Veliaj: Rama drejt një fitore të tretë bindëse si Kryeministër i Shqipërisë

461
Sigal

Kryebashkiaku Erion Veliaj shpreh bindjen e plotë se Lulzim Basha nuk do të bëhet kurrë kryeministër.

Gjatë një interviste për “Real Story”, Veliaj u shpreh se Basha e tregoi kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës se nuk ia doli dot, ndaj nuk ka asnjë shans për të fituar, pasi qytetarët e kanë provuar që s’di të bëjë asgjë.

Përveç kësaj, Veliaj shtoi se Kryeministri Edi Rama i drejtohet një fitoreje të 3-të bindëse në zgjedhjet e radhës dhe mezi pret që të rinisë një bashkëpunim si kurrë më parë, të një kryeministri dhe të një kryetari bashkie në Tiranë.

“Ai që është i suksesshëm në bashki, u bë kryeministër, ndërkohë që ai që nuk ishte i suksesshëm në bashki dhe nuk performoi dot, ka 3 herë që lloc. Edi Rama i drejtohet një fitoreje të 3-të bindëse si kryeministër i Shqipërisë dhe mezi pres të rifillojmë prapë një bashkëpunim si kurrë më parë të një kryeministri dhe të një kryetari bashkie në Tiranë. Për mua ka qenë një shans i jashtëzakonshëm bashkëpunimi me Edin, për mua ka qenë një ditë që s’duhet humbur, se nuk të vjen kurrë një shans që kryetari i bashkisë dhe kryeministri të gjejnë gjuhën, njëri të ketë pasur punën e tjetrit dhe të ‘klikojnë’ kaq shpejt. Për të gjitha këto arsye mezi pres betejën e radhës, fitoren e radhës, edhe punët e radhës për Tiranën dhe për Shqipërinë”, theksoi Veliaj.

Gjithashtu, ai e ka cilësuar një bekim mundësinë për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve të Tiranës.

“Sa për mua, jam i fokusuar te kjo punë. Sa kam filluar mandatin e dytë edhe me ligj kemi edhe një mundësi, e nëse marrim edhe uratën nga publiku, për mua është një bekim t’i shërbej këtij qyteti. Kështu që, jam shumë i fokusuar këtu”, tha Veliaj.