Vendimi unifikues i gjykatës, diskriminim për ushtarakët

825
VENDIMI UNIFIKUES Nr.3/2016 I GJYKATËS TË LARTË BIE NDESH ME KUSHTETUTËN DHE DISA VENDIME TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Vendimi unifikues Nr.3/2016, bie ndesh me Kushtetutën dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat i ka vlerësuar me dy standarde, i ka përzgjedhur dhe ju është referuar në mënyrë selektive sikur të ishte palë me sigurimet shoqërore.
Kolegjet e Bashkuara në vijim të analizës gjyqësore kanë dalë në këto përfundime njësuese:
1. Pika 43: “Rillogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas nenit 29 i Ligjit nr.10142/2009, do të bëhet sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj, edhe në situatën kur kjo rillogaritje ul masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të njohur dhe caktuar më parë”.
2. Pika 45: “ Zbatimi i nenit 29 të Ligjit Nr.10142/2009 bën që të mos zbatohet ligji Nr.9418/2005, i ndryshuar me Ligjin Nr.9481/2006, për përfituesit që u ka lindur e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbim në kohën kur ky ligj ka qenë në fuqi”. 
Me këto njësime Gjykata e Lartë penalizon jo vetëm ushtarakët që janë në procese gjyqësore duke i kthyer në debitorë, por ju kundërvihet hapur dhe pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv,që në kuadrin e reformës të pensioneve kanë miratuar dy ligje të rëndësishme që lidhen edhe me pensionet e ushtarakëve. 
Ligji Nr.104/2014, dt. 31.07.2014 që ka ndryshuar ligjin Nr. 7703/1993, “Për sigurimet shoqërore” në nenin 32/1 thekson: “ 1. Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë ”. Pra reforma ka unifikuar faktin që pensionet përbëhen nga një bazë dhe nga një shtesë dhe ju ka hequr përfundimisht tavanin kufizues me synim që ai që ka derdhur kontribute më shumë të marrë një pension më të lartë. Gjykata e Lartë nuk bazohet në këto tre përcaktime të këtij ligji, por bën të kundërtën, “zeron” masën e bazës dhe shtesës të pensionit të parakohshëm dhe tenton të “ndërtojë” një tavan të ri antikushtetues e diskriminues, të “ligjërojë” pabarazinë dhe ta “kufizojë” masën e përgjithshme të pensionit të parakohshëm sa një pension maksimal në shkallë vendi, si për ata që kanë punuar 15 vjet dhe për ata që kanë punuar 30 vjet e më shumë, si për ata me grada të larta që kanë derdhur kontribute më shumë madhorë dhe për ata me grada më të ulëta dhe kanë derdhur kontribute më pak. 
Gjykata e Lartë në pikën 41 i referohet ligjit Nr.46/2016 për faljen e debitorëve, por në praktikë vepron në kundërshtim me frymën e këtij ligji. Kuvendi dhe qeveria korrigjuan një padrejtësi duke falur “detyrimet” antikushtetuese të ushtarakëve dhe po rikthejnë debitë e mbajtura padrejtësisht si rrjedhojë e zbatimit të keq të ligjit Nr.10142/2009, të ndryshuar me aktin normativ Nr.5/2010. Kurse Gjykata e Lartë me vendimin unifikues Nr.3/2016, ka vendosur, të kthejë në debitorë të gjithë ushtarakët që ju ka kthyer vendimet për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit. Ky vendim unifikues i lajthitur i Gjykatës të Lartë çon në përkeqësimin e situatës financiare të ushtarakëve dhe i shndërron ata në debitorë të rinj, me shuma që nuk mund ti shlyejnë dot, deri në vdekje. Nga ana tjetër të krijohet përshtypja sikur Gjykata e Lartë jeton në një planet tjetër, sepse qeveria eliminon “debitorët” me argumentin se është zbatuar keq ligji Nr.10142/2009 i ndryshuar, kurse Gjykata e Lartë tenton të krijojë përsëri debitorë të rinj, duke ju kundërvënë hapur Kuvendit dhe Qeverisë.
