Një paradoks dhe çudi tjetër shqiptare: “68% të ujrave të shkëlqyera”, edhe pas 78 vjetësh pa ujë të pijshëm nëpër shtëpira!
Dje, në disa media televizive dhe sot, në ato të shkruara, të Tiranës, u përhap me eufori, gati si fitore qeveritare, shoqëruar edhe me fotografi nga liqene e lumenj, informacioni se rreth 68% e ujërave të Shqipërisë, janë të pastra apo, sipas tekstit të Agjensisë Europiane të Mjedisit, “të shkëlqyera”! Për këtë bamirësi apo meritë natyrore, Shqipëria renditet e 25- ta në Europë! Natyrisht nga ky lajm ne shqiptarët kemi të drejtë edhe të gëzohemi, edhe të tronditemi dhe revoltohemi…! Dy ndjesitë e fundit janë rrjedhojë e faktit se sot e kësaj dite, pra më 8 qershor 2022, pas rreth 65 vjetësh qeverisjesh “bio” komunisto- socialiste dhe pas 13 vjetësh ( 5 herë më pak) qeverisje nga PD dhe e djathta, jo “bio”, me pushtetin ekonomik në duart e “të majtës”, as në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnje, Fier, Berat, Vlorë…Lezhë, Shkodër…nuk ka ujë për larje e jo më për të pirë, as rreth 4- 8 orë në ditë! Shumica e shqiptarëve, nga 10 deri në 80 vjeç e dinë mirë se kjo mungesë e madhe jetike dhe higjene, është rrjedhojë e kujdesit të pakët dhe vakët nga pushteti apo qeverisjet qendrore dhe lokale! ZOTI dhe natyra janë treguar tejet bujarë me ne shqiptarët edhe për pasuritë e mëdha ujore, ashtu edhe si për ato nën dhe mbitokësore. Por, ne shqiptarët, domethënë qeverisjet dhe pushtetarët, që “kemi nxjerrë me votat tona”, nuk i kemi vlerësuar, mbrojtur dhe shfrytëzuar sa dhe si duhet këto pasuri. Pra, edhe më SHQIP, nuk kemi dashur dhe ditur t’i vëmë në dobi të një jete sa më me pak mungesa të përditshme jetike dhe me sa më shumë begati, higjenë, kulturë…!? Paradoksi thellohet dhe zmadhohet kur kujtojmë se edhe pse paskemi me bollëk ujë të pijshëm, përsëri shishet me ujë 05, 1, 1.5, 2, 5, 10…litra, i blejmë edhe më shtrenjtë se gjermanët. Sot nëpër supermarketet e Gjermanisë, me paga e pensione 5- 10 herë më të larta se tek ne dhe me mbështetje sociale të lartë e të vazhdueshme, një shishe 1.5 litra me ujë të pijshëm, shitet 10- 15 cent ose 12- 20 lekë, ndërsa në Shqipëri 50- 60 lekë, pra trefish më shumë.
Kjo pasuri e madhe me ujëra lidhet edhe me prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike. Edhe për këtë, pas 78 (65) vitesh qeverisje nga PKSH-PPSH-PSSH- Rama- Rilindja…, kemi ndërprerje të shpeshta dhe me ditë e orë të tëra të energjisë elektrike për konsum familjar, administrativ, shkollor, kulturor, bisnesi…Për propagandë, sa qe gjallë diktatori Enver Hoxha, kryem “elektrifikimin e plotë të vendit”. Por, edhe kjo, si shumica, atëherë dhe sot, më 8 qershor 2022, është një “fitore historike” në faqe gazetash, në ekrane televizorësh dhe mikrofonë radiosh….Në shumë qytete, bile edhe në Tiranë dhe fshatrat e thellë të saj, në qyteza e krahina të largëta, edhe të bastioneve 81 vjeçare të së majtës, si Vlora, Skrapari, Tepelena, Gjirokastra, Saranda, Berati, Fieri, Lushnja, Librazhdi…, edhe këto ditë ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, shumica të paparalajmëruara…!!!??? Këto janë përjetuar edhe në fillim të këtij sezoni turistik në Himarë, Orikum, Divjakë, Kavajë, Lezhë, Shëngjin, Velipojë, Pogradec…
Fajtorët dhe përgjegjësit e vdekur për këtë gjëmë, që i është bërë vendit dhe popullit, edhe me pasuritë ujore dhe ujin e pijshëm, i kanë shpëtuar ndëshkimit moral e ligjor mbi tokë… Ndërsa shumica e atyre të gjallë janë akoma në ekipe politike dhe të qeverisjes qendrore dhe vendore, përreth Edi Ramës. Merret me mend se edhe këta meritonin e meritojnë ndëshkim moral, qytetar, politik, juridik, elektoral…! Po, cilët t’i ndëshkojnë? Të vdekurit në varreza apo “të vdekurit e gjallë” nëpër shtëpira, kafenera, nëpër stola lulishtesh, nëpër rërën dhe detin e plazheve, para ekraneve të televizorëve duke parë seriale turke, ndeshje futbolli…Por, edhe jargavitjet e Ramës me shokë e shoqe, për të mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët se e kanë bërë Shqipërinë “histori suksesi”. Edhe fëmijët e të verbërit e shikojnë se në të vërtetë e kanë bërë histori masive varfërie, emigracioni masiv, braktisje, kullëzimi mbi gërmadhat e objekteve të trashëgimisë, kulturore, historisë, identifikimit kombëtar…;kanibizimi, korrupsioni, kriminaliteti, prostitucioni ordiner dhe politik…! Vetëm shumica e popullit enveristo- edramist “nuk i shikon” dhe pranon shqiptarisht këto gjëma, keqtrajtime, persekutime, shpërdorime djerse, gjaku, dëshirash njerëzore, pasurie, vote, që u ka bërë partia, qeveritarët dhe pushtetarët e zemrës, edhe atyre, si pjesë e popullit, qysh nga 29 nëntori 1944. Po keqardhje për vetveten si individë e familje dhe turp para bashkatdhetarëve dhe ndërkombëtarëve a ndjejnë???