Veliaj me presidentin e rajonit të Friuli-Venezia-Giulia: Mundësi për investime në inovacion

22
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në Tiranë Presidentin e Rajonit të Pavarur Friuli-Venezia-Giulia, Massimiliano Fedriga, dhe ekipin drejtues që e shoqëronte në vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar. Presidenti Fedriga vlerësoi punën e bërë për transformimin e Tiranës, duke e konsideruar atë si një partner strategjik në bashkëpunimin mes dy vendeve. Ai nënvizoi faktin se forcimi i këtij bashkëpunimi, si dhe shfrytëzimi i mundësive për investime, do të jetë një shtysë e rëndësishme drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Nga ana e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi mikpritjen dhe raportin special që ekziston me Italinë, duke përmendur disa nga arritjet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve, që konsiderohen tashmë si histori suksesi. Kreu i bashkisë vuri theksin në nevojën e rritjes së këtij bashkëpunimi në të ardhmen, përmes nxitjes së sipërmarrjeve e projekteve në fusha të ndryshme. “Duam të bëjmë më shumë. Kemi disa ambicie të përbashkëta, ambicie digjitalë, për të shkuar në punët e gjeneratës së re, me qendrat kërkimore që ju keni, me Piramidën, me Zonën e Lirë Ekonomike që kemi, por edhe në nivel bashkish. Ajo që mund të bëjmë me Triesten, po t’i referohemi historisë kemi bërë shumë në të kaluarën, duhet të bëjmë shumë edhe në të ardhmen. Ne kemi disa eksperienca pozitive: për shembull, bëjmë pastrimin e qytetit me Bashkinë e Veronës, po punojmë me Venecian, me të cilën sapo u binjakëzuam për vitin e kulturës, ndaj më duket ideale propozimi që Gorica, që do të jetë kryeqyteti Europian i Kulturës dhe Tirana që do të jetë vitin tjetër Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, mundet të shkëmbejnë një aktivitet të përbashkët kulturor, por mbi të gjitha raportet mes bizneseve. Shoh që sipërmarrja e rajonit tuaj, do të ishte ideale për të qenë në zonën tonë të lirë ekonomike, ose për të parë disa nga punët e qytetit që ne mund t’i bëjmë në një bashkëpunim”,- tha Erion Veliaj.