Vangjush Saro: Kriza e një sistemi të imponuar

179

Kreu i Qeverisë gjeti rastin ‘të fërkojë duart’ pse opozita është në atë gjendje. Ai vazhdon me propagandë. Ai thotë “Nesër vendosim Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët…” Etj. Fjalë të mëdha. Demagogji e pastër

Sigal

 

Ndërsa skandalet ndjekin njëri-tjetrin, më i fundit ky i pagave të shpallura në një mënyrë që lë dyshime, në politikën shqiptare vërehet një kaos i paparë ndonjëherë për shkak të humbjes së ekuilibrave në Partinë Demokratike. Që herët, në skenën shqiptare të politikës termat “E djathta, E majta, Qendra e Majtë, Qendra e Djathtë”, etj. lulëzuan formalisht. E vërteta është që pothuaj të gjitha partitë erdhën nga “E Majta”, që do të thotë se “E Djathta” ishte ende e dobët dhe e pambështetur. Për fat të keq, termat në fjalë mbetën njëlloj formaliteti edhe më tej. Po të mendosh ndërkaq se sa shumë degëzime a parti e organizata janë krijuar e përmbysur a zhdukur gjatë këtyre tre dekadave, i bie që nuk ka asfare politikë e parime, por vetëm përleshje komike për pushtet, për fitime ose më e pakta për t’u fshehur.

E djathta dhe E majta sot janë më së shumti njëlloj fiksimi, se sa një realitet. Me sa shohim, ende ka vetëm një përgojim të tyre dhe të ndjesive të majta apo konservatore (po i quajmë kështu), por kurrfarë dimensioni apo koalicionesh reale në të majtë e në të djathtë. Disa parti të vogla, që pothuaj asnjëherë nuk kanë shënuar rezultate optimiste, kanë qenë përgjithësisht pjesë e koalicioneve të përkohshme të drejtuara nga PD ose PS. Ato parti përfaqësojnë sot njëlloj rezistence kryesisht në emër të trashëgimisë apo nostalgjisë për lëvizje të caktuara politike në të shkuarën e afërt dhe atë të largët. Ngjitaz me përpëlitjet politike, shkon etja për pushte dhe para; dhe në të dy krahët, krerët dhe ata që gjenden më afër tyre, mirë janë në këtë temë, as duhet të ankohen, as duhet të fshihen.

Po të mendosh ndërkaq se sa shumë degëzime a parti e organizata janë krijuar e përmbysur a zhdukur gjatë këtyre tre dekadave, i bie që nuk ka asfare politikë e parime, por vetëm përleshje komike për pushtet, për fitime ose më e pakta për t’u fshehur. Ngjitaz me përpëlitjet politike, shkon etja për pushte dhe para; dhe në të dy krahët, krerët dhe ata që gjenden më afër tyre, mirë janë në këtë temë, as duhet të ankohen, as duhet të fshihen.

Por ndërkaq, disa zhvillime e tejkalojnë çfarë thamë më lart. Aktualisht, kriza e këtyre kohëve tek E djathta (aq sa mund ta quajmë të tillë, por se mos kemi tjetër) u bë vërtet mjaft emergjente. Vazhdon të jetë një pikëpyetje e madhe; ka të bëjë edhe me të ardhmen, me atë se çfarë mund të zgjedhin shqiptarët pas disa vitesh, kur t’ju duhet të thonë fjalën e tyre se kush mund t’i drejtojë. Pa bërë teori se çfarë përfaqëson një emër a një grupim (duke pasur parasysh prirjen ndaj taksave, si dhe qëndrimet në problematikat nacionaliste) sot po duket se edhe E majta (në pushtet) nuk është më një e tillë; ajo ka humbur rrugën në qorrsokakun politik shqiptar, që të mos themi ajo nuk përfaqëson më shtresa që historikisht janë cilësuar të sajat. Vetë njëri nga krerët e PS-së, Erion Braçe ka deklaruar këto kohë një të vërtetë pa ekuivoke: “Në gjykimin tim është krijuar një hendek shumë i madh midis qeverisjes dhe Të majtës; Të majtës që duan njerëzit, që kërkojnë njerëzit.”

Mirëpo, nuk e ka këtë shqetësim kreu i Qeverisë. Ai gjeti rastin ‘të fërkojë duart’ pse opozita është në atë gjendje. Ai vazhdon me propagandë. Ai thotë “Nesër vendosim Konsultimin e madh Kombëtar me shqiptarët…” Etj. Fjalë të mëdha. Demagogji e pastër. Sapo ka dalë në shesh një nga skandalet e radhës, një listë me emrat e gazetarëve dhe individëve të tjerë, pagat e tyre reale, të panjohura gjer më tash për publikun, por ndoshta jo edhe aq të panjohura. Ndonjëherë ata vetë kanë mësyrë njëri-tjetrin duke i kujtuar zarfat që marrin. Çfarë ka këtu për t’u fshehur e për t’u keqkuptuar, se po dëgjojmë shumë… ankesa. (“Nuk ka ar që të paguajë sinqeritetin.” K. Goldon) Por atje sinqeriteti është një fëmijë i mjerë me të cilin tallen të rriturit e pahir. Dhe më tej, çfarë ka këtu për të ndarë politikanët dhe përkrahësit e tyre, pse jo edhe gazetarët në Të majtë e Të djathtë? A nuk vendos këtu interesi i ditës, në rastin më banal paraja?

Dhe për hir të atyre që thamë më lart, a nuk e kanë marrë këta përpara jetën e shqiptarëve, me politikë që ngjall gjithnjë pakënaqësi, me grindje, të cilat shpesh i sajojnë vetë, me tendera ku çuditërisht krerët nuk e thyejnë kokën asnjëherë, me demagogji e sfonde ku (poshtërsisht) përdoren fëmijët e të rinjtë, ndërkohë që përleshen për të mbrojtur secili veten e vet apo klanin e vet; dhe kjo s’ka të mbaruar. Sistemi në të cilin po valon vjedhja e mashtrimi ishte një zhgënjim i madh për qytetarët shqiptarë; vazhdon të jetë i tillë. (“Shpesh mendoja se paqja kishte ardhur/ kur ajo ishte larg…” E. Dickinson) Për më tepër, nuk është në interes të shqiptarëve kjo klimë e trazuar, ku nga njëra anë kemi një pushtet absolutisht dhe të panginjur për fitim e lavdi dhe, nga ana tjetër, një opozitë që po kalon ditë të errëta.

Jemi në krizën e krijuar nga një sistem i përkohshëm, i imponuar nga njëshat dhe nga gjithfarë përzierjesh, nga e shkuara dhe e sotmja e, në një vështrim sintetizë, nga jashtë dhe nga brenda; pothuaj një mishmash. Në këto kushte, është shumë e vështirë qasja shoqërore dhe vetë jeta për ata që janë më të ekulibruar ose presin që shqiptarët të mos luajnë më me biografitë dhe kuletat. Por edhe më e pakuptimë është një situatë e tillë absurde për brezat e rinj; ndryshe nga prindërit e tyre të agjituar, ata duhet t’i japin politikës aq vëmendje sa ajo meriton, jo më shumë. Dhe duhet të vendosin, qoftë edhe për pak kohë, të përfshihen, të shtyjnë tutje çfarë ka mbetur nga social-komunizëm-pluralizmi i deritashëm, për të krijuar një sistem tjetër, disi më të përparuar dhe më të ngjashëm me atë që praktikojnë vendet më të emancipuara të botës; në jetë, në politikë dhe në ekonomi. (“Nuk kemi kohë për ta shpërdoruar kohën.” E. Jonesko)