Zgjedhjet, Wollfarth: Bashkëpunim teknik. Kryeprokurori? I paanshëm

371
Sigal

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, është takuar paraditen e sotme, rreth orës (10:00) në ambientet e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba. Zgjedhjet e 2013-ës ishin temë e këtij takimi, ndërkohë që OSBE ka apeluar më parë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.  Në një prononcim për mediat, pas takimit Wollfarth apeloi që është shumë e rëndësishme të mbahet një frymë bashkëpunimi teknik, ndërkohë që shprehu besimin që ekzistojnë përbërësit për zgjedhje të mira.  “Në fakt është shumë e rëndësishme për zgjedhjet e 2013 të ekzistojë një frymë e mirë e bashkëpunimi teknik. Pas këtij takimi jam i bindur se ekzistojnë ingredientët më të mirë që ata të japin zgjedhjet më të mira të mundshme vendit. Pritet të vijnë vëzhguesit nga ODIHR për zgjedhjet e 2013-s dhe së bashku me prezencën e OSBE-së janë disa projekte duke u diskutuar. Në fakt kjo mbështetja për KQZ-në përmban edhe elementët e ndihmës, teknike. Siç thashë jam i bindur se do ketë përgatitje shumë të mira dhe mendoj se, elementi më i mirë është fryma e bashkëpunimit dhe unë mendoj se është”,- deklaroi Wollfarth.  Ky është takimi i parë që ambasadori Wollfarth zhvillon me krerët e këtij institucioni pasi Kuvendi miratoi vetëm me votat e maxhorancës në seancën plenare të 11 tetorit kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Lefterie Lleshin.

Kryeprokurori i ri

I pyetur rreth debatit më të fundit për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, ambasadori i OSBE-së tha se duhet gjetur një figurë e paanshme.  “Kryeprokurori i ri duhet të jetë një personalitet i kualifikuar, i paanshëm dhe neutral. Le të shohim diskutimet që po vazhdojnë dhe mënyra si do të interpretohet Kushtetuta për këtë. Kam besim se do të gjendet një zgjidhje e mirë. Por, ajo që është më e rëndësishme është gjetja e një personaliteti të kualifikuar që do ta bënte punën e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë neutrale dhe të paanshme”,- theksoi Wollfarth.