Meta: Pas zgjedhjeve, objektivi tjetër, në Kuvend, barazi të plotë gjinore

411
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një takim me gra dhe vajzat e kryeqytetit, ku u prezantuan dhe kandidatet e kësaj force politike për anëtare në këshillin bashkiak të Tiranës. Në një atmosferë të jashtëzakonshme, Meta u shpreh se zgjedhjet e 21 qershorit janë historike, sepse ndajnë Shqipërinë nga një keq organizim territorial dhe administrativ dhe fusin në një epokë të re. “Të gjithë së bashku do t’i themi një ‘Po’ të fortë një ndryshimi të rëndësishëm që do të nisë në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë më 22 qershor, pasi populli i Shqipërisë dhe populli i Tiranës të jetë shprehur përmes një referendumi për hyrjen në fuqi dhe implementimin e reformës së re administrative-territoriale”, tha Meta.
Në vijim Meta tha se duke nisur nga 22 qershori, qeveria do të ketë 61 partnerë të cilët do të punojnë dhe bashkëpunojnë me të për të ofruar më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët kudo anembanë vendit.“Prandaj është interesi i veçantë sidomos, i grave, i nënave, i vajzave kudo ku janë për të mbështetur këtë reformë të rëndësishme, sepse janë gratë dhe nënat tona anembanë Shqipërisë që vuajnë më shumë nga mungesa e këtyre shërbimeve që duhet të ofrojë pushteti vendor. Ndaj dhe ato do ta mbështesin me votën e tyre këtë reformë, këtë ndarje të re dhe do të votojnë për kandidatët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Pjesëmarrja e grave dhe e vajzave në këtë fushatë ka qenë e jashtëzakonshme, sepse edhe përfaqësimi i tyre në krye të pushtetit vendor në 21 qershor do të jetë i jashtëzakonshëm dhe kjo falë LSI-së, PS-së dhe mazhorancës sonë, që e kanë besuar dhe kanë kandiduar për kryebashkiake të ardhshme të Shqipërisë si asnjëherë tjetër plot personalitete të cilat do të tregojnë aftësinë dhe fuqinë menaxhuese dhe administruese të grave dhe të vajzave të Shqipërisë si asnjëherë tjetër. Pasi të përfundojmë me sukses të plotë zgjedhjet e 21 qershorit, pastaj duhet të arrijmë te një objektiv tjetër që në Kuvendin e Shqipërisë në 2017-n të kemi barazi të plotë gjinore. Në çdo nivel të qeverisjes në mënyrë që Shqipëria të jetë vendi i parë në rajon që fuqizon në mënyrën më të drejtë dhe të barabartë gratë dhe vajzat. Kjo është rruga e transformimit, e ndryshimit, kjo është edhe rruga e dekriminalizimit të politikës shqiptare”, deklaroi Meta.
Lideri i LSI-së deklaroi se për Lëvizjen Socialiste për Integrim punësimi ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor.“Sepse një grua pa punë është një grua e dëshpëruar, dhe përfaqëson një familje të dëshpëruar që është një problem i madh për komunitetin dhe për të gjithë shoqërinë. Një grua në punë do të thotë një grua e lumtur, do të thotë një familje e lumtur, do të thotë një grua që rrit me optimizëm dhe me frymëzim dhe me dashuri fëmijët e saj. Prandaj ne do të vazhdojmë të kemi kryeangazhimin tonë punësimin, si armën tonë më të sigurt për të çrrënjosur varfërinë në çdo familje të Tiranës dhe në çdo familje të Shqipërisë. Të tjerët i ka kapur stresi se ata gënjejnë për qejf edhe kur i pyet për orën. Ndërsa ne “Po”-në e kemi “Po” dhe “Jo”-në e kemi “Jo”. Dhe “Po”-ja jonë është për luftën kundër varfërisë, “Po”-ja jonë është për shërbime të standardeve europiane për të gjitha familjet shqiptare. “Po”-ja jonë është për punësimin, “Po”-ja jonë është për zhvillimin, për të ecur më shpejt, “Po”-ja jonë është për qetësi dhe dashuri. Qetësi dhe dashuri në familjet tona, qetësi dhe dashuri në shoqërinë tonë, qetësi dhe dashuri sa të mundemi edhe tek ky Parlament”, tha Meta.
Sigal