Xhevahir Spahiu – xhevahiri i letërsisë shqipe

1009
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta çmon poetin e shquar me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që I bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie. Poezia “Dallëndyshja e fëmijërisë” – Lirinë e tjetrit mos e prek

Kreu i Shtetit, çmon poetin e shquar Xhevahir Spahiu me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: Xhevahiri i letërsisë shqipe!

Presidenti i Republikës   Ilir Meta : “Xhevahir Spahiu – xhevahiri i letërsisë shqipe.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta çmoi Xhevahir Spahiun në ditëlindjen e tij të 75-të me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: ““Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”. Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Kreut të Shtetit, mes të cilëve ishin Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë, artistë, poetë, shkrimtarë, muzikantë, kompozitorë, gazetarë dhe politikanë, Presidenti Meta nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e njërës prej figurave më të spikatura jo vetëm të poezisë shqipe, por edhe të jetës artistike dhe sociale.

Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që i bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie.

Ceremonia e sotme është e veçantë dhe shumë emocionuese edhe për mua personalisht, si President i Republikës, por edhe si lexues i vëmendshëm e gjithnjë i dedikuar, edhe si mik i Xhevahir Spahiut, i Xhevos tonë, siç jemi mësuar t’i drejtohemi të gjithë ne, miqtë, dhe familja e tij. Të tillë këtë ceremoni e bën emri dhe vepra e Xhevahir Spahiut, pazgjidhshmërisht të lidhura e të bëra një, e tipikisht të spikatura në botën e letrave shqiptare, përmes një individualiteti të konturuar si i tillë qysh prej fillimeve, e të përveçuar qartë e bindshëm përmes krijimtarisë së tij të pasur, të larmishme e të veçantë si vetë jeta e poetit. Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që i bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie. Ai bëri emër në një kohë të vështirë. Xhevahiri ka jetuar si qytetar i denjë i këtij vendi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Ai bashkoi në artin e tij protestën e të indinjuarit, frymëzimin e novatorit, mirësitë naimiane. Kur të bëhet një histori e vërtetë e publicistikës shqiptare, Xhevahir Spahiu do të jetë në krye të vendit si reporter, prej të cilit gazetarët e sotëm të Shqipërisë, që e kapërcejnë Unazën e Tiranës vetëm kur ka zgjedhje, do të ndihen kokëulur. Kur të shkruhet një histori e poezisë militante, por jo për motive ideologjike: nje poezi militante si e Migjenit, prapë Xhevahir Spahiu do të jetë në vendin e nderit. Kur të kemi një histori të dukurive letrare që ndodhën në vitet 1970, sërish Xhevahiri ynë, Xhevahiri i letërsisë shqipe, do të jetë një emër i pazëvendësueshëm. Tek Xhevahir Spahiu, tek poezia e tij, janë shartuar Jugu e Veriu, Malindi dhe Skrapari e po aq edhe Vlora e Kosova, deti e Bjeshkët e Namura, Naimi e Migjeni, vargu i popullit e këngët e Demir Zykos dhe teknikat e Zhak Preverit, intuita dhe leximi, gjuha e vendlindjes, vetëdija e metropolit, dashuria për njeriun dhe krenaria kombëtare. Kryelartë Xhevahir Spahiu, sfidat i pranoi si sfida dhe dorashkën e hodhi duke qenë gjithnjë sfidant i kohës së vet. Poeti që guxoi të shtjerë në dritë të vetëtimës; poeti që guxoi të ecë në teh të briskut, poeti që nuk njohu kurrë lajka, mite dhe mbase as perëndi, sot merr një nderim që rrallëkush si ai e meriton.

‘Dil sa pa rënë nata e gjatë,

Sa pa të marrë harrimi osh,

Në këtë botë të pamatë,

Të rrosh, përkthehet të luftosh!’ – shkruan Xhevahir Spahiu në njërën prej poezive të veta.

Ai ia ka dalë të luftojë e të fitojë, duke qenë ndër ne një model e një referencë fitimtari e krenarie!

Faleminderit për gjithçka Xhevahir Spahiu! Nderim, mirënjohje dhe jetë të gjatë xhevahir i përjetshëm në panteonin e kulturës sonë kombëtare!” – u shpreh Presidenti i Republikës.

 

DALLËNDYSHJA E FËMIJËRISË

 

Matanë dritares dallëndyshet

lodrojnë, cijasin pa pushim.

Unë i shikoj dhe sjell ndër mend

një fshat të largët, një kujtim…

 

Në degë të arrës, buzë një lëmi,

një dallëndyshe befas pashë:

nuk di përse…mora një gur

dhe dallëndyshes unë i rashë.

 

U drodh, u tremb, u shemb përdhe

si yll i fikur zogu i shkretë,

në duart e mia pëpëlitej

me krah të thyer e pa jetë.

 

-Tani, – tha gjyshe Fatimeja,-

prit kur të thahet krahu yt…

Një pikë loti lagu pendët,

një tjetër m’u bë lëmsh në fyt.

 

Ia lidhi krahun flokëbardha,

u shua dhimbja pak nga pak;

dritarja…qielli…cicërimat

dhe dallëndyshja iku larg…

 

Atje ku hapej kaltërsia

e pritnin shoqet zemër ngrirë

ju bisht gërshëra balerina

hidhni valle në hapësirë

 

Sa here i shoh tek fluturojnë

dhe krahu i njërës, tjetrën ndjek

më vjen ndërmend një fjalë e gjyshes

lirinë e tjetrit mos e prek.