Nga Av. Ndue Pjetra – Digjitalizim në letër, radhë në realitet: pagesat bankare po blIokojnë shërbimet e ASHK-së

Av. Ndue Pjetra

Sot, për çdo aplikim kadastral – regjistrim prone, lëshim certifikate, shërbime teknike apo plotësime dokumentacioni – qytetari, pavarësisht se ka kryer aplikimin online, është i detyruar të paraqitet fizikisht në bankë për të paguar tarifat përkatëse. Kjo sjell pasoja të drejtpërdrejta: humbje kohe, radhë të panevojshme, vonesa në procedura dhe, jo rrallë, pamundësi për të respektuar afatet ligjore.

 Në vitin 2026, qytetarët shqiptarë aplikojnë online nëpërmjet e-Albania, por detyrohen ende të qëndrojnë me orë të tëra në radhë në sportelet e bankave për të kryer pagesat për shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Ky paradoks tregon qartë se digjitalizimi, nëse mbetet i pjesshëm, nuk është reformë, por thjesht fasadë.

Sot, për çdo aplikim kadastral – regjistrim prone, lëshim certifikate, shërbime teknike apo plotësime dokumentacioni – qytetari, pavarësisht se ka kryer aplikimin online, është i detyruar të paraqitet fizikisht në bankë për të paguar tarifat përkatëse. Kjo sjell pasoja të drejtpërdrejta: humbje kohe, radhë të panevojshme, vonesa në procedura dhe, jo rrallë, pamundësi për të respektuar afatet ligjore.

NOA

Problemi bëhet edhe më i mprehtë në qytetet e mëdha dhe zonat rurale, ku numri i sporteleve bankare është i kufizuar, ndërsa fluksi i qytetarëve është i lartë. Në këto kushte, qytetarët penalizohen dy herë: një herë nga zvarritja administrative dhe herën e dytë nga mungesa e alternativave moderne të pagesës.

Zgjidhja është e thjeshtë dhe plotësisht e realizueshme: pagesa me kartë bankare dhe mjete elektronike direkte brenda platformës e-Albania. Kjo praktikë është standard në shumicën e vendeve evropiane dhe përbën një element bazë të shërbimeve publike moderne. Pagesa elektronike do të eliminonte radhët, do të shkurtonte ndjeshëm kohën e procedurave dhe do të rriste transparencën financiare, duke reduktuar çdo hapësirë për abuzim apo keqmenaxhim.

Mungesa e pagesave me kartë nuk është thjesht një problem teknik; është një problem administrativ dhe institucional. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin ligjor dhe moral të garantojnë shërbime efikase, të aksesueshme dhe të barabarta për të gjithë qytetarët. Çdo ditë vonesë në këtë drejtim përkthehet në kosto ekonomike dhe psikologjike për individët dhe bizneset.

Gazeta Antikorrupsion ngre këtë shqetësim publikisht dhe kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme:

– integrimin e pagesave me kartë dhe mjete elektronike në të gjitha aplikimet e ASHK-së;

– eliminimin e detyrimit për paraqitje fizike në banka për shërbime që deklarohen “online”;

garantimin e një digjitalizimi real, funksional dhe në shërbim të qytetarit, jo të statistikave.

Digjitalizimi nuk matet me numrin e platformave, por me lehtësimin real të jetës së qytetarëve. Çdo gjë tjetër është thjesht burokraci e transferuar nga sporteli në ekran.