Zgjedhjet në PD, përcaktohen rregullat e votimit dhe përbërja e komisioneve

450
Partia Demokratike përcakton degët ku do votohet për kryetarin, komisionet dhe numrin e votuesve. Ja sa janë hequr dhe shtuar nga listat 
Në 22 korrik anëtarët e Partisë Demokratike në rrethe do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin që do t;i udhëheq. Janë dy alternativa. Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, përcaktoi vendet e votimit për të gjitha degët si dhe përbërjen e komisioneve. Në 22 korrik do të zhvillohen votime në 68 degët e Partisë Demokratike ndërsa do të jenë 73 komisione votimi. Komisioni shpjegoi se edhe numrin më të lartë të komisioneve të votimit, duke argumentuar se 5 degë të Partisë Demokratike (Shkodër, Elbasan, Fier, Durrës dhe Kamëz) për efekt të numrit të madh të anëtarësisë kanë nga dy komisione votimi. Anëtarët e komisioneve të votimit janë propozuar nga kandidatët në garë. Në mbledhjen e komisionit u vendos edhe për listat përfundimtare të votimit. “Në fillim të procesit të zgjedhjeve për Kryetar në PDSH-së, kemi deklaruar se regjistri elektronik i anëtarësisë së PDSH-së përmbante 103,200 anëtarë. Sot listat përfundimtare të votimit të miratuara, kanë një total prej 103,952 anëtarë. Ndryshimet që u miratuan në Komision, konsistojnë në: Janë shtuar 1,557 anëtarë në listat shtesë, nga persona që janë paraqitur pranë degëve të PDSH-së me karta anëtarësie ndër vite por që nuk ishin përditësuar në regjistrin elektronik, në përputhje me pikën 8/b të Udhëzimit Nr. 1, datë 04.07.2017. Janë shtuar 112 anëtarë në 5 degë të Partisë Demokratike, që kishin formular dhe dokument anëtarësie të para datës 28.06.2017 por që rezultonin të pa hedhur në sistem. Janë hequr nga regjistri elektronik 607 anëtarë, që kanë dërguar zyrtarisht 14 degë të Partisë Demokratike për arsye të kalimit të tyre legalisht në Parti të tjera. Si dhe 310 anëtar që në 4 vitet e fundit rezultojnë së nuk jetojnë më. Për të gjitha këto të dhëna ka dokumente të shkruara zyrtare që gjenden dhe do të ruhen në protokollin dhe arkivin e Selisë Qendrore të PDSH-së”, thuhet në deklaratën e dalë nga Komisioni. Në listën përfundimtare të votimit janë të përfshira dhe tre kategori anëtarësh me mundësi të kufizuara për të votuar. Këta janë, anëtarë të PD-së në degët e saj në Selanik, Athinë, Romë, Milano, Belgjik, Londër etj. Anëtarë të PD-së të regjistruar on line si të tillë nga jashtë Shqipërisë si dhe disa mijëra anëtarë të larguar në emigracion në 3 vitet e fundit. Sipas të dhënave operative të marra nga degët e Partisë Demokratike, numri i tyre shkon rreth 23,000 anëtarë. Ata do të vazhdojnë të mbeten në listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike pavarësisht mundësive aktuale të kufizuara për të qenë pjesë e proceseve elektorale në parti dhe jashtë saj. “Sot, (dje) degëve të Partisë Demokratike, do t’u dërgohen zyrtarisht listat e komisioneve të votimit dhe vendet e votimit të miratuara. Si dhe do t’u përcillen elektronikisht listat përfundimtare të votimit. Në këto lista, në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike dhe në të 68 Degët e saj, kanë akses të plotë: çdo anëtar i PD-së, gjithë drejtuesit e strukturës qendrore dhe lokale të PD-së, anëtarët e komisioneve të votimit dhe me përparësi përfaqësuesit e kandidatëve në këto komisione. Komisioni OKOE gjithashtu ka marrë vendimet e duhura për gjithë logjistikën e nevojshme. Në datën 21 korrik Kryetarët e 73 Komisioneve të votimit në prani të detyrueshme të dy anëtarëve përfaqësues të kandidatëve do të tërheqin pranë Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, listat e printuara të votimit që do të jenë të njëjta me listat elektronike që do t’u përcillen sot degëve të PD-së, vulat zgjedhore me numrat përkatëse, kutitë e votimit me kodet përkatëse, dhomat e fshehta të votimit si dhe të gjithë formularët dhe proces verbalet që nevojiten për hapjen dhe mbylljen e votimit.

Degët e Partisë Demokratike kanë marrë me shkrim nga Komisioni OKOE të gjitha Udhëzimet e nevojshme për ecurinë e procesit, njoftimin e anëtarësisë, lehtësimin e transportit të anëtarëve që jetojnë larg qendrave të votimit, krijimin e kushteve normale në votim dhe krijimin e të gjitha mundësive për të pasur një proces të drejtë, të qetë dhe të zhvilluar në kushte të plota sigurie”, thuhet në deklaratë.
Sigal