Ulërima e fundit e “tigrit”/ Arrestimi i Arben Ahmetaj frikëson kabinetin qeveritar

462

A do të shpërthejë bomba e Ahmetaj?

Sigal

Që kur Arben Ahmetaj u shfaq për herë të parë në dyert e SPAK, frika kaploi zyrtarë të lartë në kabinetin qeveritar. Komisioni i dikurshëm parlamentar, ku Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë  Agaçi “nuk dinte gjë” apo vetë Kryeministri “që firmoste çfarë i vinin” duket se nuk do të mbesë vetëm në arkivat video. Ishte vetë Arben Ahmetaj që tha më herët se kishte të gjitha dokumentet, bisedat dhe regjistrimet e gjithçkaje. Në daljet e tij Ahmetaj “kërcënoi” se do të përdorte çdo gjë që kish nëse cënohej padrejtësisht. E kur pak orë e ndajnë nga arrestimi, ulërima e fundme e “tigrit”, siç quhej Ahmetaj, duket se do të ushtojë shumë larg… deri aty tek “miqtë e tij të dikurshëm”, që firmosnin shkresa me të edhe pa i lexuar. Akuzat e ngritura nga SPAK nuk është se rëndojnë mbi një zyrtar të thjeshtë, por mbi ish-numrin 2 të qeverisë. Përtej dokumenteve, shkresave, pikëpyetjeve të urdhërave, pyetja që shtrojnë të gjithë është: Po paratë ku shkuan? A mundet që Ahmetaj të ketë vepruar pa e ditur askush? As vetë Sekretari i Përgjithshëm? As vetë Rama? Apo do të jetë thjesht “koka e radhës e turkut”, apo seria e dytë e botimit të radhës “Kurbani 2”? Burgu, i skandalit të inceneratorëve që përfshiu pjesëtarë të kabinetit Rama, ministra e zyrtarë, që sot ndodhen në burg, do t’i shtohet edhe një zëvendësministër i së njëjtës qeveri. E nuk ka sesi qeveria të mos dijë gjë kur pikërisht pjesëtarë të saj ndodhen në qeli. Në orët e fundit të lirisë, Ahmetaj shpërndante në faqen e tij sociale foto të kryeministrit të tij me ish-presidentin amerikan Bill Klinton vetëm 24 orë para se lajmi për arrestimin e tij do të trondiste opinionin në Shqipëri. Askund nuk u shfaq, askund nuk u duk. Ndërsa ish kolegët e tij, Rama, Agaçi, Gjiknuri të hënën u ngujuan për disa orë tek “Vila 30”, Ahmetaj pret ngujimin në qeli. Ulërima e një “tigri” të plagosur pritet të dëgjohet gjatë në safarin e tij politik.