Ti na ike gjyshe, na le vetëm!
Një shirit të zi ne qepëm sot;
flokëbardhë e dhembshur, sa të deshëm,
dhe me ç’mall na deshe, s’e them dot.
Ne të flisnim që të gjithë “nënë”;
“Nënë” të fliste Fredi vogëlosh.
Ç’hidhërim, si thikë më çan zemrën,
Kur shikoj krevatin që rri bosh.
Ty një shekull plotë të fali jeta!
“Ju dyfish më rrofshi” thoshje shpesh.
Nënë ty të kisha, nënë-shkreta,
më pat lënë të mitur, pesë vjeç.
Netëve të thirra nëpër gjumë,
po ti ike, kurrë s’kthehesh më!
Unë të desha, gjyshe, kaq shumë…
Vdekjezeza s’pyeska për asgjë!
Dora dridhet, gjoksi dhimbjes shkundet.
Ti po fle nën këtë copëz vend.
Zemra s’mund të heshtë, loti s’mundet,
të mos bjerë përmbi varrin tënd.
Njëqind rrudha vitet ty të lane!
Njërën, sigurisht, ta gdhenda unë.
Ndjej sërish urimin tënd të bardhë:
“Ju dyfish më rrofshi, o fatlumë!”