Vangjush Saro: Trishtimi (shqiptar) që vjen nga indekset

165

Nga viti ‘90 e këtej, Shqipëria ka ulur dhe ka ngritur kokën dhjetra herë nëpër këto studime e indekse; sepse ato të zbulojnë siç je, pa të marrë lejë, pa pyetur për propaganda partiake e qeverisëse

Sigal


Nuk është e vështirë të konstatohet që disa vende evropiane, por asi edhe në hemisfera të tjera, për dekada të tëra, gjenden gjithnjë në krye të reshtimeve; në çdo studim e indeks. Ato (në çdo aspekt) janë më të përparuara dhe më të stabilizuara. Në të kundërt, shumica e vendeve, që vijnë nga i ashtuquajturi Kampi Socialist, gjithnjë zënë vende modeste në këto studime dhe indekse. Pyetja është:

Jemi ende në të shkuarën dhe kjo i pengon këto vende të ngrihen më së fundi në këmbë? Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP) që krijon Indeksin Global të Paqes (GPI) e tregon qartë këtë dallim. (Është një nga mënyrat për të matur se sa paqësore janë vendet, sa paqësore është bota. Ky raport cilësohet si “vështrimi më i thellë, i mbështetur nga të dhënat mbi tendencat e paqes, vlerën e tyre ekonomike dhe mënyrën se si (mund) t’i bëjmë shoqëritë më paqësore”.) Dhe në atë indeks, bien në sy Zvicra e Austria, Irlanda e Danimarka, Finlanda e Suedia, etj. Po ashtu, Zelanda e Re e Kanadaja. Ato reshtohen në vendet e ‘nderit’. Në të kundërt, shtetet që janë pak a shumë në një histori të përafërt gjatë këtyre dekadave të fundit, pra ato që provuan të dyja sistemet – atë Socialist dhe këtë Kapitalist apo Demokracinë, siç thuhet me termin tjetër – këto renditen më poshtë. Sllovakia renditej në vendin e 20-të, Bullgaria në vendin e 24t, Polonia në vendin e 25-të, Rumania në vendin e 31-të, Maqedonia e Veriut në vendin e 36 dhe… të fundit (dhe s’është hera e parë) ne vulëhumburit… në vendin e 41-të. (të fundit në rajon, se reshtimi vazhdonte edhe më zi më tej.) Po vërtet… Ka paqe në Shqipëri? Edhe ka, edhe s’ka. Atmosfera politike dhe ajo shoqërore janë të mbarsura me mllefe dhe urrejtje. Rrugët janë të pasigurta; aksidentet janë një realitet i trishtë. Nga ana tjetër, bandat lajnë hesapet mes vedi në mes të ditës, pa pyetur fare se marrin edhe jetë të tjera së koti. Po ashtu, s’mund të thuhet se biznesi është i sigurt, ndërsa ata që orientohen nga qeveria dhe Kryeministri mbijetojnë e mbretërojnë, kurse të tjerëve u shëmben pronat dhe ndërtimet. Kjo vihet në dukje edhe në Raportin më të fundit të DASH. Ndërkaq, indeksi tjetër i shpallur këto ditë, ai që vjen nga Eurostat dhe që ka në themel gjendjen ekonomike në shtetet evropiane, sërish evidenton pasurinë dhe mirëqenien e qytetarëve në vendet më të përparuara; dhe ato, prapë lënë pas, në mënyrë të dukshme, vendet, që janë në tranzicion. Raporti më i fundit i Eurostat tregonte se qytetarët e Luksemburgut “janë më të pasurit e Bashkimit Evropian, me një fuqi blerëse 2.5 herë më të lartë se mesatarja e të gjitha vendeve të tjera anëtare të BE-së”. Më pas, në listën e ‘më të pasurve’ është gjithashtu Irlanda, e cila me taksimin e saj të favorshëm tërheq shumë kompani shumëkombëshe, me një produkt bruto për frymë 134 për qind më të lartë se mesatarja e BE-së. Danimarka është e treta, e ndjekur nga Holanda, Austria dhe Belgjika. Më të varfër, gjithnjë sipas Eurostat, janë qytetarët e Bullgarisë dhe Sllovakisë. Këtej BE-së pastaj, vijmë ne, Bosnja, Kosov. Mes shumë e shumë shpjegimeve, që s’është vendi të analizohen këtu, mendoj, dy janë me më shumë peshë. Dhe si për ironi të fatit, njëri prej tyre i përket të shkuarës, tjetri i përket të sotmes. Nga e shkuara, u evidentuan dukshëm një sërë dështime në sistemin (e ashtuquajtur) Socialist, ndërkohë që tani shumica ia mbysin më kot kur thonë Komunizmi (se këtë s’e kemi parë kund). Kjo përvojë e trishtë, doemos, do të rëndonte edhe më tej jetën dhe ekonomitë e këtyre vendeve. Shpjegimi i dytë, i sotmi:- Korrupsioni në nivele të larta në vendet që kaluan apo po kalojnë njëlloj tranzicioni. Dhe në këto dy argumente, Shqipëria është emri tipik. Ajo vjen nga një sistem që inspiroi shumë shpresa, shumë punë, por edhe shumë vuajtje. Njëherësh, ajo është duke ndërtuar (po me vuajtje) sistemin tjetër, atë të Demokracisë; një transplantim tejet i vështirë. Mbase ky termi i fundit nuk ishte ai më i duhuri, por le ta mbyllim: Nga viti ‘90 e këtej, Shqipëria ka ulur dhe ka ngritur kokën dhjetra herë nëpër këto studime e indekse; sepse ato të zbulojnë siç je, pa të marrë lejë, pa pyetur për propaganda partiake e qeverisëse. Ato të çojnë disa shkallë më lart kur ka të dhëna bindëse – kjo ka ndodhur në ndonjë rast edhe me Shqipërinë – sikundër, kohë pas kohe, të lënë në fund, atje ku edhe je; ty dhe shtetet e ngjashme me ty. Ndodh që qeveritë paguajnë për t’u promovuar. Ndërsa tek ne e bëjnë këtë pa pikë turpi; me rënë në sy për mirë: Te qeveri të tjera, të cilave u dëgjohet zëri; te fondacione që pretendojnë se drejtojnë krahas administratave të shteteve më të përparuara; te media të huaja me emër, që ndonjëherë e marrin nëpër këmbë emrin e tyre, etj. Kështu, siç thashë, ndodh që Shqipëria përmendet për mirë, sidomos për natyrën dhe Turizmin e, ndonjë nga indekset, mbase vlerëson edhe ecurinë e saj në fusha ku ka pasur vëmendje. Por në përgjithësi, ajo që evidentojnë herë pas here disa institucione ndërkombëtare, si ato që përmendëm më lart, janë të palobueshme, të pakompromentueshme, janë sfida të mëdha. Qeveria e sotme, mjaft e ngarkuar me akuza për korrupsion, por le të themi qeveritë në përgjithësi, bëjnë sikur nuk i kuptojnë këto sfida. Dhe (u duket sikur) i kalojnë ato me… ndonjë ekspozitë pikture apo ndonjë takim në rang postesh zyrtare, ku mbrohen ‘të drejtat’ e shqiptarëve, pasi që i kemi shkelur me këmbë ne të parët…