Vendimi unifikues Nr.3/2016, duhet kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese nga të gjitha shoqatat në bllok dhe nga çdo ushtarak në veçanti për çështjen e tij, sepse ky vendim dhe vendimet gjyqësore individuale që janë marrë në zbatim të tij, janë të pa bazuara në Kushtetutë dhe të pambështetura në ligj.
Këtë e vërtetojnë këto fakte dhe argumente ligjore kryesore:
1. Gjykata e Lartë ka anashkaluar dhe nuk ka marrë në konsideratë vendimin Nr. 33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka pasur objekt gjykimi ligjin Nr.10142/2009 dhe ka dalë në këto arsyetime të gabuara:
Gjykata e Lartë ka arsyetuar se ligji Nr.10142/2009, është i aplikueshëm dhe ka fuqi prapavepruese për rillogariten e pensioneve të caktuara më parë. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka pranuar se një marrëdhënie juridike rregullohet nga ligji që është në fuqi në momentin e lindjes së saj dhe ligji nuk ka fuqi prapavepruese, me përjashtim të ligjit penal favorizues. Në nenin 29/ 3 të Kushtetutës theksohet: “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”. Nga ky përcaktim del se ligji Nr.10142/2009, i ndryshuar dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.2/2013 nuk mund t’i shtrijnë efektet e tyre mbi marrëdhëniet juridike të ushtarakëve, që kanë lindur, para se këto akte të dilnin apo të hynin në fuqi.
Në pikat 1,2, 3 të nenit 29 parashikohet rillogaritja e pensioneve të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, vetëm për pensionet e njohura më parë, që janë llogaritur sipas dispozitave të ligjit Nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve”, të ndryshuar dhe ligji Nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Pensionet që janë fituar me gjyqe dhe si bazë ligjore kanë pasur, nenin 35 të ligjit Nr.9210/2004 “Për Statusin e Ushtarakut”, nenin 14 të ligjit Nr.9418/2005 apo nenin 2 të ligjit Nr.9481/2006,nuk janë më objekt i Nenit 29 të Ligjit 10142/2009, sepse vetë ky nen e përjashton këtë rillogaritje. Për këtë në pikën 2 të nenit 29, theksohet: “ Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet Nr.8087, datë 13.3.1996 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve”, të ndryshuar …” , në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten”. 
Gjykata e Lartë e ka lexuar mbrapsht dhe pikën 3 të nenit 29 ku përcaktohet: – … kur e drejta për përfitim ka lindur në harkun kohor 1.1.1999 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, por nuk është caktuar, llogariten sipas kritereve të këtij ligji -. Ligjvënësi në këtë pikë përdor termin “llogaritje” dhe jo “rillogaritje”. Pra ai detyron llogaritjen sipas nenit 29 vetëm të pensioneve që nuk janë caktuar akoma. Pensionet që janë caktuar para hyrjes në fuqi të ligjit Nr.10142/2009, nuk janë objekt llogaritje sipas kritereve të nenit 29 të ligjit 10142/2009. 
Gjykata e Lartë në vendimin unifikues vlerëson se: – Zbatimi me fuqi prapavepruese i nenit 29 është në përputhje me Kushtetutën, sikurse është vlerësuar edhe me Vendimin Nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese – dhe këtij vlerësimi” i ngjit” bishtin e vet antikushtetues duke shtuar se – ky nen zbatohet edhe nëse çon në përfitimin e një mase më të ulët të pensionit të parakohshëm -.
Gjykata e Lartë, qëllimisht shmang dhe anashkalon faktin që Gjykata Kushtetuese, në Vendimin Nr.33/2010, këtë interpretim pajtues e ka kushtëzuar me caktimin e këtyre kushteve detyruese:
Kushti që detyron bërjen e rillogaritjes: “Kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve”.
Kushti që nuk lejon bërjen e rillogaritjes: “Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara”.
Kushtet që rillogaritja e bërë sipas pikës 2 të nenit 29 të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën, janë:
Kushti i parë: “ Gjykata, bazuar në këtë interpretim pajtues, arrin në përfundimin se neni 29 i ligjit Nr. 10142, date 15.05.2009 është i pajtueshëm me Kushtetutën, me kusht që dispozitat e tij të interpretohen si më sipër”.
