Damian Gjiknuri: Mbi 32 mijë qytetarë janë pajisur me lejen e re të qarkullimit

196
Sigal

Leja e re e qarkullimit ka hyrë në fuqi që prej muajit qershor, ndërsa deri më tani me të janë pajisur mbi 32 mijë e 724 drejtues mjetesh. Lejet e qarkullimit janë lëshuar në një periudhë kohore prej dy muajsh, nga 6 qershor deri 29 korrik 2022. Njoftimi është bërë me dije nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, i cili shkruan se krahasuar me vitin 2021 janë dhënë 1.874 më shumë leje qarkullimi ose 6% më shumë, ndërsa krahasuar me 2018 janë dhënë 11.099 më shumë leje qarkullimi, ose 51%. Leja e re e qarkullimit ka zëvendësuar tre dokumente, lejen e vjetër të Qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit. Leja e re e qarkullimit e mjetit lëshohet për regjistrime të reja ose kur qytetari azhurnon të dhënat e mjetit, kur ndërron pronësinë, kur humb apo dëmtohet leja e vjetër dhe kur qytetari dëshiron vetë të marrë lejen e re. Por deri më tani nuk ka detyrim për mbajtësit e lejes së vjetër të mjetit që ta ndërrojnë atë.