Frank Shkreli: Zbulimi i varrit masiv në Përmet, përgjegjësia e institucioneve shqiptare dhe e ndërkombëtarëve

344
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mediat shqiptare njoftuan dje, zbulimin e një varri masiv të viktimave të komunizmit në Përmet. Zbulimi u bë aksidentalisht nga një firmë ndërtimi. Për një shumicë të mediave shqiptare, zbulimi i këtij varri masiv, u trajtua si diçka e re, si një “lajm”, sikur nuk e dinin deri tani se anë e mbanë Shqipërisë, ka varre masive nga periudha e komunizmit, të zbuluara dhe të pazbuluara. Varre të tilla masive viktimash të pafajshme të komunizmit ka gjithandej, të nderuar. Buzë Dajtit, nën pallatet e larta në Tiranë dhe në qytete të tjera. Në brigjet e liqenjve dhe lumenjve. Shkoni kërkoni brigjeve të Lumit Buna dhe Drinit në Veri të vendit, si dhe përgjatë kufirit, mund të shkelni mbi to. Do “zbuloni” mjaft eshtra, megjithëse eshtrat e shumë viktimave të komunizmit, lumi Buna dhe Drini i kanë përcjellë në Adriatik, përfshirë edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës dhe të shumë anëtarëve të elitës antikomuniste, jo vetëm në Veri, por anembanë Shqipërisë.

Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë, është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur, as në nivel kombëtar, as ndërkombëtar.  Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar midis të gjitha këtyre palëve, për të heshtur për krimet e komunizmit dhe për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri. E kam thënë shpeshherë, kjo heshtje është e turpshme, sidomos për Perëndimorët në Tiranë, të cilët,  ndryshe nga kjo klasë politike shqiptare e tre dekadave të kaluara, për çështje të tilla duhej të udhëhiqeshin nga vlera të tjera morale dhe drejtësie. Nuk mund të vendoset një drejtësi e re në atë vend, pa u marrë me krimet e vjetra të komunizmit në Shqipëri dhe, nuk mund të heshtë drejtësia e re, ndaj përgjegjësisë dhe pandëshkueshmërisë së tyre, nga organet e sotme të drejtësisë shqiptare. Të gjithë Perëndimorët deklarohen shpesh se mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Vërtetë!? Si mund të konsiderohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE kur, si asnjë vend tjetër në Evropë, Shqipëria ka refuzuar për tre dekada tani për t’u përballur, seriozisht, me krimet e komunizmit?

“Fatkeqësisht, duket sikur ekziston një marrëveshje e shëmtuar midis të gjitha këtyre palëve, për të heshtur për krimet e komunizmit dhe, për të mos u përballur seriozisht me të kaluarën komuniste në Shqipëri”

“Heshtja e medias, heshtja dhe mosveprimi i organeve qeveritare dhe shtetërore shqiptare, heshtja e përfaqësive diplomatike Perëndimore në Tiranë, është e turpshme, moralisht dhe ligjërisht e pamundur për t’u mbrojtur”

Thua nuk e di Ministria e Brendshme se ku gjenden varreza të tilla masive anembanë Shqipërisë? Pyetja që çdo shqiptar/e duhej të bëjë, pse nuk bëhet asgjë për të identifikuar varreza të tilla masive dhe për t’i mbrojtur si vende të shenjta?

Autori i shkrimit, Frank Shkreli ka botuar në gazetën “Telegraf” më, 2 qershor 2021, edhe shkrimin me titull “Të zhdukurit e periudhës komuniste në Shqipëri kërkojnë drejtësi!”, ku lexuesit tanë mund ta gjejnë në këtë link  https://telegraf.al/politike/frank-shkreli-te-zhdukurit-e-periudhes-komuniste-ne-shqiperi-kerkojne-drejtesi/