Kushti i dytë: “Asnjë interpretim tjetër i këtyre dispozitave nuk është i lejueshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe se mbrojtja e të drejtave të fituara nuk mund të arrihet në rast se dispozitave të kundërshtuara u jepet një kuptim tjetër”.
Gjykata Lartë ndodhur përballë këtyre kushteve, vlerësimeve dhe interpretimeve detyruese të Vendimit Nr.33, datë 24/10/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe në zbatim te Kushtetutës, ka qenë e detyruar të merrte një vendim unifikues në përputhje me të. Pensionet e fituara nga zbatimi i ligjit Nr.9210/2004 dhe ligjit Nr.9418/2005 të ndryshuar me ligjin Nr.9481/2006, nuk janë objekt i nenit 29 të ligjit Nr.10142/2009. Si rrjedhojë e këtyre shkeljeve njësimet unifikuese të Gjykatës të Lartë janë antikushtetuese sepse nuk e përmirësojnë situatën financiare, por e përkeqësojnë më rëndë se gjithë ligjet, duke cenuar të drejtën e fituar më parë.
2. Gjykata e Lartë ka shkelur piramidën hierarkike të normave juridike dhe nuk ka vendosur në bazë të situatës ligjore e faktike të aplikueshme në kohën e lindjes të së drejtës të pensioneve të parakohshëm.
Në pikën 24, thekson se ligjvënësi miratoi ligjin Nr.10142/2009 të ndryshuar, por nuk thotë asnjë fjalë që ky ligj bie ndesh me ligjin organik Nr.9210/2004” Për Statusin e Ushtarakut” në zbatim të të cilit ka dalë, sepse ndryshon skemën e llogaritjes, shkel hierarkinë e normave juridike dhe ka çuar në uljen drastike të pensioneve.
Ligji organik Nr.9210/2004 është pjesë e listës shteruese të nenit 81 të Kushtetutës dhe është miratuar me shumicë të cilësuar. Si i tillë atij nuk mund ti ndryshohet apo shfuqizohet asnjë nen nga ligji Nr.10142/2009 i ndryshuar, i cili është miratuar me shumicë të thjeshtë dhe ka dalë në zbatim të tij.
Gjykata Kushtetuese ka një praktikë të konsoliduar dhe është shprehur qartë disa herë për raportet ndërmjet ligjeve të zakonshëm me ligjet organikë dhe ka vlerësuar:
Në vendimin Nr.6, dt. 17.02.2012 shprehet se: “Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor”.
Në vendimin Nr.10, dt. 06.03.2014, shprehet se: “ ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por duhet treguar kujdes i veçantë që ato të mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike” dhe “Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të mëparshëm, të cilat kërkojnë”shumicë të cilësuar” , me “shumicë të thjeshtë ”.
Në vendimin Nr.29/2005 shprehet se: “…aktet juridike më të ulëta duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal ashtu dhe në atë material ”. 
Vendimi Nr.5, dt 05.02.2014, ka shpallur antikushtetues, aktin normativ Nr.5/2013, për ndryshimin e ligjit Nr.152/2013 “Për nëpunësin civil”, duke theksuar: “.. nuk duhet shkelur piramida hierarkike e normave juridike dhe nuk mund të ndërhyhet në një ligj organik(status), me një ligj të zakonshëm apo me një akt normativ..”.
Bazuar në këto vendime të Gjykatës Kushtetuese del se “shfuqizimet” dhe “ndryshimet” që i janë bërë ligjit organik Nr.9210/2004 “ Për Statusin e Ushtarakut”, nga ligji i thjeshtë Nr.10142/2009, i ndryshuar me aktin normativ Nr.5/2010 dhe njësimet që ka bërë Gjykata e Lartë duke i rikthyer fuqinë ligjore , ligjit të shfuqizuar Nr.8087/1996 përbëjnë një precedent të rëndë ligjor,ndaj këto “shfuqizime” dhe “ndryshime” nuk kanë vlerë ligjore,nuk mund të përdoren si argumente ligjorë, sepse ligjet Nr.8087/1996 dhe Nr.10142/ 2009 dhe aq më pak Gjykata e Lartë nuk kanë tagër dhe fuqi kushtetuese për shfuqizime apo ndryshime të ligjit organik Nr.9210/2004.
