Zgjedhjet/ KQZ bën bilancin: Brenda vendit kanë votuar mbi 1.4 milionë shqiptarë, mbi 55 mijë vota të pavlefshme

15
Sigal

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar një bilanc paraprak mbi pjesëmarrjen dhe rezultatet e votimit, bazuar në të dhënat e transmetuara nga operatorët në terren, si brenda vendit, ashtu edhe nga diaspora.

Sipas KQZ-së, nga 3.467.962 zgjedhës të regjistruar në listat zgjedhore, kanë votuar gjithsej 1.462.138 qytetarë brenda territorit të Shqipërisë. Nga këto vota, 1.406.514 janë shpallur të vlefshme, ndërsa 55.514 janë konsideruar të pavlefshme.

Gjithashtu, KZAZ-të kanë identifikuar 12 kuti votimi si të parregullta, të cilat nuk janë përfshirë në procesin e numërimit.

Sa i përket votimit nga diaspora, janë regjistruar 194.889 vota të ardhura përmes shërbimit postar. Nga këto, deri më tani janë numëruar 1.532 vota të pavlefshme.

Ky është një raport paraprak dhe mund të pasqyrojë ndryshime me përfundimin e plotë të procesit të numërimit dhe verifikimit.