Prof. Dr. Kristaq Kume: Votimin me lista të hapura në zgjedhjet vendore

214
Sigal

 

Edhe ndryshimet që u bënë në Kushtetutë për votimin me votë parapëlqyese, ndryshimi për hapjen e listave, për kandidatët për deputet, si pasojë e mënyrës se si u hartua legjislacioni për administrimin e kësaj vote, e bëri pothuajse të pamundur shfaqjen e efektit të tij në praktikë.

 

 

Për qeverisjen e pushtetit vendor legjislacioni aktual parashikon zgjedhjen nga populli të dy organeve – Kryetarin dhe Këshillin bashkiak. Zgjedhja e Kryetarit të bashkisë bëhet sipas sistemit mazhoritar. Mandatin e Kryetarit e fiton kandidati, i cili merr më shumë vota se kandidatët e tjerë. Për zgjedhjen e Këshillit bashkiak zbatohet sistemi propocional. Subjektet zgjedhore, partitë politike ose koalicionet e tyre, garojnë me listë të mbyllur kandidatësh, Zgjedhësi ka të drejtë të votojë për një prej subjekteve zgjedhore. Nëpërmjet kësaj vote ai shpreh vullnetin e tij mbështetës për subjektin, partinë politike, koalicionin ose kandidatin e pavarur. Duke qenë se sistemi parashikon votimin me listë të mbylluar, zgjedhësi nuk ka asnjë mundësi të shprehet për kandidatët e listës të cilët ai do të donte ta përfaqësonin në Këshillin bashkiak. Sistemi aktual për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit bashkiak, i jep përparësi të ndjeshme vullnetit dhe vendimit të partive politike, në krahasim me vullnetin dhe vendimin e qyetarëve.

Duke patur parasysh sistemet sipas të cilëve shqiptarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre, në nivel qendror dhe lokal, ata zgjedhin vetë vetëm Kryetarin e bashkisë. Edhe ndryshimi që u bënë në Kushtetutë për votimin me votë parapëlqyese, ndryshimi për hapjen e listave, për kandidatët për deputet, si pasojë e mënyrës se si u hartua legjislacioni për administrimin e kësaj vote, e bëri pothuajse të pamundur shfaqjen e efektit të tij në praktikë.

Nga një vrojtim dhe analizë e thjeshtë e rezultateve që ka dhënë zbatimi i sistemit propocional me lista të mbyllura për zgjedhjen e këshillave bashkiake, arrihet lehtë në përfundimin se demokracia përfaqësues në nivelin vendor ka probleme në mënyrën se si ajo funksionon. Në këshillat bashkiake, si organe kolegjiale vendimmarrëse, komunitete të ndryshme lokale nuk arrjnë të përfaqësohen me anëtarë nga rradhët e tyre. Veçanërisht një fenomen i tillë, i cili ndikon në mënyrë të ndjeshme në cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve në Këshillin bashkiak, është shfaqur më shumë pas ndryshimeve të bëra në hartën për ndarjen territoriale administrative të vendit. Ndarja e miratuar, në kuadër të reformës së fundit për pushtetin vendor, ka krijuar bashki me shtrirrje të madhe në territor. Mospasja e njësive vendore, komune, ka bërë që në një bashkie të bashkëjetojnë komunitete që jetojnë në zona urbane, me komunitetet që banojnë në zona rurale. Kjo bashkëjetesë, në veçanti në bashkitë e mëdha, ka sjellë si pasojë të saj faktin që  përfaqësimi në këshillin bashkiak i këtyre komuniteteve të mos jetë propocional. Kështu p.sh. në Këshillat bashkiake të bashkive Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë etj. që qeverisën pushtetin vendor në periudhën 2015-2019, anëtarë në këto këshilla, që banonin në zonat rurale , pra këshilltarë që përfaqësonin komunitete të këtyre zonave, ishin në një numër shumë të vogël, gati të papërfillshëm në krahasim me këshilltarë që banonin në qytet. Kjo shmamgie e ndjeshme nga parimi i propocionalitetit në përfaqësim bie ndesh me parimet sipas të cilëve duhet të funksionojë demokracia përfaqësuese në nivel vendor. Kjo situatë mbarte me vehte rrezikun për cënimin e cilësisë në shërbimet për qytetarët, që duhet të ofrohen nga organet e pushtetit dhe të vetëqeverisjes vendore. Në këtë përfundim është arritur edhe pas analizës së perceptimeve dhe opinioneve të shprehura nga qytetaret, të cilët, në kuadër të një projekti që mbështetet nga LevizAlbania  dhe Agjensia Zvicerane për Zhvillim, u pyetën se sa dhe se si e ndjenin vehten të përfaqësuar në këshillin bashkiak. Në përgjigje të kësaj pyetje në rreth 74.4 përqind e qytetarëve që banonin në zonën rurale ose suburbane dhe rreth 46.3 përqind e qytetarëve të intervistuar, që banonin në qytet, u shprehën se nuk e ndjenin vehten të përfaqësuar në këtë këshillë.

