Nga Besart Xhaferri
Bllokimi nga Tajlanda dhe Kina i 215 kontejnerëve me mbetje toksike e ekspozuan Shqipërinë si vendin ku tonelatat me mbetje të rrezikshme industriale ngarkohen e shkarkohen në porte si të ishte tokë pa zot.
Kjo është e krejt e pamundur të ndodhë pa bekim qeveritar, ashtu siç ishte e pamundur të bëje kontrabandë cigaresh me mafien italiane përpara vitit 1990 nëse leja nuk ishte dhënë nga Tirana Zyrtare.
Nuk mund të ngarkohen tonelata me mbetje industriale në portin më të madh të vendit pa dijeninë e strukturave të Policisë Kufitare, të Drejtorisë së Doganave, të strukturave të sigurisë së portit si dhe pa dijeninë e Policisë Shtetit dhe SHISH që sigurinë në porte e kanë në top listën e prioriteteve.
Kjo sasi e mbetjeve toksike e bllokuar në Tajlandë dhe Kinë në përfundim të hetimeve nga autoritetet përgjegjëse do të kthehet në territorin shqiptar dhe sot askush nuk e ka idenë se ku do jetë destinacioni final i këtyre mbetjeve.
Ministria e Mjedisit gënjeu zyrtarisht kur pronësinë e mbetjeve toksike ja faturoi një kompanie private, teksa Drejtoria e Doganave përgjigjet vetëm për 115 kontejnerët me mbetje toksike ta bllokuara në Kinë që sipas saj vijnë nga Kosova, por hesht për 100 kontejnerët me mbetje toksike të kapura në Tajlandë që kanë shkuar atje nga Shqipëria.
SPAK mesa duket ka vendosur të qëndrojë pasiv përballë këtij krimi intelektual, por qytetarët nuk do të bëjnë të njëjtën gjë.