Qytetarët denoncojmë skandalin/ Nis manipulimi i listave zgjedhore, u ndryshovet vendbanimi nëpër qytete, për bindje politike, Opozita gati padinë

283
Sigal

Ethet e zgjedhjeve të 2021 kanë shënuar skandalin e parë, ende pa hyrë në periudhën elektorale. Qytetarët denoncojnë se po u ndryshohet vendbanimi në Gjendjen Civile, për t’i ngatërruar qendrën e votimit, vetëm për arsye se janë mbështetës të opozitës. Disa prej qytetarëve u është ndryshuar vendbanimi nga një njësi në tjetrën në Tiranë, por ka edhe nga ata që u kanë ndryshuar qytetin. Qytetarët deklarojnë se shkaku i vetëm është bindja politike. Pesë muaj para nisjes së fushatës elektorale, mazhoranca duket se po tenton manipulimin e listave të zgjedhësve. Metoda e ndjekur nga strukturat e gjendjes civile është ajo e ndërrimit të vendbanimit të qytetarëve pa dijeninë e tyre, çka çon direkt edhe në ndërrimin e qendrës së votimit. Vetëm në njësinë bashkiake numër 4 në Tiranë, janë të paktën 103 persona, të cilëve u është ndryshuar vendbanimi në mënyrë të kundërligjshme, por ky fenomen është në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit.  Qytetarët e thonë prerë se ndryshimi i vendbanimit të tyre lidhet me zgjedhjet e ardhshme, pasi shumica e personave që u është ndryshuar gjendja civile janë votues të opozitës. Për këtë arsye qytetarët po enden prej ditësh nëpër zyrat e njësive bashkiake, për të rikthyer vendbanimin ku e kanë pasur më parë. Për korrigjimin e vendbanimit qytetarët duhet të paraqesin dokumentin e pronësisë së banesës së tyre dhe fotokopje të kartës së identitetit të personave madhorë që jetojnë në të. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit për Gjendjen Civile, është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe e të drejtës për të votuar. Ligji përcakton qartë mënyrën se si bëhet ndryshimi i vendbanimit,  ku qytetari duhet të bëjë kërkesë me shkrim, duhet të dorëzojë dokumentin e pronësisë së banesës, duhet të paraqitet me mjete identifikimi si dhe të ketë çdo mjet tjetër identifikimit  të parashikuar në ligj. Përgjegjës direkt për veprime konkrete janë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe çdo nëpunës që ata kanë urdhëruar të shkelin ligjin dhe të përfshihen në këtë operacion manipulimi.