Nëse pranojmë arsyetimin e Gjykatës të Lartë se Ligjit 10142/2009 është i aplikueshëm dhe ka fuqi prapavepruese, ky ligj nuk mund të kuptohet interpretohet dhe zbatohet në kundërshtim me kushtet e rillogaritjes që përcaktohen në vendimin Nr.33/2010 të Gjykatës Kushtetuese, që trajtuam më sipër. Ky vendim ka shfuqizuar si antikushtetuese pikën 2 të nenit 14, me arsyetimin se: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik.” Pas këtij shfuqizimi, Gjykata e Lartë ka qenë e detyruar që rillogariten e pensioneve të parakohshme ta njësonte për ta bërë sipas nenit 13 dhe pikës 1 të nenit 14 të ligjit Nr.10142/2009, të cilët përputhen plotësisht me përmbajtjen e pikës 1 të nenit 35, të ligjit organik Nr.9210/2004.
3. Gjykata për marrjen e vendimit unifikues është bazuar vetëm në vendimin Nr.2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka respektuar burimet e të drejtës të pensionit të parakohshëm.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.2/2013, nuk mund ti shtrijë efektet mbi të drejtat që kanë lindur para daljes dhe hyrjes në fuqi të tij, sepse ai nuk ka fuqi prapavepruese. Meqënëse Gjykata e Lartë preferon dhe merr në konsideratë vetëm Vendimin Nr.2/2013, minimalisht duhet ta konsideronte atë vetëm pas datës 04.03.2013 që ka hyrë në fuqi. Gjykata e Lartë nuk ka tagër ti japë fuqi prapavepruese Vendimit Nr.2/2013, për periudhën që nuk ka ekzistuar. Për fuqinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shprehet Kushtetuta e cila në pikën 2 të nenit 132 thekson: “2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”. Po ashtu, vetë Vendimi Nr.2/2013, është shprehur për kufijtë dhe efekteve të tij duke theksuar: “Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”. 
Fuqia prapavepruese e vendimit Nr.2/2013 është e pamundur dhe për faktin që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin Nr.33/2010, që ka pasur objekt gjykimi ligjin Nr.10142/2009 dhe ka përcaktuar në detaje mënyrën e veprimit për zbatimin e tij, duke mos i lënë asnjë hapësirë vendimit Nr.2/2013 të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit unifikues Nr.3/2016 të Gjykatës të Lartë, për veprim apo interpretim ndryshe, të përcaktimeve detyruese të vendimit Nr.33/2010, të Gjykatës Kushtetuese, për llogaritjen e pensionit të parakohshëm.
Gjykata e Lartë nuk e ka të qartë burimin e të drejtës kushtetuese të pensionit të parakohshëm, ligjin që përcakton kushtet dhe kriteret e dhënies të tij dhe faktin nëse pensioni i parakohshëm është sigurim shoqëror bazë apo sigurim shoqëror suplementar. Ajo e ka trajtuar pensionin e parakohshëm si sigurim shoqëror suplementar, por për këtë arsyetim, nuk i referohet asnjë ligji dhe nuk jep asnjë argument.
Domosdoshmërisht duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Pensioni i parakohshëm është sigurim shoqëror bazë( i detyrueshëm ) apo hyn në kategorinë e sigurimeve shoqërore suplementare?
Pensioni i parakohshëm buron dhe garantohet nga neni 52/2, i Kushtetutës, ku theksohet: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj” . Ushtarakët janë larguar nga puna dhe kanë dalë në rezervë me detyrim dhe në kundërshtim me vullnetin dhe dëshirën e tyre, duke mbetur pa mjete jetese, duke ju mohuar të drejtën e ushtrimit të profesionit, si i vetmi mjet jetese, për të cilin janë arsimuar dhe kualifikuar. Në këto kushte, shteti sipas nenit 52/2 të Kushtetutës, ju jep atyre një ndihmë, që është pensioni i parakohshëm,sipas kushteve kritereve të qarta dhe konkrete të përcaktuara në ligjin organik Nr.9210/2004, “Për Statusin e Ushtarakut”, i cili përcakton këto kritere dhe kushte: Njeh të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm; cakton masën bazë të pensionit të parakohshëm prej 50% të pagës mujore referuese; për çdo vit tjetër mbi këtë vjetërsi cakton një rritje me 2% të pagës referuese mujore dhe këtë masë pensioni e garanton deri në daljen në pension pleqërie.
