Ngacmimet seksuale në shkolla, ministrja ”akuzon” Fiksin dhe Stopin

481
Sigal

Në Kongresin e Partisë Socialiste, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, u ndal te ngacmimi me bazë gjinore, që gruaja e has kudo, në rrugë, në punë, në universitet. Pikërisht këtu, ajo iu referua rasteve të ngacmimeve seksuale në shkolla dhe trajtimit që iu bëhet nëpër emisione ku denoncohen, pra në emisionet investigative.

”Gruaja dhe vajza sot ka filluar të fitojë kurajon për të denoncuar ngacmimet dhe abuzimet ndaj saj. Kurajo, të cilën media patriarkale po e ngulfat duke marrë raste sporadike të këtyre denoncimeve. Në vend që t’i trajtojë me ndjeshmëri, shkon i nxjerr në emisione ku gra të reja dhe të zhveshura vallëzojnë para burrave gazetarë, të cilët spekulojnë me javë për detajet e abuzimeve, vetëm e vetëm për të tërhequr shikueshmëri për mediumin ku transmetojnë emisionin”.

Ministrja aludoi se gazetarët ndoshta edhe ngacmojnë trupat e grave të reja. ”Nuk janë as të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre kur gjoja brengosen për ngacmime seksuale, ndërsa objektifikojnë, dhe ndoshta edhe ngacmojnë, trupat e grave të reja të cilat i detyrojnë të vallëzojnë në emision”. Dy raste tronditëse janë bërë publike në media. Në një shkollë artistike në Fier u bënë publike nga “Stop” në Tv Klan. Megjithatë raste të abuzimeve seksuale nëpër shkolla apo shtëpi fëmije ka bërë publike edhe “Fiks Fare” në Top Channel.