Veliaj: Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, konviktet mbyllen deri në 3 prill

507
Sigal

Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për përballimin dhe ndalimin e përhapjes së Coronavirusit në kryeqytet.

Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ku u diskutua për masat e marra për situatën në Tiranë, Veliaj prezantoi një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga shkollat, transporti publik etj.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me higjienën, ndërsa lajmëroi se krahas çerdheve dhe kopshteve, ka nisur edhe dezinfektimi i autobusëve urbanë. “Kemi filluar të marrim disa masa sa i takon edhe transportit publik. Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, megjithatë më lejoni të sqaroj diçka: Njeriun nuk e infekton as rruga, as autobusi, por njeriu infekton njeriun. Këshilla që dha sot kryeministri për higjienë personale është ABC-ja e rezistencës ndaj kësaj sfide që na ka ardhur në Tiranë.

Ne po bëjmë dezinfektimin e rrugëve, e autobusëve, po një këshillë që vlen për të gjithë është ose të ecim, ose të përdorim biçikletën”, tha ai. Duke u ndalur tek konviktet, Veliaj lajmëroi pezullimin e përkohshëm të konvikteve gjer në rifillimin e mësimit.

“Ka lindur nevoja që të shpjegoj një rregull që vlen si për shkollat, kopshtet e çerdhet, po ashtu edhe për konviktet. U kërkoj drejtoreshave të konvikteve që të komunikojnë se konviktet nuk do të funksionojnë. Pra, do të aplikojnë udhëzimin e qeverisë dhe urdhërin e Bashkisë së Tiranës për t’i mbyllur deri në datën 3 prill”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se masa të forta do të merren edhe për celebrimet, ku përveç çiftit dhe dëshmitarëve të nevojshëm që kërkon ligji, nuk do të lejohen të tjerët. “Kam dhënë një porosi që në të 27 njësitë tona, përveç çifteve që detyrimisht duhet të celebrohen me dëshmitarët e tyre, çdo prani e tepërt familjarësh, kushërinj, dasmorësh, të ruhet për një moment tjetër. Nuk është ky momenti”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se në bashkëpunim dhe me komunitetet fetare do të ketë masa edhe për shërbesat. Lidhur me ceremonitë mortore, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kufizime, veçanërisht të ritit të dhënies së dorës.

“Ka disa aktivitete që tipikisht menaxhohen nga Bashkia e Tiranës siç janë shërbimet funerale. Ka disa tradita shumë të mira shqiptare që ne shkojmë, bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në një situatë emergjente, duhet të shmangim zakonet e dhënies së dorës në tubime të mëdha, kur ngushëllojmë dikë, do të gjejmë mënyra të tjera për të shprehur keqardhjen. Do të duhet që në çdo shërbim funeral, si në Sharrë, edhe në Tufinë, të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës”, sqaroi Veliaj.