…Unë dhe të tjerë që kemi kurajë apo burrëri t’i kritikojmë publikisht për gabime që janë sheshit, i duam më shumë e më me sinqeritet PD dhe Berishën se ata që u fërkojnë shpatullat dhe i shtyjnë të thellohen në gabime të vjetra e të bëjnë të reja!
E kuptoj se në shkrimet e mia të këtyre muajve të fundit, sidomos referuar zhvillimeve në gjirin e PD-së, në parlament dhe skandaleve në radhët e Rama- qeverisjes si tufë apo ekip e në figurat e saj më kryesore dhe më identifikuese, disa berishianëve fanatikë apo të përjetshëm, ngjashëm si disa enverianëve dhe edramistëve, nuk u kanë pëlqyer e nuk u pëlqejnë kritikat e mia sy më sy e dashamirëse ndaj BERISHËS. Më hapur i kanë shprehur mos pëlqimet apo kundërshtitë lidhur me kurajën time për ta kritikuar liderin e tyre të zemrës për idenë dhe strategjinë e tij të “protestave paqësore, nga 1-2 në muaj dhe me zgjatje 2-3 orëshe, me sloganin e afrimit pa afat dhe pa u kuptuar saktë se kur do të vinte, “të kilometrit të fundit”. Edhe mbingarkuar më shumë me fjalime, parrulla, pankarta, sharje…. se sa me veprime…, siç ndodhi edhe më 12 mars 2026. Këtë ditë PD-opozita humbi nëpër duart e saj shansin për një protestë brenda sallës së parlamentit dhe për bllokimin e farsës së votimit të 82-83 kukullave, kartonëve, koneve të Rama-Ballukut- Niko Peleshit- Taulant Ballës…Nënkuptueshëm duke i lënë radhën një proteste të re, si të qëmotit…!
Nuk i keqkuptoj miqtë e mi berishianë dhe DEMOKRATË idealistë për pasjen e mendimeve ndryshe me mua. Por, gjykoj se berishianizmi i flaktë, fanatik apo “i verbër”, i pengon të kuptojnë sinqeritetin, saktësinë, drejtësinë, arsyeshmërinë,, dobishmërinë e shumicës së rezervave, vërejtjeve, këshillave, kritikave të mia! Për më tepër, kur apo edhe pse nuk janë vetëm individuale e subjektive, por të shumë mendjeve dhe zemrave të DEMOKRATËVE dhe OPOZITARËVE, që ashtu si unë, më shumë se për PD dhe për Sali Beishën mendojmë për SHQIPËRINË, KOMBIN; SHQIPTARËT, DEMOKRACINË…, duke pasur dëshirë të parë rrëzimin e qeverisjes së Edi Ramës me shoqe e shokë aspak për SHQIPËI, PS, ideal…, po për vese, korrupsion, të këqija e për kokë!
Deri tani u jam përgjigjur me qetësi dhe korrektesë, pa i fyer, pa u kujtuar edhe distancën që na ndan për nga formimi arsimor, kulturor, intelektual; nga sasia apo volumi i krijimtarisë publicistike, letraro-artistike; i karrierës diplomatike…Edhe nga angazhimi në gjirin e PD-së dhe kontributi në dobi të saj…Pas opinionit të botuar në “Panorama” më 23 shkurt 2026 dhe futjes së tij në faqen time në facebook, një mik i imi i hershëm, “berishian i pashërueshëm” prej rreth 25 vitesh emigrant në SHBA , duke iu referuar rezervave dhe vërejtjeve të mia ndaj strategjisë së Berishës për “protestat paqësore”, më bëri thirrje që “të lë mënjanë laptopin e të vihem në radhë pas Berishës në protestë”. Domethënë, në protestën e radhës së gjatë, të cilës nuk i dihet fundi!? Pasi ia ktheva miqësisht se do ta plotësoja këshillën e tij, kur të vinte edhe ai nga AMERIKA e të shkonim të dy në protestë, u detyrova ti kujtoj disa hollësira, që nuk kisha ndërmend ti bëja publike dhe i kam mbajtur “sekrete” prej rreth 35 vitesh. Kështu, i kujtova se jam afo79 vjeç, me diplomë dhe me karrierë 55 vjeçare si gazetar! Kam qenë e jam në frontin tim si QYTETAR, si INTELEKTUAL, si GAZETAR, jo në protesta klasike, por mediatike e thuajse të përditshme! Deri në qershor 2006, edhe me detyrat e zv. kryeredaktorit e të kryeredaktorit në RD dhe 55 si dhe të analistit politik në të gjitha gazetat në Shqipëri e Kosovë, me përjashtim të ZP-së. Në shkurt 2026 janë bërë rreth 2500 analiza e komente, shumica të reklamuara në f.1 të tyre, në mbështetje të PD e të djathtës! Pa mbivlerësim të vetes, mbështetur tek vlerësimet pozitive të mijëra lexuesve që kam në Shqipëri, Kosovë, Diasporë, më jepet e drejtë apo arsye të mendoj se “e kam bërë mirë punën dhe protestën time”.
Nga 10 marsi deri në 31 maj 1997, krahas detyrës së drejtorit në MPJ kreva edhe detyrën e kryeredaktorit të RD, sepse në ato ditë kritike apo jetike, gazetën dhe Berishën e braktisën shumica e gazetarëve të atëhershëm! Disa prej këtyre, ashtu edhe si disa politikanë dhe ish drejtues të PD-së, një pjese të të cilëve ua dinte mirë edhe pseudonimet në dosjet e Sigurimit, ai, si zemërbutë dhe tolerant, i pranoi, kur u kthyen si të penduar dhe u rifali poste në parti dhe në qeverisje (2005-2013!?
