– Transaksionet në kriptomonedha janë relativisht më shumë anonime se sa transaksionet në para tradicionale.
– Financimi i veprimtarive kriminale është më i lehtë në rastin e kriptomonedhave për shkak të anonimitetit relativisht të lartë.
-Mungesa e mbrojtjes së konsumatorit lidhet kryesisht me faktin se humbjet nga mashtrimet, falimentimet në treg nuk mbulohen nga asnjë skemë aktuale garancie
– Në praktikë, ndalimi total, me ligj, me dhunë dhe me forma, mënyra e metoda të tjera i kriptovalutave, ka rezultuar tërësisht joefektiv.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Këto ditë ka bërë bujë lajmi, i dhënë nga vetë kryeministri Edi Rama, se Shqipëria po përgatitet të krijojë një kuadër ligjor, që do të lejonte përdorimin e kontrolluar të kriptovalutave. Po çfarë janë këto dhe ku ndryshojnë nga monedhat normale? Banka e Shqipërisë dy vjet më parë publikoi një material të Bankës Qendrore Evropiane, që bënte thirrje për kujdes ndaj kriptomonedhave, që mund të shërbejnë edhe për pastrim parash të krimit e korrupsionit. Por duket se shtetet po e ndjejnë veten të fuqishme për të krijuar masa kontrolluese ndaj qarkullimit të tyre. Në këtë rast, ato do të funksiononin si para normale. Më poshtë është një përgjigje teknike, profesionale dhe e strukturuar, e përshtatshme për analizë mediatike, institucionale apo akademike nga Dr. Enriko Ceko…:

Ç’farë janë kriptovalutat. Si dallojnë ato nga monedhat tradicionale?
Në aspektin teknik dhe shkencor, kriptovalutat e të tëra llojeve dhe metodave e mjeteve nga gjenerohen, janë aktive digjitale të decentralizuara, të bazuara në teknologjinë blockchain. Pra janë para kryesisht digjitale dhe në disa raste ekzistojnë edhe në formë monedhe metalike. Për të garantuar cilësinë dhe garancinë e transaksioneve, prodhuesit e tyre përdorin kriptografinë dhe me anë të kësaj teknologjie dhe procedure kontrollohet edhe krijimi i njësive të reja monetare.
Paratë fizike apo ndryshe paratë tradicionale që janë kryesisht kartmonedha dhe monedha metalike, (lek, euro, dollar), emetohen nga një bankë qendrore, kanë kurs ligjor dhe janë të mbështetura nga autoritetet fiskale të vendit ku përdoren sipas ligjit, ndërsa kriptomonedhat nuk emetohen nga bankat qendrore, nuk kanë kurs ligjor të detyrueshëm (legal tender) dhe nuk mbështeten nga autoriteti fiskal apo monetar i shtetit.
Pra, paratë tradicionale:
- Janë jo thjesht vetëm të emetuara nga banka qendrore e çdo shteti, por janë edhe të garantuara nga këto bankat qendrore,
- Me këtë qasje, këto para tradicionale janë pjesë kryesore e politikës monetare, që aplikohet në një vend të caktuar,
- Dhe janë të mbështetura jo vetëm nga besimi institucional, por edhe nga kapaciteti fiskal i shtetit.

Dhe përballë tyre, kriptovalutat, apo paratë jo tradicionale:
funksionojnë në rrjete peer-to-peer (lidhje e drejtpërdrejtë shitës – blerës).
kanë ofertë të paracaktuar ose algoritmike, sepse gjenerohen nëpërmjet një sistemi që ka në bazë algoritmet, me anë të të cilave jo vetëm që garantohet unikalitëti i kriptomonedhave, por edhe eliminohet në një masë shumë të konsiderueshme krahasuar me monedhat tradicionle edhe falsifikimi i tyre.
çmimi i tyre përcaktohet vetëm nga tregu (pra nga kërkesa dhe oferta) dhe spekulimi (që si fjalë, spekulimi, në këtë rast ka kuptimin e përpjekjeve që bëjnë lojtarët në treg për të blerë e shitur këto lloj monedhash).
Pse Bankat Qendrore kanë qenë skeptike ndaj kriptovalutave?
