Shpërndahen 437 tituj pronësie, kyeministri Rama: Ne nuk i ndajmë shqiptarët dhe as himariotët

20
Sigal

Të premten kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal në qytetin jugor të Shqipërisë, në Himarë ku zhvilloi një takim të hapur me qytetarët e mbledhur në mesditë në qendër të qytetit. Në thelb të takimit ishte shpërndarja e 437 titujve të pronësisë për shtëpitë e trashëguara në zonat kadastrale me probleme. “Kjo çështje, ka të bëjë me regjistrimin e pronave, me regjistrimin e pronave pas ndryshimit të sistemit dhe pasi në shumë zona nuk është pranuar ligji 7501 dhe nga ana tjetër janë bërë shumë paudhësi me të ashtuquajtura AMTP, që ju i dini më mirë se sa unë. Kjo ka penguar dhe vetë regjistrimin e shtëpive të trashëguara të cilat kanë qenë aty dhe janë aty në radhë të parë. Këtu pastaj është shtuar dhe një tjetër shtresë poshtërsie propagandistike sikur kjo bëhet për t’i marrë pronat banorëve dhe trashëgimtarëve legjitimë të Himarës dhe për t’ia dhënë të ashtuquajturve oligarkë. Ju e dini më mirë nga të tërë, sepse ju jetoni këtu. E para, nuk ka asnjë metër katror nga Llogoraja deri në Ksamil që t’i jetë marrë një pronari legjitim apo trashëgimtari dhe t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Por ka patjetër situata të rënda, që janë zhvilluar në vitet përpara sesa ne të vinim në qeveri ku me AMTP-të është bërë një lojë shumë e ndyrë kriminale dhe ku në pika të caktuara janë shfaqur përmes tyre si pronarë individë të lidhur me pushtetin e atëhershëm, ju i dini mirë se kush janë, të cilët i kanë vënë trashëgimtarët përpara një zgjedhje, që ose të pranojnë të shesin pronën e tyre. Nuk ka një metër katror këtu që nuk është shitur nga pronarët. Por asokohe shitja kishte mbi kokë edhe kërcënimin që po nuk e shite ti s’ke për ta gëzuar asnjëherë se këtu s’ka për t’u bërë kurrë asgjë, se vetëm ne e bëjmë. Kjo ka qenë historia më parë. Kush thotë që i janë marrë pronat himariotëve, trashëgimtarëve dhe i kanë kaluar dikujt tjetër, pa miratimin e tyre, thotë një gënjeshtër shumë të madhe. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Ne nuk i ndajmë as shqiptarët, as në veri as ju dhe jo të ndajmë himariotët. Kush ju thotë diçka tjetër, shiheni mirë se pse e thotë. Shqiptarëve s’ua ha qeni shkopin në politikë. Kanë pasur të bëjnë me lloj-lloj marifetesh. Mes shqiptarëve, himariotët janë njisha, politikë jo lokale, por globale” – tha ai. Rama tha se, 4000 certifikata pronësisë do të jepen brenda këtij viti dhe Prefektura dhe Prefekti është adresa për çdo lloj problemi dhe shtoi se certifikatat e pronësisë do të kushtojnë zero lekë.