Zgjedhjet e 14 Majit. ISP /Ja bashkitë me riskun më të lartë për blerje votash, incidente dhe ndikimin e oligarkëve dhe “të fortëve”

127
Sigal

 

Sipas gjetjeve mbi analizën e situatës aktuale politike dhe ecurinë e fushatës elektorale nga janari i këtij viti, rezultojnë se në 10 bashki situata nuk është aspak e qetë. Lista e zonave “të nxehta” kryesohet Durrës,  Kamëz , ndjekur nga bashkitë Shkodër, Elbasan, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë

Tensionet politike, pjesëmarrja dhe ndikimi i oligarkëve apo bandave kriminale, konkurrenca e ashpër, diferenca në vota mes partive dhe kandidatëve, si dhe angazhimi i shtetit apo përdorimi i burimeve shtetërore në fushatën për vendoret e 14 Majit, janë alarm i kuq në garën elektorale në disa bashki.

Sipas gjetjeve të publikuara nga Instituti i Studimeve Politike mbi analizën e situatës aktuale politike dhe ecurinë e fushatës elektorale nga janari i këtij viti, rezultojnë se në 10 bashki situata nuk është aspak e qetë.

Harta e zonave zgjedhore është ngritur mbi potencialin për tensione, presione, incidente, trafikim të votës, abuzim me ligjin elektoral, akuza për manipulim, kontestim të mundshëm dhe rivalitet të ashpër politik gjatë zgjedhjeve vendore 2023.

Insituti i Studimeve Politike ka publikuar hartën e riskut elektoral për zgjedhjet e 2023-it si pjesë e një tradite që ky insitut e ka nisur qysh prej zgjedhjeve të vitit 2015. ISP vëren se në zgjedhjet e vitit 2021 lista e zonave “të nxehta” kryesohej nga Elbasani dhe Durrësi, zona ku realisht u shënuan incidente, përfshirë edhe ngjarje të rënda me humbje jete.

Por cilat janë zonat me riskun më të lartë për vitin 2023, sipas ISP?

“Tri bashki kanë koeficient të njëjtë negativ: bashkia Durrës, bashkia Kamëz dhe bashkia Vau i Dejës, ndjekur nga bashkitë Shkodër, Elbasan, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë. Në bashkitë më problematike bëjnë pjesë edhe Kukësi, Malësia e Madhe, Shijaku, Kruja, Dibra, Bulqiza dhe Hasi”, vëren ISP.

Nga raporti rezultojnë edhe disa bashki, në të cilat situata zgjedhore është shumë më e qetë në të gjithë komponentët e saj dhe ku shanset për risk elektoral janë minimale. Të tilla janë bashkitë Pustec dhe Maliq, Roskovec dhe Delvinë, Patos dhe Gramsh, Belsh dhe Përmet, Libohovë dhe Kuçovë, Konispol dhe Dropull, Tropojë dhe Skrapar, etj. Merita specifike e këtyre zonave, sipas ISP, krahas treguesve objektivë, janë edhe vetë kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, të cilët kanë dëshmuar dhe dëshmojnë sjellje më të përgjegjshme dhe përpjekje për të zhvilluar procese zgjedhore sa më afër normave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Në këto tre qytete gara për drejtuesin e ri lokal ka të njëjtin koeficient negativ, plot 92%, që vjen nga rivaliteti dhe gara fortë mes kundërshtarëve politikë pjesëmarrës. Qyteti bregdetar ku konkurrenca mes PS dhe opozitës e përfaqësuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” është e forte, pasi në garë janë dy kandidatë, Emiriana Sako dhe Igli Cara është në të njëjtin nivel me dy bastione të Partisë Demokratike, por që nga 2019 drejtohen nga socialistët, ndërsa demokratët duan rikthimin me çdo kusht në krye të bashkisë.

Harta e riskut elektoral (HRE) u krijua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2015 për të vijuar në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe 2021. Qëllimi i HRE është paraqitja e potencialeve të mundshme për tensione, incidente dhe parregullsi elektorale në zona të caktuara.

Gara në zgjedhjet vendore është mazhoritare, një votë më shumë bën diferencën midis kandidatëve dhe në më shumë se 50% të bashkive fitorja e mandatit nuk lidhet vetëm me synime politike, por edhe projekte informale të grupeve mbështetëse, kryesisht grupe informale apo oligarkë”, thotë ISP.

Për hartimin e HRE janë analizuar rezultatet në 10 vitet e fundit në zonat përkatëse, CV e individëve në garë dhe përbërja e drejtuesve reale të stafeve zgjedhore, niveli i përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë, specifika lokale që lidhen me përbërjen demografike, rolin e familjeve të mëdha apo firmave më të njohura private në zonë, rolin e individëve të njohur për rekorde kriminale, si dhe denoncimet që janë adresuar gjatë viteve për shkelje të legjislacionit zgjedhor, trafikim të votës apo presin ndaj votuesve.