Disa i ka në krahë edhe sot e kësaj dite, kuptohet, ndonjëri, duke iu lëpirë para syve dhe duke e përfolur pas kurrizit, pa ia kursyer edhe epitetin “maloku”…!?
Po ata, që nuk kanë dijeni për vitet e parë të mi në mbështetje të PD-së dhe të DEMOKACISË, nënkuptohet edhe të Berishës, ku ishin më 1991-1992; në kulmin e revolucionit komunist e zancaushist të 1997- tës; në vitet 2000-2005, kur mua në zyrën e kryeredaktorit në qendër të Tiranës, në katin e dytë të ish godinës se revistës “HOSTENI” më fluturonin mbi kokë plumbat e banditëve socialistë dhe më vinin kërcënime me gojë e me shkrim për artikujt që botoja në RD, 55, ALBANIA, DITA, SOT, METROPOL, “GAZETA SHQIPTAE”, “Panorama”, “Telegraf”, “BOTA SOT”,…?
Një pjesë i hipën anijeve dhe avionëve si emigrantë për në Itali, Austri, Zvicër, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë, Kanada, SHBA…Një pjesë, pasi morën pronat e trashëguara nga gjyshërit dhe baballarët apo njerëzit e krushqive, hapën biznese private… Në këto kushte, nuk ia kishin më nevojën PD-së…As të kujtoheshin për çka fituan prej saj apo ia kishin borxh!? Një pjesë gjeten vende pune edhe në administratën e “vëllezërve” socialistë…!?
Edhe një kujtesë: ta kritikosh publikisht, në gazeta, Sali Berishën, kryesisht në “Panorama”, “telegraf”, “BOTA SOT”, facebook…, pasi nuk ia ke mohuar asnjëherë e po në shumë shkrime të botuar meritat, pra ta analizosh pa e idealizuar dhe mitizuar për meritat dhe denigruar dhe nxirë krejt për gabimet dhe dështimet, pa u bashkuar në korin e korbave dhe sorrave që përhapin sloganin absurd e qesharak “të gjitha fajet( edhe ato të Enverit, Ramizit, Fatosit, Edit…) i ka Berisha”, është shumë më demokratike dhe e dobishme se sa ta lëpish dhe te mos e kritikosh, kur gabimet e tij janë sheshit. Për më tepër e më keq, e kanë sjellë PD dhe opozitën në këtë gjendje! Edhe më SHQIP: ata që mbyllin sy, veshë, gojë… ndaj gabimeve të tij, me vetëdije ose pa dashje, e shtyjnë të vazhdojë gabimet e vjetra e të bëjë të reja!
Po e përsëris: ta kritikosh publikisht, në gazeta Berishën, kur mund të mendohet se i lexon edhe ai, i bën vetëm mirë, sepse i tregon gabimet që e kanë sjellë atë individualisht dhe institucionalisht, PD dhe opozitën në këtë gjendje kritike dhe e ndihmon ti korrigjojë, në mos të gjitha, shumicën për të cilën është i bindur dhe ka mundësi! Pra, fare SHQIP: Unë dhe të tjerë që kemi kurajë apo burrëri t’i kritikojmë publikisht për gabime që janë sheshit, i duam më shumë e më me sinqeritet PD dhe Berishën se ata që u fërkojnë shpatullat dhe i shtyjnë të thellohen në gabime të vjetra e të bëjnë të reja!
Për saktësi dhe sinqeritet, unë jam shpërblyer shumë më pak se sa i kam dhënë PD- së! Jo vetëm me mua, PD ka treguar se ka dy defekte apo mungesa të mëdha: harresën dhe mosmirënjohjen! Po kujtoj vetëm një fakt, që gjykoj se është shumë shprehës për argumentimin e opinionit tim. Mua, ish kryeredaktorin e RD më 1997, PD më nxori në pension më 27 maj 2012, ditën e 65 vjetorit, ndërsa mbajti në MPJ disa vite më shumë 5 ish drejtues dhe gazetarë të ZP!? Kur e vura në dijeni për këtë Berishën, me letër dhe bisedë telefonike, duke i kujtuar se për të marrë pension te plotë 35 vjeçar, më duheshin edhe dy vjet punë e siguracione, u justifikua me vkm që kishte nxjerrë, domethënë që ishte me fuqi vepruese vetëm ndaj meje! Me këtë vendim të kryeministrit të partisë sime, duke pasur 33 vjet punë dhe siguracione, pasi nga 1997-2006 mbeta pa punë zyrtare, dola në pension me 2.000 lekë të reja në muaj ose 24.000 lekë në vit më pak!? Llogarisni tani se sa kam humbu nga partia ime dhe nga ish kryeministri im gjatë 13 viteve!
Natyrisht u ndjeva i fyer, por nuk i mbajta dhe nuk i mbaj mëri PD, duke vazhduar ta mbështesja për ideal deri më 23 shkurt 2026, në gazetën “Panorama!! Po këta qindra shkrime në mbështetje të PD, me disa kritika të drejta dhe dashamirëse ndaj saj dhe me topa ndaj PS, nuk janë kontribut nga ana ime për PD? Për më tepër, kur për rrethana jetësore, një pensioni relativisht të mirë dhe pasjes së dy fëmijëve me familje me punë dhe të ardhura të mira në një vend të Europës Perëndimore, nuk kam asnjë interes dhe pritshmëri nga një rotacion politik dhe qeverisës në Shqipëri! Apo, kontributi im do të ishte më i madh nëse do të veproja, siç predikojnë berishianët e flaktë? Domethënë, duke mos i kujtuar liderit të tyre historik edhe ca gabime dhe dështime historike si dhe ca veprime që e shtyjnë rrëzimin e Rama-qeverisjes për në…kalendat greke…?!


















