Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: 80 Vjet dritë dijeje në Hingë

Tetëdhjetë vjet më parë, në zemër të fshatit Hingë të Bashkisë Dimal u ndez një dritë që nuk do të shuhej më: Drita e dijes. Çelja e shkollës në këtë fshat 80 vjet më parë, nuk ishte vetëm hapja e një dhomëze  të thjeshtë mësimi, sajuar nga bujaria e bashkëfshatarit zemërbardhë  Shahin Belishakut; ishte një hap i madh drejt përparimit, një premtim për të ardhmen dhe një shpresë për brezat që do të vinin.

Autori i librit, Hajri Hima, faqe pas faqeje shpalos kujtimet e tij për shkollën ku mësoi abc-në, duke kërkuar për t’i thënë të tëra ato çka fshihen në zemrën e tij këtu e 80 vjet të shkuara. Në vitet e para, kushtet ishin të thjeshta. Bankat mund të kenë qenë të pakta, librat të rrallë dhe mjedisi ku zhvillohej mësimi shumë modest. Por ajo që nuk mungonte ishte dëshira për të mësuar dhe përkushtimi i mësuesve që e panë arsimin si mision. Ata ishin pishtarët e parë të dijes, njerëz që me sakrifica dhe dashuri për dijen u përpoqën të ndriçonin mendjet e fëmijëve të fshatit Hingë.

NOA

Është vendi të përmendim me nderim e përulje të gjithë mësuesit, por në mënyrë të veçantë drejtuesit e shkollës, të cilët lanë në harresë shtëpitë e tyre për të mbajtur e nderuar  emrin e shkollës, kryeshtëpinë e fshatit Hingë. Ata emra, një pjesë e të cilëve prehen të qetë për punët e mira që lanë pas, po i sjellim këtu jo sipas kontributit, por vetëm për faktin  se që të gjithë meritojnë të mbeten monumente të mermetra të fshatit Hingë; Petrit Leskoviku, Sport Kuçova, Andrea Ziu, Gentian Toska, Vullnet Jusuatin, Bilbil Toska, Mirjeta Bendo, Arlinda Xhelo, Alket Shehu, Esmeralda Zoto, Sulejman Bega, Kujtim Agalliu, Petrit Mara, Raqi Boro, Mjaftim Hoxha, Neim Hima, Agron Xhelali, Lirie Stavre. Klajdi Skrapi, Lavdërim Durdaj, Edlira Toska, Gladida Shkreli, Lindita Ibro, Esmeralda Zoto etj. Ja këta ishin dhe mbetën arkitektët e formimit të karaktereve të djemve e vajzave të Hingës, të cilët më pas do të bëheshin arkitektë nw sektorët ku i drejtoi jeta.

Në ato klasa të vogla u rritën breza të tërë nxënësish. Djem dhe vajza që më pas u bënë mësues, agronomë, inxhinierë, mjekë, punëtorë të ndershëm e qytetarë të respektuar. Shkolla e Hingës nuk ishte vetëm një vend ku mësohej të lexohe e të shkruhej; ajo ishte një vatër edukimi, ku formoheshin karaktere dhe ku mbillej dashuria për vendin dhe për punën.

Gjatë këtyre tetë dekadave, shkolla ka kaluar nëpër shumë etapa. Ajo ka parë ndryshime kohësh, programesh dhe brezash. Megjithatë, një gjë ka mbetur e pandryshuar: roli i saj si qendër e dijes dhe e kulturës për komunitetin e Hingës.

Sot, kur përkujtojmë 80-vjetorin e saj, nuk kujtojmë vetëm një datë historike. Kujtojmë mësuesit, që dhanë shpirtin në arsim, nxënësit që mbushën klasat me zëra dhe ëndrra, si dhe prindërit që besuan se arsimi është rruga më e sigurt drejt një jete më të mirë.

Ky përvjetor është një moment krenarie për gjithë banorët e Hingës. Ai është një dëshmi se arsimi ka qenë dhe mbetet themeli i zhvillimit të një shoqërie. Shkolla që u hap para 80 vitesh vazhdon të jetojë në kujtesën e brezave dhe në vlerat që ajo ka përcjellë.

Le të shërbejë ky jubile si një kujtesë se drita e dijes duhet të ruhet dhe të forcohet gjithmonë.

Sepse aty ku ka shkollë, ka shpresë; aty ku ka dije, ka të ardhme. Historia e 80-vjetorit  i shkollës së Hingës, është një histori e bukur përkushtimi, arsimi dhe dashurie për dijen.