Veliaj mbyll fushatën në njësinë 6: Pas 21 qershorit, Bashkinë e mbushim me punë

452
Kandidati i ASHE-së për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi të mërkurën në mbrëmje fushatës përmbyllëse në njësinë nr.6. Në fjalën e mbajtur përpara qindra simpatizantëve të pranishmëve Veliaj deklaroi se, qytetarët e Tiranës janë trishtuar në 4 vitet e fundit duke parë një bashki që nuk punonte aspak për ta, ndërsa u shpreh ai, pas 4 ditëve, gjithçka do të ndryshojë për kryeqytetin. Kandidati i majtë premtoi se në mandatin e tij të parë do të ndriçojë rrugët, do të pastrojë mbeturinat dhe do të ketë më shumë kopshte e shkolla. 
“Faleminderit për qytetarinë! Por, takimin nuk e bëjnë të madh sheshet, takimin e bëjnë të madh njerëzit, fuqia e njerëzve në Kombinat, ndaj dhe fuqia e njerëzve është në këtë tubim. Përpara një jave edhe kryetari i PS-së, kryeministri ynë, Edi Rama, mori të njëjtin vendim dhe meqë PD e kishte me fiksim të madh që ta bënin tubimin e tyre në sheshin Nënë Tereza, ditën e premte, edhe kryeministri ynë u tregua qytetar dhe i tha PD-së: merreni sheshin të premten. Ne të majtët, ne socialistët, jemi tolerantë në çdo ditë të vitit, përveç ditën e votimeve: aty do t’i hedhim të gjitha votat për drejtimin e duhur. Në ditën e votimit jemi të parët, jemi të shumtë dhe do ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. Bashkia nuk ishte ndonjëherë e plotë, se bashkinë nuk e plotësojnë plaçkat, bashkinë e plotëson një kryetar bashkie që shkon në punë dhe për sa kohë bashkia s’ka pas një kryetar bashkie që shkon në punë, për 4 vjet ka qenë bosh. Ne bashkinë nuk do e mbushim me rraqe, por do e mbushim me punë për Kombinatin, për Qytetin e Nxënësve, për Misto Mamen, për Sharrën, për Vaqarrin, për gjithë Njësinë 6, Unazën e Re dhe gjithë qytetarët që kanë nevojë për një bashki që bën punë.
Miqtë e mi, nëse rruga juaj nuk ka pasur ndriçim këto katër vjet, mos u anko më, kemi katër ditë, me një votë sjellim ndriçim te rruga jote. Nëse jeton në një lagje ku nuk mblidhen mbeturinat dhe ku prej katër vitesh mbretëron pisllëku, mos u anko më, e ke vetë në dorë, për katër ditë votojmë që të pastrohet qyteti. Nëse je prind, nëse je nënë, nëse je baba dhe je shqetësuar që në kombinat nuk ka shkolla, nuk ka çerdhe, nuk ka kopshte për fëmijët e tu, nëse je i shqetësuar si prind që shkolla është bërë me turne, miqtë e mi, mos u ankoni, por pas katër ditësh votoni, se një votë bën diferencën që të kemi kopshtet, shkollat, çerdhet për Kombinatin. Erdhi koha jonë! Ky është momenti ynë! Kjo është koha jonë dhe e të gjithë qytetarëve! Ngrini duart lart nëse do të jeni me ne në datën 21 qershor. Ngrini duart lart nëse do të ftoni miqtë tuaj, komshinjtë tuaj, të afërmit tuaj, shokët, shoqet, të gjithë që votojnë më datën 21qershor”, u shpreh Veliaj.
Sigal