Edhe “Rindërtimi” në SPAK, përfituan kompani të themeluara nga ish- kryebashkiakë, të lidhura me deputetë dhe me të dënuar për trafik ndërkombëtar

45

“Mes emrave të shoqërive përfituese edhe “kompani të themeluara nga ish- kryebashkiakë, lidhje me deputetë, lidhje me të dënuar për trafik ndërkombëtar, që fituan nga rindërtimi.”

Sigal

Drejtoresha ekzekutive e “Open Data Albania”, Aranita Brahaj,- tha të enjten përmes disa reagimeve: “Rindërtimi tashmë në SPAK – kallëzimi i PD për Ramën dhe Veliaj për pastrim parash” dhe në vazhdim, ka publikuar emrat e shoqërive përfituese ku nënvizon se bëhet fjalë për “kompani të themeluara nga ish- kryebashkiakë, lidhje me deputetë, lidhje me të dënuar për trafik ndërkombëtar.”  Procedura për kontraktim, – shkruan Brahaj, – për Programin e Rindërtimit, është bërë në bazë të një ligji të ndryshëm nga legjislacioni normal për prokurimet. Procedurat janë të gjitha të kufizuara, pa garë të hapur me bazë ligjore Akt Normativ me fuqinë e Ligjit nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 97/2019, bazë ligjore e kundërshtuar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Bashkitë kanë kontraktuar për Programin e Rindërtimit deri në prill 2023 total 59.08 miliardë lekë, ndërsa Fondi Shqiptar për Zhvillim vlerën 32.76 miliardë. 22% e vlerave të kontratave të Rindërtimit janë fituar nga 10 “Big Bizneset” e para në renditje. Tridhjetë të parët kanë marrë 42% të vlerës. Sipas Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, renditja e bizneseve ‘big’ të rindërtimit është:

“Bashkitë kanë kontraktuar për Programin e Rindërtimit deri në prill 2023 total 59.08 miliardë lekë, ndërsa Fondi Shqiptar për Zhvillim vlerën 32.76 miliardë. 22% e vlerave të kontratave të Rindërtimit janë fituar nga 10 “Big Bizneset”

  1. I pari në renditje sipas vlerës, Bashkimi i Operatorëve BOT, me katër biznese, kryesuar nga shoqëria Kevin Construcion. Pjesë e bashkimit të operatorëve janë edhe Company Riviera 2008, Mela shpk dhe Pepa Group. Bashkimi i Operatorëve drejtuar nga Kevin Construction ka fituar dy kontrata Minikonkursesh me vlerë total prej 3 777 430 000 lekë (tre miliard e shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë milion e katërqind e tridhjetë mijë). Kontraktor në dy rastet është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Secila nga shoqëritë në këtë bashkim operatorësh ka edhe të tjera kontrata nga Programi i Rindërtimit, si operator i vetëm pa bashkëpunim, apo në bashkëpunime të tjera. Kjo shoqëri është themeluar nga Kryebashkiaku i Kukësit zoti Safet Gjici.
  2. Në vendin e dytë është përsëri një bashkim operatorësh me Ante Group dhe Ferro Beton & Constuction Co. Ky bashkim operatorësh ka fituar katër kontrata nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë totale 2 413 537 343 (dy miliard e katërqind e trembëdhjetë milion e pesëqind e tridhjetë e shtatë mijë e treqind e dyzet e katër) lekë. Gjithsej kompania Ante Group është pjesë edhe e 9-të (BOE) bashkimeve të tjera me operatorë ekonomik me vlerë ofertuese të suksesshme totale 3.59 miliard lekë. Ndërkohë, Ferro Beton ka pasur edhe 3 bashkëpunime të tjera në kuadër të programit të rindërtimit me vlerë totale 1.28 miliard lekë.
  3. Gjikuria e vetme renditet në vendin e tretë si operator i suksesshëm me vlerë totale 2 337 904 249 lekë (rreth dy miliard e treqind e tridhjetë e tetë milon lekë). Këto kontraktime janë kryesisht me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, përkatësisht 5 të tilla me vlerë 2.26 miliard, si dhe një tender me Bashkinë Tiranë me vlerë 77.8 milion lekë. Si bashkim Operatorësh me kompani të tjera Gjikuria dhe operatorët pjesë e bashkëpunimit kanë përfituar tendera së bashku në vlerë 599 milion lekë.
  4. Po përsëri kompani e vetme, G.P.G. Company renditet e katërta për operator të suksesshëm të Programit të Rindërtimit me vlerë totale të tenderuar 2 027 584 558 (rreth 2 miliard e 30 milion) lekë. Ky operator ka përfituar 2 kontrata me Fondin, për rindërtim pallatesh në Krujë dhe Shijak. Gjithashtu, ka përfituar 3 kontrata me bashkitë, përkatësisht një me Bashkinë Durrës, një me Bashkinë Lezhë, dhe një me bashkinë Kurbin për rindërtim shkolle. Po ashtu kompania G.P.G ka përfituar edhe tendera të tjerë si bashkim operatorësh në vlerë 3.04 miliard lekë (total BO ku është pjesë G.P.G).
  5. Salillari renditet i pesti si operatori më i suksesshëm i programit të rindërtimit me vlerë 1.99 miliard lekë. Kjo shoqëri ka një kontratë me FSHZH për rindërtim në bashkinë Vorë dhe 2 kontrata me Bashkinë Tiranë për zonën e 5 majit dhe zonën zhvillimore Kombinat. Operatori Salillari ka përfituar tendera edhe si bashkim operatorësh në vlerë së bashku 181 milion lekë.

“Aktualisht rezultojnë procedura të finalizuara me njoftim fituesi apo lidhje kontrate për Programin e Rindërtimit në vlerën 91.85 miliard lekë, nga të cilat 59.1 miliard lekë përmes bashkive dhe 32.7 miliard lekë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.”

Programi i Rindërtimit është një Program i Qeverisë Shqiptare, iniciuar pas Tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Ky Program parashikon ndërtime të reja dhe Rikonstruksione të objekteve për banim dhe infrastrukturës urbane pas vlerësimit të dëmeve për shkak të Tërmetit. Qeveria Shqiptare organizoi në bashkëpunim me Partnerët në datën 17 shkurt 2020 një Konferencë Donatorësh në Bruksel, ku deklaroi nevojën për të garantuar një ndihmë prej 1.15 bilion Euro nga dhurime, asistenca, grante dhe kredi të buta. Ndihma e huaj në disa raste u karakterizua me pezullime dhe ndërprerje për shkak të krizës së Pandemisë që përfshiu mbarë botën në vitin 2020. Aktualisht rezultojnë procedura të finalizuara me njoftim fituesi apo lidhje kontrate për Programin e Rindërtimit në vlerën 91.85 miliard lekë, nga të cilat 59.1 miliard lekë përmes bashkive dhe 32.7 miliard lekë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.