportiv, të organizuara me profesionalizëm nga mësuesit e talentuar të edukimit fizik, Eglantina Shkurti dhe Egest Karroqe, janë një hap themelor për të krijuar një gjeneratë aktive dhe pozitive për të ardhmen. Me krenari mund të shprehem, se në sajë të përkushtimit të nxënësve dhe mësuesve, shkolla është nderuar me çmime, certifikata dhe trofe, të cilat shërbejnë si nxitje për të arritur suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. Aktivitete të tilla si Java olimpike, Festivali i lojërave popullore, ku ia vlen të përmendet midis të tjerave, “Loja e kosores”,e cila rrit kalitjen fizike e mendore, padyshim që janë jo vetëm argëtim e strategji e kontrollit të monitorimit të trurit dhe trupit, por dhe një përcjellje e vlerave autoktone të kulturës së zonës. Një rol të rëndësishëm në edukimin dhe formimin e nxënësve për përthithjen vlerave të librit, në shpërfaqjen e botës së brendshme shpirtërore dhe nxitjen e frymëzimit tek talentet e reja, ka luajtur dhe luan rrethi i “’Letrarëve të rinj”, që drejtohet nga mësueset me përvojë Enkeleda Sollaku, Irma Kote dhe Rezarta Voja. Edukimi i brezave me traditat, doket dhe zakonet që janë pjesë e qenësisë së identitetit të trevës, shërben për të lartësuar dhe ruajtur vlerat e veshjeve popullore dhe folkun e trevës së Semanit, të cilat janë pasuri të Myzeqesë. Nxënësit e kësaj shkolle çdo vit kanë qenë pjesë e aktivitetit kushtuar traditës dhe trashëgimisë kulturore të Myzeqesë që organizohet nga Bashkia e Fierit në zonën e Semanit. Në aktivitetin “Guna me Rrëke”,vajzat semaniake të veshura me veshjen tipike tradicionale të zonës dhe me Gunën me Rrëke, demonstruan hijshëm veshjet në një parakalim ceremonial ku u zgjodh “Bukuroshja myzeqare”. Parakalimi i vajzave të veshura me Gunën me Rrëke’, të hipura mbi kuaj dhe dhurimi i Takijes së Bardhë burrave të ftuar, ishte një tjetër bukuri e pazakontë, që ngërtheu publikun me spektrin e koloritit të motiveve popullore të kostumeve derdhur në trupin e vajzave, të cilat ngjanin me zanat e përrallave. Guna me Rrëke,veshje tipike ngjizur në Seman, është perlë e etnografisë së gruas myzeqare. Aty është derdhur lashtësisht bardhësia e shpirtit të myzeqares, pastërtia dhe dinjiteti i Myzeqesë, bukuria dhe harmonia njerëzore, shpirtbutësia, çiltërsia dhe mirësia si përzemërsi jetësore e myzeqarëve . Aty, në Gunën me Rrëke, jemi dhe ne, dhe ata që nuk janë më, është e djeshmja, e sotshmja dhe, me siguri, edhe e ardhmja. Edit Durham gjatë udhëtimit nëpër Myzeqe, në vitin 1905, u mahnit jo vetëm me bukuritë e qytetit antik të Apolonisë, por dhe me koloritin e ngjyrave të kostumeve myzeqare dhe ritualet etnografike. Është emocionuese të shohësh nxënëset e kësaj shkolle teksa hedhin vallen myzeqare kur nëpër trup valëzohet Guna me Rrëke, me një përshpejtim si valëzimet e grurit, nga puhiza pranverore. Pothuaj e njëjta bukuri interpretative performohet dhe tek djelmoshat valltarë, me takijet e bardha mbi krye, me fustanellat e bardha palë-palë, që teksa shkëpusin duart e lidhura nga njëri-tjetri, përgjatë rrotullimit në valle, duket sikur nuk kërcejnë, por fluturojnë si shqiponjat mbi kurorat e gjelbëruara të pyjeve. E ndërsa majat xhufkore të këpucëve krijojnë vibrime të dridhshme në ajër dhe tokën e ndezin zjarr, shpirtin e pushton mesazhi i zjarrtë tradicional, se edhe këta djelmosha myzeqarë, ashtu si etërit dhe të parët e tyre, identifikohen si njerëz të së ardhmes, me shpirt të butë e paqësor, si iluminantë të dijes, diellit, dritës, muzikës dhe poezisë. Kur flladi i traditave popullore ndërthuret me universin e dijes, ëndrrat e të rinjve iu ngjajnë sythave në shpërthim.