Aspekti kryesor për skepticizmin në lidhje me kriptomonedhat është ideja se me futjen në treg të kësaj qasjeje të re monetare, duket se roli i bankave qendrore do bjerë dhe nëse do kemi dakordësi në shkallë botërore që, në vend të parasë tradicionale, të përdoren kriptovalutat, bankat qendrore edhe mund të mos ekzistojnë. Në këtë moment, duket se në përgjithësi bankat qendrore të të tëra vendeve të botës, përfshirë këtu edhe Bankën e Shqipërisë, në përputhje edhe me materialet dhe direktivat e Bankës Qendrore Evropiane, po tregohen shumë të kujdesshme, sepse në shkallë globale, jemi në një moment shumë të rëndësishëm që lidhet me shumë rreziqe të mëdha strukturore, që janë:
- Rreziku i pastrimit të parave. Rreziku i financimit të veprimtarive kriminale. Mungesa e mbrojtjes së konsumatorit. Pasiguria dhe paqëndrueshmëria financiare. Erozioni i sovranitetit monetar, etj…

Le ti sqarojmë këto pika më poshtë
- Rreziku i pastrimit të parave rritet në një masë shumë të madhe, sepse transaksionet në kriptomonedha janë relativisht më shumë anonime se sa transaksionet në para tradicionale. Aq më shumë në ditët tona kur për paratë tradicionale në çdo shtet të botës ka rregulla dhe limite për shumat e realizimit të transaksioneve. Po ashtu, edhe mungesa e ndërmjetësve financiarë tradicionalë e shton këtë rrezik.
- Gjithashtu edhe financimi i veprimtarive kriminale është më i lehtë në rastin e kriptomonedhave për shkak të anonimitetit relativisht të lartë dhe mungesës së ndërmjetësve financiarë tradicionalë, krahasuar me transaksionet me paratë tradicionale.
- Mungesa e mbrojtjes së konsumatorit lidhet kryesisht me faktin se humbjet nga mashtrimet, falimentimet e platformave apo luhatshmëria ekstreme e vlerës së kriptomonedhave në treg nuk mbulohen nga asnjë skemë aktuale garancie.
- Pasiguria dhe paqendrueshmëria financiare, që mund të vijë si pasojë e përdorimit në rritje të kriptomonedhave, që do zëvendësojnë sipas këtij skenari, paratë tradicionale, sjellin pasiguri dhe paqendrueshmëri në treg, për shkak të luhatjeve të forta të çmimeve dhe lidhjes së tyre me flluskat speculative, që në ditët tona janë shtuar shumë në pothuajse tërë vendet e botës.
- Erozioni i sovranitetit monetar lidhet me faktin se nëse kriptovalutat do fillojnë që të përdoren gjerësisht për pagesa të tëra llojeve dhe të tëra produkteve dhe shërbimeve, në vend të monedhës kombëtare, nuk do ketë më nevojë për monedha kombëtare, që ende sot konsiderohen si elemente shumë të rëndësishme të sovranitetit kombëtar. Të mos harrojmë këtu momentin kur u vendos që Euro të bëhej monedha e Evropës së Bashkuar, moment, që përkoi me shumë kundërshti sidomos të forcave konservatore dhe nacionaliste në kontinent.
Pse sot shtetet po shkojnë drejt rregullimit dhe jo ndalimit?
Po e vërtetë. Kriptomonedhat askush nuk i ndalon, askush nuk i refuzon, askush nuk i lejon tërësisht, për të zëvendësuar paratë tradicionale. Në praktikë, ndalimi total, me ligj, me dhunë dhe me forma, mënyra e metoda të tjera i kriptovalutave, ka rezultuar tërësisht joefektiv. Tashmë kriptomonedhat vazhdojnë të ekzistojnë dhe të përdoren globalisht dhe për këtë arsye, shtetet po kalojnë nga logjika e ndalimit, në logjikën e rregullimit dhe kontrollit, sepse nuk janë shtetet apo bankat qendrore të shteteve që prodhojnë dhe emetojnë kriptomonedhat, por platforma private, për të cilat nuk ka asnjë kufizim ligjor ndërkombëtar, edhe pse muajt e fundit ka disa iniciativa për standardizimin e procedurave, proceseve, rregullave dhe mënyrave të mbajtjes së të dhënave për këto para moderne. Nga ana tjetër, në disa shtete kanë filluar apo janë paraqitur edhe disa iniciativa për krijimin e një kuadri ligjor me anë të të cilit synohet:
- të formalizohet kjo veprimtari,
- të identifikohen aktorët që marrin pjesë në transaksionet në kriptovalutë (KYC – Knoë Your Customer – TNK – të njohësh klientin),
- të vendosen kontrolle kundër pastrimit të parave (AML – Anti Money Laundering),
- të taksohen fitimet nga tregtimi i kriptoaktiveve,
- të reduktohet rreziku sistemik për ekonominë.
