Zef Bushati: Kështu  veprohet në një shtet ku funksionon demokracia, drejtësia, dhe pushteti ligjor

474
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Fjala “interes” e përdorur nga zëdhënësi i KE-së, nuk është në  vendin e duhur

‘Aleanca për Teatrin’ mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, akuzoi Ambasadorin e Bashkimit Evropian, zotin Luigi Soreka se, ka ushtruar ndikim të paligjshëm, gjatë marrjes së vendimit për çështjen e Teatrit Kombëtar,  nga ana e anëtarëve të  Gjykatës Kushtetuese. Për këtë çështje ‘Aleanca për Teatrin’ ka deklaruar se ka bërë denoncim në SPAK, duke ndjekur rrugën ligjore për zbardhjen e kësaj akuze dhe për vendosjen para drejtësisë të autorëve të akuzuar. Normale. Veprim për t’u përshendetur. ‘Aleanca për Teatrin’ në mbrojtje të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.  Kështu  veprohet në një shtet ku funksionon demokracia, drejtësia, dhe pushteti ligjor. Reforma zgjedhore po jep frytet e saj. Por me këtë rrugë të ‘Aleancës për Teatrin’, nuk është dakort zëdhënësi i KE-së (nuk arrita t’ja mësoj dot as emrin), i cili me anë të një deklarate, akuzon ‘Aleancën për Teatrin’ se: dyshimet e tyre janë pabaza.

Zëdhënësi i KE-së me këtë deklaratë, ka ushtruar edhe ai ndikim të paligjshëm, në vendimin që do të marrë SPAK. Zëdhënësi i KE-së na kujtoi se Ambasadori Soreka, punon në interes të Shqipërisë. (nëse kjo deklaratë që u trasmetua nga TV-të është e vërtetë, mendoj se është e një niveli të ulët në fushën e diplomacisë.) Ambasadori Soreka është përfaqësues zyrtar i BE-së në  Shqipëri. Ai punon sipas udhëzimeve dhe programeve të Bashkimit Evropian. Fjala “interes” e përdorur nga zëdhënësi i KE-së, nuk është në  vendin e duhur. Ne rastin konkret, “interesi” nuk është për Shqipërinë, por për çështje personale. Çuditërisht, në këtë debat, merr pjesë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Xhaçka, e cila shprehet me patetizëm se, Soreka është “ mik ” i Shqipërisë, që na ka ndihmuar për tërmetin dhe  Covid-19, etj. Zonja Xhaçka është si politikane në këtë detyrë dhe pa asnjë eksperiencë në fushën e diplomacisë. Çështjen në fjalë e trajtoi, në prononcimin e saj, në konceptin shoqëror dhe jo diplomatik. Përkufizimi i saj “Soreka është mik” nuk ka lidhje me akuzën që ‘Aleanca për Teatrin’ bën ndaj Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Nuk është çështja se “Soreka është mik apo  armik”. Nuk është kjo akuza që ka bërë ‘Aleanca për Teatrin’.

Ndjej keqardhje që edhe ministrja Xhaçka bie në të njëjtat pozita me Sorekën dhe zëdhënësin e KE-së. Me deklaratat e saj, edhe ajo ushtron ndikim ndaj SPAK. Eh… zyrtarë të lartë, që mendojnë se qytetarët shqiptarë nuk kanë nivelin e tyre. Gaboheni?! Jo, nuk gaboheni. Por është e kundërta. Binduni se, qytetarët shqiptarë, intelektualisht qëndrojnë më lart se ju. Ata duan demokraci dhe Shtet Ligjor. Ata janë të vendosur tek realizimi i Reformës në Drejtësi. Prandaj, mos ndërhyni, mos ndikoni, mos shantazhoni. Lëreni të lirë drejtësinë të bëjë punën e saj. ‘Aleanca për Teatrin’ po demostron civilizim, qytetërim, emancipim, duke kërkuar të drejtën, por edhe duke mbrojtur jo vetëm pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. ‘Aleanca për Teatrin’ duhet të mbështetet për rrugën ligjore, që po ndjek. Prandaj palët e interesuara të presin me durim vendimin e SPAK.