Nisur nga fakti se një përfaqësim jo cilësor i qytetarëve në Këshillin bashkiak është shkak për efektivitet të munguar në funksionimin e demokracisë përfaqësuese në nivelin vendor, Instituti Shqiptar per Zhvillimin të Sistemit të Zgjedhjeve organizoi dhe realizoi një proces intensiv konsultimi me qytetarët. Objektivi i tij ishte shkëmbimi i mendimeve dhe hartimi i opsioneve për ndryshime në legjislacion, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, me qëllim rritjen e mundësive për përfaqësimin propocional në Këshillin bashkiak, të komuniteteve të ndryshme të qytetarëve që bashkëjetojnë në një bashki.

Mbështetur në mendimet dhe propozimet e bëra nga qytetarët, përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme, të grupeve të marginalizuara, pakicave etnike, të zgjedhurve vendore dhe nga stafe akademike të universiteteve të vendit, INSIZ ka hartuar drafte-propozime per opsionet qe mund te konsiderohen per ndryshimet ne legjislacion. E perbashketa e të gjithë propozimeve të bëra është kërkesa e qytetarëve për të votuar anëtarët e Këshillit bashkiak me lista të hapura. Ndërkohë, në të gjitha rastet dhe nga të gjithë mbështetësit e këtij ndryshimi në sistemin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave bashkiake është theksuar domosdoshmëria për hartimin e rregullave dhe procedurave ligjore, të cilat të bëjnë realisht të mundëshme dhe efektive votimin me lista të hapur

Mbështetur në këtë kërkesë të qytetarëve, tashmë është hartuar drafti për ndryshimet që mund të bëhen në legjislacion. Në këtë draft parashikohet që, ndryshimi për votimin e këshilltarëve bashkiakë me listë të hapur, të bëhet në Kodin Zgjedhor të Republikës. Sipas këtij drafti, ndarja e mandatete për këshilltarë, që do të fitojë një subjekt midis kandidatëve të rregjistruar në listën shumëemërore të tij, do të bëhet vetëm pas rirenditjes së kandidatëve të kësaj liste, mbështetur në numrin e votave parapëlqyese që fiton çdo kandidat. Në këtë mënyrë arrihet që të materializohet plotësisht vullneti i zgjedhësve, i shprehur nëpërmjet votës parapëlqyese. Kjo është një zgjidhje, e cila, në krahasim me mënyrën aktuale se si zgjidhen anëtarët e Këshillit bashkiak, e rrit ndjeshëm mundësinë për qytetarët, për të zgjedhur ata vetë, se cilin kandidat duan t`i përfaqësojë në këtë këshill. Megjithë këtë, duhet të thuhet se edhe nëpërmjet hapjes së listës, megjithëse ky do të jetë një zhvillim shumë i rëndësishëm pozitiv, nuk arrihet t`i jepet plotësisht zgjidhje zbatimit të parimit të propocionalitetit në përfaqësimin e qytetarëve në Këshillin bashkiak. Kjo sepse, sistemi që zbatohet për zgjedhjen e këshillave bashkiake është sistem propocional, i cili parashikon garën me lista kandidatësh, të cilat hartohen nga partitë. Për rrjedhojë, zbatimi i këtij parimi kërkon që, në rradhë të parë, ai të zbatohet nga partitë politike kur hartojnë listat e kandidatëve.

Votimi me listë të hapur për anëtarët e Këshillit bashkiak është një ndër   ndryshimet që duhet të bëhet në legjislacionin për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. Është ndryshim qq e kërkon stadi i zhvillimit të demokracisë përfaqësuese në nivelin vendor, është ndryshim që e kërkojnë qytetarët.