Në fakt, konkretisht, në Bashkimin Evropian, kjo filozofi e krijimit dhe përcktimit të kuadrit ligjor në lidhje me përdorimin e kriptomonedhave, është materializuar në atë që njihet si Rregullorja MiCA (Markets in Crypto-Assets – Tregjet në kripto asete), që synon të sjellë më shumë transparencë, procedura të qarta licensimi dhe mbikëqyrje të plotë dhe reale të tregut të kriptoaktiveve.

A mund të funksionojnë kriptovalutat si para “normale”?
Le ta fillojmë arsyetimin me funksionet e parasë klasike, apo aryset se përse ne e pëdorim paranë ashtu si e njohim atë sot në përgjithësi në çdo vend të botës. Në një ekonomi paraja klasike ka tre funksione kryesore, të cilat janë të pranuara gjerësisht si në teorinë ekonomike, ashtu dhe në praktikën monetare:
- Mjet shkëmbimi (Medium of Exchange). Ky është funksioni kryesor i parasë, sepse ajo përdoret për të: (1) blerë mallra dhe shërbime, (2) shlyer detyrime financiare, (3) kryer transaksione pa pasur nevojë për këmbim direkt mall-me-mall (barter). Ky është funksioni kryesorë i parasë tradicionale që (1) ul kostot e transaksioneve, (2) rrit efikasitetin e tregut dhe (3) bën të mundur specializimin ekonomik.
- Njësi llogarie (Unit of Açount) Paraja shërben si: (1) matës i standardit, (2) matës i vlerës, dhe (3) njësi krahasimi për çmime, paga, borxhe, kontrata, bilance financiare, etj. Pra, çmimet, në një ekonomi, shprehen në një monedhë të vetme (lek, euro, dollar), duke e bërë ekonominë të lexueshme dhe produktet dhe shërbimet lehtësisht të krahasueshme me monedhat e tjera.
- Mjet ruajtjeje vlere (Store of Value). Paraja tradicionale lejon: (1) ruajtjen e fuqisë blerëse në kohe dhe (2) transferimin e konsumit nga e tashmja në të ardhmen. Dhe që ky funksion të jetë efektiv, kërkohet stabilitet monetar dhe inflacion i kontrolluar. Ky është një nga funksionet kryesore që dëmtohet nga inflacioni i lartë. Paraja tradicionale ka edhe disa funksione shtesë, apo që njihen ndryshe edhe si sekondare, të cilat janë pjesë e analizës institucionale dhe monetare. Këto janë funksioni i mjetit të pagesës së detyrueshme (Legal Tender) dhe funksioni i mjetit të politikës monetare.
- Funksionin e mjetit të pagesës paraja e kryen sepse ajo është paraja zyrtare që ka fuqi ligjore për (1) shlyerjen e borxheve, (2) pagesën e taksave dhe (3) ekzekutimin e detyrimeve kontraktuale. Ky funksion buron nga autoriteti i shtetit dhe autoriteti i bankës qendrore në çdo shtet.
- Në lidhje me funsionin e mjetit të realizimit të politikës monetare me anë të parasë tradicionale (1) kontrollohet sasia dhe çmimi i parasë dhe çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në treg nga ana e bankës qendrore, e cila në shumicën e vendeve të botës ka si funksion kryesor ruajtjen e nivelit të çmimeve (mbajtjen e inflacionit nën kontroll) dhe (2) paraja tradicionale përdoret për të ndikuar inflacionin, kreditimin, normat e interesit, stabilitetin financiar, etj. Ky funksion për të patur ndikim nuk ekziston ende për kriptovalutat dhe ndoshta nuk do të ekzistojë kurrë. Pra, në thelb, paraja tradicionale, nuk është thjesht një mjet pagese, por është ngritur në nivel institucioni ekonomik dhe juridik, sepse paraja tradicionale është në fakt një sistem i lidhur ngushtë me shtetin, besimin publik, stabilitetin makroekonomik, etj.