Gjykata Kushtetuese në asnjë vendim të saj përfshi dhe vendimin Nr.2/2013 nuk është shprehur se pensioni i parakohshëm është sigurim shoqëror suplementar. E vetmja pikë që lidhet me pensionin e parakohshëm është pika 26, e vendimit Nr.2/2013, ku Gjykata Kushtetuese,ka arritur në këto 3 vlerësime detyruese dhe përfundimtare: 1. “Gjykata vlerëson se gjendet para interesit publik që e justifikon ndërhyrjen e ligjvënësit në skemën e sigurimeve suplementare”. 2. “Për këtë arsye, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit”. 3. “….prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim”.
E drejta kushtetuese e pensionit të parakohshëm e ka burimin në nenin 52/2 i Kushtetutës dhe hyn në kategorinë e pensioneve bazë, është një e drejtë e pacenueshme dhe mbrohet nga parimi sigurisë juridike, gjë që është theksuar dhe në vendimi Nr. 2/2013, në pikën 26 të tij theksohet: “Ndërsa sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar ”. Këto vlerësime të pikës 26 të vendimit Nr.2/2013 të Gjykatës Kushtetuese, rikonfirmojnë dhe vulosin përfundimisht atë që ka shprehur dhe vendosur vendimi Nr.33/2010 se: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik.”
Termat ” i parakohshëm ” dhe “ suplementar “ janë krejt të ndryshëm dhe nga këndvështrimi gjuhësor. Ja si i zbërthen këto terma Fjalori i Gjuhës Shqipe: Parakohshëm: 1. Që ndodh a që vjen para kohës së zakonshme, që nuk e ka kohën; i papritur. 2. Që bëhet shumë shpejt para kohës së përshtatshme a të caktuar, që nuk i ka ardhur afati a nuk e ka ende kohën, i shpejtuar. Suplementar: 1. Që jepet a shërben si shtesë për ta plotësuar diçka, për ta përmirësuar ose për ta ndihmuar që të zhvillohet me shpejt; plotësues. 2. Që bëhet mbi planin e parashikuar ose të zakonshëm.
Përcaktimi kushtetues i nenit 52/2 të Kushtetutës dhe argumentet ligjore të mësipërme, provojnë përfundimisht se pensioni i parakohshëm është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale, që lind dhe përfitohet nga papunësia e padëshiruar. Pensioni i parakohshëm hyn në kategorinë e sigurimit shoqëror bazë(të detyrueshëm) sepse ai nuk është një përfitim, që merret mbi një përfitim tjetër bazë, por është vetë përfitim bazë që jepet me Kushtetutë, ndaj është i paprekshëm dhe i mbrojtur nga parimi i sigurisë juridike. Nga ana tjetër del fare qartë se vendimi Nr.2/2013, ka justifikuar si të drejtë ndërhyrjen e ekzekutivit vetëm në skemën e pensioneve suplementare.
Gjykata nëpërmjet, relatorit Zaganjori që i duket vetja se është akoma në Gjykatën Kushtetuese na përsërit ato që ka thënë kur ishte relator në Gjykatën Kushtetuese se; – ndërhyrja në skemën e llogaritjes së pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi është bërë për interes publik, për shkaqe të tilla si: a) efekti i papërballueshëm për buxhetin e shtetit; b) reduktimi i borxhit publik; c) presioni negativ i krizës globale financiare etj.
