Ruben Avxhiu – Botuesi Vehbi Bajrami: Një vizitë e bukur në Arkansas te gjenerali Welsey Clark – në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

82
Sigal

Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria”, që botohet në NewYork, Vehbi Bajrami, bëri një vizitë këto ditë në Little Rock, Arkansas, për të takuar Gjeneralin Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s për Evropën, nën drejtimin e të cilit, 25 vjet më parë, u çlirua Kosova.

Në pranverën e vitit 1999, Gjenerali Clark udhëhoqi fushatën prej 78 ditë bombardimesh të objektivave serbe nga NATO deri në tërheqjen e plotë të trupave pushtuese nga Kosova.

Synimi i vizitës ishte për t’i shprehur mirënjohjen gjeneralit në pension, i cili vazhdon të përkrahë Kosovën në hapat e saj përforcimin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.

Gjenerali Clark e priti ngohtësisht botuesin Vehbi Bajrami me të cilin janë takuar disa herë më parë në New York dhe Washington. Ata biseduan gjerësisht për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe evokuan kujtimet e vitit 1999, kur NATO çliroi Kosovën.

“Pa ndihmën e Amerikës dhe rolit të Gjeneralit Clark, Kosova nuk do të ishte sot e lirë dhe e pavarur. Kosova i është mirënjohëse për jetë Gjeneralit Clark”, – tha botuesi Vehbi Bajrami, i cili ka lobuar për disa dekada në Washington për kauzën e Kosovës dhe ka shërbyer si drejtor i Programit të Gjuhës Shqipe në “Zërin e Amerikës”.

Gjenerali është krenar për rolin që ka luajtur në atë kohë. “Ne i dhamë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës”, -thotë ai.

Ndonëse ndërhyrja e NATO-s nuk kishte për synim pavarësinë e Kosovës, bota demokratike e kuptoi shpejt se e vetmja zgjidhje ishte pavarësia.Vetë Wesley Clark u bë një nga mbështetësit më të fortë të pavarësisë pas çlirimit të Kosovës.

Edhe sot, i ndjek zhvillimet në Kosovë dhe ndonëse e përkrah dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, është kritik ndaj politikës amerikane, që po ushtron më shumë presion ndaj Kosovës.

“Kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiç në Serbi”,- tha ai gjatë një intervistë të fundit me “Zërin e Amerikës”.

Gjenerali Wesley Clark shtroi një drekë për nder të botuesit Vehbi Bajrami, e cila kaloi në një atmosferë tejet miqësore.

“Jam krenar që prej shumë vitesh kemi krijuar një miqësi të ngushtë me gjeneralin dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm për të diskutuar zhvillimet në Kosovë”,- tha botuesi i njohur shqiptaro-amerikan që është botues i librit të njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës”.

Në fund, Gjenerali Clark e falenderoi për vizitën z. Bajrami, i cili shoqërohej nga djali i tij, Roni.