Shkodër, Basha: Shqiptarët do votojnë për kryebashkiak që do ti heqi lakun nga fyti

420
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, nga qyteti i Shkodrës, deklaroi të mërkurën në mbrëmje se, ndryshimi i Shqipërisë do të vijë nga ky qytet. Gjatë përmbylljes së fushatës elektorale, kryetari i PD-së risolli në vëmendje lajmin e publikuar nga mediat ndërkombëtare se në listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit ka dhe individë të inkriminuar.
“Dy muaj, derë më derë, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje të Shkodrës e fshatrave përreth, u pamë përsëri sy më sy, ashtu siç jemi parë në këto dy vite të opozitës tonë, për të qarë hallet e rënda që kanë pllakosur Shkodrën e mbarë Shqipërinë. E pamë më sytë tanë sesi ata që morën votat e 23 qershorit nuk mbajtën asnjë premtim, i kthyen shpinën Shkodrës dhe qytetarëve, i vunë lakun në fyt njerëzve dhe familjarëve, grabitën pasuritë tuaja, rritën taksat, shumëfishuan faturat dhe rritën kërbaçin e abuzimit mbi kokat e njerëzve të pafajshëm nga Shkodra deri në Vlorë. I gënjeu mendja se do ta shndërronin këtë tokë, këtë vend, këtë qytet, në një çiflig të dyshes Rama-Meta dhe klientelës së tyre korruptive, harruan demokracinë. Me kërcënime, me banda, me shantazhe, me sondazhe, me presione, diversion, menduan se mund të shbëjnë orën e shenjtë, orën e madhe të demokracisë, orën e llogarisë para popullit sovran, orën e vendimarrjes me votë, orën e 21 qershorit.
Një qeveri e cila i ka vënë lakun në fyt familjeve të pamundura shqiptare, e cila kandidon me këto zgjedhje me listat e saj, njerëz të krimit të hurit e të litarit, i kanë plasur sot bombat në shtypin ndërkombëtar, po e shikon gjithë bota mbarë sesi ja nxirë faqen vendit me trafikantët që kanë për kandidatë bashkish. Kjo është oferta e tyre, të kapë pushtetin para dy vitesh, kapën pushtetin dhe s’bënë asgjë për ju në këto kohë të vështira, por jua bënë edhe më të vështirë jetën duke rritur taksat, duke rritur çmimin e energjisë, duke rritur çmimin e naftës, duke shpunësuar masivisht e paligjshmërisht mijëra shqiptarë duke privuar fëmijët e tyre nga buka e gojës, librat e shkollës. Këto dy tre ditët e fundit ka filluar të shpifë gjithçka për kandidatët tanë, ka filluar të thotë se qenkan pa arsim. Në 21 qershor ,shqiptarët do të votojnë jo për drejtor komunalesh por për burrat dhe gratë që do ti heqin lakun nga fyti dhe kërbaçin nga dora e kësaj qeverie. Qeveria e do zullumin e pashpirtësisë Do të votojnë për platformën e Voltana Ademit , për uljen e taksave,për fondet e punësimin, për ardhjen në ndihmë bujqëve dhe blektorëve dhe të Shkodrës. Për lartësimin e krenarisë të qytetarëve të Shkodrës përmes përfundimit të projekteve të mëdha që kanë nisur në këtë bashki dhe hapjen e projekteve të tjera për ta transformuar Shkodrën në një kryeqytet të dytë të shqiptarëve .Po vëllezër dhe motra. Dhe një ofert tjetër e madhe do të votohet në 21 qershor.
Kjo është oferta jonë për të ulur taksat në nivelin më të ulët në Ballkan. Kjo është oferta për 9% taksën e sheshtë për sipërmarrjen, kjo është oferta për 1% taksën për biznesin e vogël, kjo është oferta për të ulur me 25% çmimin e energjisë, për të falur kamatvonesat abuzive që janë mbledhur si kular në qafën e shqiptarëve. Kjo është oferta që sheh zgjidhjen emergjente, të varfërisë e pamundësisë të shumicës dërmuese të shqiptarëve që jetojnë në një varfëri të shtuar e shumëfishuar siç pohuan dje dhe para dy ditësh organet më profesionale të Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore, përmes heqjes së TVSH-së për miellin, sheqerin, orizin, vajin, mishin, qumështin dhe vezën. Hallet tuaja, problemet tuaja kanë qenë gjithmonë preokupimi i demokratëve, hallet tuaja dhe zgjidhjet e tyre është preokupimi i Voltana Ademit, është preokupimi i Lulzim Bashës dhe i Partisë Demokratike. Le të bashkojmë votat tona sepse 21 qershori është dita juaj. Nuk është dita e askujt tjetër. Në 21 qershor të gjithë në këtë shesh, të gjithë votuesit e Shkodrës, janë prindërit dhe mbretërit sovran të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Le t’i japim mesazhin e fitores tonë të thellë në SHkodër, e fitores së pandalshme të qytetarisë së Shkodrës, në këtë natë të parë të bekuar të Ramazanit”, deklaroi Basha.
Sigal