Këtyre gjyqtarëve, që jetojnë si në ëndërr në këtë vend të varfër, nuk ju del koha dhe nuk kanë dëgjuar duetin Sali&Bode, para qershorit të vitit 2013 dhe duetin e sotëm Rama&Ahmetaj, kur deklaronin dhe deklarojnë se – kemi një rritje të madhe ekonomike, se renditemi pas Gjermanisë, se është buxheti më i madh i të gjitha kohërave, se nuk kemi krizë financiare etj. Atëherë shtrohet pyetja: Kush gënjen, qeveritë e viteve 2009-2012 dhe 2013-2017 apo gjyqtarët e Gjykatës të Lartë, që ju qajnë hallin qeverive që shprehen publikisht se nuk kanë krizë por rritje ekonomike, që kanë buxhete galopante, që mburren me rritjen e rrogave dhe pensioneve etj?!
Habia qëndron dhe në faktin se viktima të termit” interes publik” në këtë vend kanë rënë vetëm ushtarakët. Ne “për interesin publik”, të ristrukturimit të Forcave të Armatosura na larguan nga puna dhe tani po “për interes publik”vetëm ne penalizohemi me ulje drastike të pensioneve. Kur Gjykata e Lartë paraqit si argument nevojën e reduktimit të borxhit publik dhe presionin negativ të krizës globale financiare, kemi të drejtë tu bëjmë këto pyetje që e kanë dhe përgjigjen brenda: Vetëm ulja e pensionit të parakohshëm të ushtarakëve e redukton borxhin publik,ul presionin apo përballohet kriza financiare?! Gjyqtarët që po rreken të na mbushin mendjen që ju dhimbset ky vend , që janë të shqetësuar për buxhetin , për borxhet , për krizën ekonomike etj, pse nuk pyesin njëri tjetrin sa e kanë rrogën dhe sa ju bëhet me reformën e re në drejtësi, sa e kanë pensionin dhe sa ju bëhet me reformën e re në drejtësi?! Këta gjyqtarë që flasin për barazi të përfituesve të sigurimeve suplementare, pse nuk i bëjnë një rekomandim ekzekutivit dhe legjislativit, që të ndryshohet dhe ligji i tyre i pensioneve suplementare Nr.8097, datë 21.03.1996, apo për të marrë një masë të barabartë për të gjithë shtresat e shoqërisë, duke ulur pagat dhe pensionet e qeveritarëve, deputetëve, administratës shtetërore, anëtarëve të Gjykatës të Lartë, por diskriminojnë vetëm ushtarakët?! etj.
Gjykata e Lartë ka shkelur Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të ratifikuar nga vendi jonë në vitin 1994, e cila në nenin 1 të protokollit 1, cilëson domosdoshmërinë e zbatimit të parimit të sigurisë juridike. Sipas nenit 116, pika 1 të Kushtetutës, një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar, si konventa në fjalë, është akt normativ që ka fuqi në të gjithë territorin e vendit. Në nenin 122, pika 2 të Kushtetutës theksohet se: ”Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj, ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Nga këto përcaktime del se Gjykata e Lartë ka qenë e detyruar të garantojë zbatimin e parimit të sigurisë juridike dhe të drejtën e fituar më parë.
Nga argumentet e mësipërme (dhe të tjera që mund të renditë secili) del përfundimi se, Gjykata e Lartë, vendimet Nr.33/2010; Nr.2/2013 dhe vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese i ka vlerësuar me dy standarde, i ka selektuar me preferenca, i ka anashkaluar, i ka keqinterpretuar dhe për më keq, me vetëdije të plotë, ka guxuar të mos i zbatojë ato, duke shkelur dhe Kushtetutën e cila në nenet 132 dhe 145 i urdhëron dhe detyron gjykatat si më poshtë. Neni 132, thekson se: “ Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”; Neni 145, thekson se: “ Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat” dhe “ ..gjyqtarët i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, duke respektuar hierarkinë e burimeve të së drejtës”.
Në përfundim ju bëjmë thirrje të gjithë ushtarakëve,që Gjykata e Lartë ju ka kthyer dosjet për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit, të kërkojnë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese, shpalljen antikushtetues të vendimit të tyre individual. Kurse shoqatat në bllok dhe sa më shpejt të bënë objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese vendimin unifikues Nr.3/2016 të Gjykatës të Lartë, për ta shpallur atë antikushtetues.
SHOQATA E USHTARAKEVE TE BASHKUAR
Sigal