/Gazeta TELEGRAF
Nuk ka dyshim se, ish-kryebashkiaku i Lushnjes, tashmë i shkarkuar edhe zyrtarisht ende pa u shprehur gjykata për fajesinë ose pafajësinë e tij, po shërben si njëlloj kavie laboratori për ndëshkimin e zyrtarëve publikë që abuzojnë me detyrat shtetërore. Mirëpo në tërë këtë makro-skemë diçka më duket nuk shkon. Së pari, shkelja e barazisë në tendera është një dukuri e gjerë, e mirënjohur dhe një sëmundje e pa kuruar në fushën e prokurimeve në vendin tonë. Format e shfaqjes janë të shumta, por pranohet gjerësisht se komuniteti i biznesit “nuk bën zhurmë”, por detyrohet të pranojë kushtet e institucioneve që prokurojnë fondet publike, dmth, të paguajë nën dore, bile me përqindje që në harkun e pesë viteve të fundit, vlerësohet se janë rritur dukshëm. Ndër mënyrat më të dukshme se si thyhen rregullat e prokurimit vihet re se njësitë e prokurimit që merren me hartimin e specifikimeve teknike, bashkëpunojnë me firmat potenciale fituese apo që gëzojnë mbështetjen politike të titullarëve të entit prokurues. Ndarja e informacionit i vendos ato automatikisht në pozita fituese, për të mos thënë se në mjaft raste specifikimet vihen të tilla që vetëm disa, ose një ofertues i vetëm, mund t’i plotësojë ato. Nuk mungojnë edhe rastet kur firmat merren vesh midis tyre për të ndarë tregun, ose për të fiksuar çmimet, sjellje këto anti-konkurrencë dhe të ndëshkueshme nga ligji. Ndërsa në nivel vendor, vihet re se bashkitë shpenzojnë fonde të konsiderueshme publike në zëra shpenzimesh që janë tërësisht të pamatshme, për të cilat mungojnë referencat në çmime, etj. Në këtë mënyrë, mundësohet nxjerrja e fondeve nga llogaritë e institucionit dhe sigurohen përfitime për vendim-marrësit. Është ndoshta kjo arsyeja që në shumë tabela në qytetet shqiptare, flasin për punime rehabilitimi me koston e ndërtimit të një vepre të re infrastrukture publike, madje përdoren edhe emërtime që vështirë se mund të përkthehen në shqip, apo që nuk gjenden me manualet tradicionale të çmimeve të ndërtimit si “riaftësim”, riijetësim” “rikualifikim”, etj.
“Së pari, shkelja e barazisë në tendera është një dukuri e gjerë, e mirënjohur dhe një sëmundje e pakuruar në fushën e prokurimeve në vendin tonë.”
Në të vërtetë, terma të tillë që në gjuhesi përdoren për frymorët, por gjithsesi, ndihmojnë për të “sistemuar” fonde të konsiderueshme buxhetore. Kjo eshtë aq e vërtetë sa, ç’është vërtetë se, nëse dikush kërkon një “pasaportë teknike” të veprës publike të riaftësuar në këtë mënyrë, nuk gjendet, dhe kjo lë hapur mundësinë që brenda pak vitesh, drejtuesi radhës të vazhdoje jetësimin pa dhënë asnjerit llogari për efektivitetin apo dobinë e parave publike që shpenzohen në këtë mënyrë… Shkurt, barazia në tendëra është “fjalë e huaj”, kudo dhe kurdo që të investigohet ky fenomen, rezultati është thuajse i njejtë: vetëm klientët e qeverisë dhe pushtetit të saj vendor, kanë akses (shumica kundrejt pagesës) në tenderat publikë…
Nga dosja e ndalimit pompoz dhe pushimit të Tushes së Lushnjes, flitet për favoritizëm të një kompanie, por nuk duhet harruar se, sistemi i prokurimit ka disa hallka dhe faza dhe titullari, është instancë e fundit e apelimit në institucion, përpara se palët e interesuara të mund t’i drejtohen agjencisë, përndryshe rregullatorit të prokurimeve. Unë nuk dëshiroj ta marr atë në mbrojtje për parregullsitë e tenderit në fjalë, por gjej rastin të kujtoj se nëse dikush shkel ligjin, përgjegjësia është ndividuale, qoftë ky anëtar i komisionit të specifikimeve teknike, apo i vlerësimit të ofertave, ndërsa për veprën penale të korrupsionit, duhet të provohet përfitimi material, dmth, marrja e parave, sigurimi i votave në zgjedhje ose ndonjë përfitim tjetër në natyrë nga titullari që firmos kontratën. Përndryshe, nëse ecet me teorinë e Vishinsk-it të shekullit të kaluar, “çojini njëherë në burg, mandej nenin për dënimin penal të tyre e gjej vetë”, çështje të tilla, shfryhen shpejt dhe bile edhe të paragjykuarit e “dënuar” me gjyqe popullore, kërkojnë (dhe në disa raste edhe marrin) dëmshpërblim për “prishje të qetësisë shpirtërore”, siç edhe ka ndodhur në të shkuarën e afërt…
Sa u takon ndërtimeve të paligjshme, nëse një titullar institucioni si Tushja i Lushnjes, ka ushtruar ndikimin e vet mbi inspektorët dhe stafin e bashkisë, siç lihet të kuptohet nga bisedat telefonike të publikuara sot,(dje) mendoj se, ky rast, do të japë mundësinë si për të kuptuar se si nëpunësit shkelin ligjin për llogari të titullarit dhe ndëshkimi, duhet të jetë i drejtpërdrejtë edhe për ta, por njëkohesisht edhe se si shteti, në periudha fushate zgjedhore përkulet përpara pushtetit, bëhet tolerant me paligjshmëritë (siç janë ndërtimet informale). Në këtë rast, titullari i institucionit public, (në rastin tonë Tushja i Lushnjes), shfaqet me tërë “madhështinë” e vet, si një patronazhist i suksesshëm, por që bëhet i tillë, duke dëmtuar interesin publik, fondet publike dhe bashkë me to, edhe besimin e qytetarëve të shtetit të së drejtës.





















