Xhixho: Basha vazhdon ta përdorë partinë e tij si avokate ndaj korrupsionit të Rilindjes me inceneratorët

269
Sigal

Nënkryetarja e LSI-së Erisa Xhixho, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se Lulzim Basha vazhdon që ta përdorë partinë e tij si avokate ndaj korrupsionit të Rilindjes me inceneratorët.

Xhixho thekson se tashmë është e bindur se Basha do vijojë shërbimin ndaj Ramës, duke kurorëzuar 17 Majin e dytë me një raport amnistues të krimit, si produkt i Komisionit Hetimor.

Deklarata e Erisa Xhixhos:

E turpshme që Lulzim Basha vijon ta përdorë partinë e tij si avokate mbrojtëse ndaj korrupsionit të Rilindjes me inceneratorët!

Ngritën një shoë në Komisionin Hetimor Parlamentar, duke regjizuar hetimin e korrupsionit, me modele gjyqesh televizive si ai i emisioneve të së dielës.

Tani shoë vazhdon me pseudo-hetuesit e Bravës që bëjnë padi në SPAK me logon e Bravës, duke kopjuar provat nga paditë e LSI.

Alqi Bllakon LSI e ka denoncuar që në Mars 2021! Basha zbatonte kontratën financiare të 17 Majit atëherë, e nuk ngriti zërin, duke lejuar grupin e inceneratorëve të blinte zgjedhjet me paratë e vjedhura!

Këto faktet në paditë e tanishme të PD, që shiten si zbulime të Komisionit, LSI i ka dorëzuar me kohë në SPAK, bashkë me një mori faktesh mbi përfitimet financiare dhe evazionin fiskal. Nëse Basha do e kishte vërtetë luftën ndaj inceneratorëve, do të merrej me kompanitë që kanë kryer evazionin fiskal dhe fryrjen e kostove të punimeve.

Teksa jam e bindur se Basha do vijojë shërbimin ndaj Ramës, duke kurorëzuar 17 Majin e dytë me një raport amnistues të krimit, si produkt i Komisionit Hetimor, mbetem shpresëplotë se Prokuroria Speciale Antikorrupsion, do jetë në lartësinë e duhur për të mos u mjaftuar me marrëveshjen politike Basha-Rama, por do godasë korrupsionin në nivelet më të larta dhe do ndjeki rrugën e parave…. këtë presin të gjithë shqiptarët!