Më poshtë po paraqes një tabelë krahasuese midis parasë tradicionale dhe kriptomonedhave
| Funksioni i parasë | Paraja klasike (lek, euro, dollar) | Kriptomonedhat (Bitcoin, Ethereum, etj.) |
| Mjet shkëmbimi | ✅ Pranohet gjerësisht për mallra, shërbime dhe pagesa publike/private | ⚠️ Pranim i kufizuar, kryesisht online dhe vullnetar |
| Njësi llogarie | ✅ Çmimet, pagat dhe kontratat shprehen në monedhë zyrtare | ❌ Nuk përdoret gjerësisht si standard çmimi për shkak të volatilitetit |
| Ruajtje vlere | ✅ Relativisht e qëndrueshme (me inflacion të kontrolluar) | ⚠️ Shumë e paqëndrueshme; vlerë e lidhur me spekulimin |
| Legal tender (fuqi ligjore) | ✅ E detyrueshme për shlyerjen e borxheve dhe taksave | ❌ Nuk ka fuqi ligjore detyruese |
| Emetim dhe kontroll | ✅ Banka qendrore (politikë monetare) | ❌ Algoritmik / i decentralizuar, pa autoritet qendror |
| Mbrojtje e përdoruesit | ✅ Garanci bankare, rregullim ligjor, mbikëqyrje | ❌ Humbjet zakonisht nuk mbulohen |
| Politikë monetare | ✅ Ndikon inflacionin, normat e interesit, kreditimin | ❌ Nuk përdoret si instrument makroekonomik |
| Rrezik për pastrim parash | ⚠️ Ekziston, por i kontrolluar nga sistemi bankar | ⚠️ Më i lartë pa rregullim të fortë |
| Transparencë teknike | ⚠️ E kufizuar për publikun | ✅ Blockchain publik dhe i gjurmueshëm |
| Stabilitet financiar | ✅ Shtyllë e sistemit financiar | ⚠️ Potencial destabilizues nëse përhapet pa kontroll |
Pra, për ti dhënë përgjigje pyetjes tuaj, kriptomonedhat nuk janë para tradicionale. Ato janë aktive financiare digjitale që:
- mund të imitojnë disa funksione të parasë,
- nuk mbështeten nga autoritetet monetar,
- nuk garantojnë stabilitet makroekonomik,
- kërkojnë rregullim të fortë për të kufizuar rreziqet.
Në këtë kuptim, kriptomonedhat janë komplementare, por jo zëvendësuese të parasë zyrtare tradicionale.Le të marrin rastin që kriptomonedhat do të rregullohen me ligj dhe gradualisht do fitojnë sensing e qytetarisë në përdorim dhe edukatë financiare. Edhe nëse ato do të rregullohen me ligj dhe qytetarët do mësohen me përdorimin e tyre, kriptovalutat nuk do të mund të bëhen në asnjë mënyrë automatikisht para tradicionale dhe kjo, sepse kriptomonedhat do të mund të përdoren (1) si mjet shkëmbimi, (2) si instrument investimi (3) dhe / ose si ruajtje vlere (edhe kjo me një rrezik shumë të lartë), por kriptomonedhat nuk plotësojnë tërësisht tre funksionet bazë të parasë (1) njësi e qëndrueshme llogarie (sepse janë shumë të luhatshme), (2) mjet pagese universal (për shkak të pranimit të kufizuar në arenën ndërkombëtare) dhe (3) ruajtje e qëndrueshme e vlerës (për shkak të rrezikut spekulativ) dhe në këtë kuptim, kriptovalutat mbeten thjesht dhe vetëm aktive financiare digjitale dhe jo zëvendësuese të monedhës kombëtare në çdo shtet të botës.
Ç’farë nënkupton kjo për Shqipërinë?
Në rastin e Shqipërisë, por edhe në rastin e çdo shteti tjetër, krijimi i një kuadri ligjor, nuk do të thotë se (1) paraja e atij shteti (pra e Lekut në rastin e Shqipërisë) do të thotë “zëvendësohet”, nuk do të thotë se (2) Banka qendrore e atij shteti (në rastin e Shqipërisë, Banka e Shqipërisë) do të heqë dorë nga roli i saj në hartimin dhe aplikimin e politikës monetare, por krijimi i një kuadri ligjor do të thotë se në atë vend (pra edhe në Shqipëri) kjo dukuri, që, tashmë ekziston, do të formalizohet dhe do vihet nën kontroll dhe nëse e shtyjmë më tej arsyetimin, sfidat kryesore në këtë proces do jenë në lidhje me (1) kapacitetin mbikqyrës të institucioneve, (2) bashkërendimin midis Bankës së Shqipërisë, autoriteteve fiskale dhe autoriteteve kundër pastrimit të parave dhe (3) shmangia e përdorimit të kriptovalutave si kanal informal për evazion fiskal dhe kriminalitet financiar. Pra, rregullimi i kriptovalutave nuk duhet parë në asnjë mënyrë si shenjë e forcës absolute të shtetit, por si një përpjekje për të mos humbur kontrollin mbi një realitet financiar, i cili po evoluon shpejt dhe ka dalë jashtë kontrollit. Në këtë aspekt, pyetja nuk është nëse do të lejohen apo jo kriptovalutat, por sa efektivisht do të kontrollohen dhe sa efektive do jenë ato në rastin e ekonomisë shqiptare.


















