Ndue Dedaj: Si i “gëlltiti” 16 mijë vargjet e Fishtës Pal Nikoll Marku i Spaçit, ose “Baca i Patosit” njeriu që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit

174

Një histori e pabesueshme me “Lahutën e Malcis”

Sigal

Më 1961 përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, duke u akuzuar për bashkëpunim me armiqtë e popullit?! Urdhëri për të djegur kopien e vetme të “Lahutës së Malcìsë”, si e fshehu dhe mësoi përmendësh për tre muaj dhe biseda me Kiço London

Një histori e pabesueshme me “Lahutën e Malcis” Si i “gëlltiti” 16 mijë vargjet e Fishtës Pal Nikoll Marku i Spaçit, ose “Baca i Patosit” njeriu që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit.

  • – Pali, tre muaj duke e mësuar përmendësh “Lahutën e Malcìs…”
  • – Më 1961, papritur, Pali përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, duke u akuzuar për bashkëpunim me armiqtë e popullit?!
  • -Heshtja e një letre Enver Hoxhës se përse e persekutonin nga sinoptik në  aerodrome, në kooperativë


Ndue Dedaj
Prolog

Kohë më parë, në Patos, në një drekë miqsh, dy zotërinj të nderuar, profesori i letërsisë i gjimnazit të qytetit, Toli Shabani dhe fotografi i njohur vendës, Kozma Çuko nisën të na rrëfenin me shumë emocion histori nga jeta e një njeriu të pazakontë, erudit, me emrin jo fort të dëgjuar, Pal Nikoll Marku. Dhe ne veçuam njërën, që lidhet me kryeveprën fishtiane, “Lahutën e Malësisë”, duke i konsideruar dhe dy miqtë patosas si bashkautorë të këtij shkrimi. Bashkë me studiuesin mirditor Mark Mesuli, autorin e monografisë kushtuar këtij zotërie elitar, ku jemi mbështetur për të dhënat biografike të protagonistit të pabujë kësaj historie, ndarë nga jeta para dy vjetësh. Sikur “Baca Pal” të rronte, këtë fundprill me siguri që do të vente sërish në vendlindje, Mirditë, për të kumtuar në 100-vjetorin e “Qeverisë së Kimzës”, nën malin e Munellës, si një “skifter” i tij, siç e kishte pas pagëzuar veten qysh herët.

Por le të vijmë tek historia e tij tepër e veçantë me “Lahutën” e Fishtës.

Histori me disidencë e Kapitenit të Aviacionit Shqiptar

…Nëse ai njeri, atë çast, do ta kishte pasur të mundur, do të kishte bërë zakonin e murgjve të vjetër, të kopjonte me dorë librin që nuk do ta kishte më. Librin legjendë që nuk mund të fshihej më gjatë prej tij. Veprën që e kishte të ndaluar ta mbante, jo vetëm në bibliotekë, por as fshehur në hatullat dhe “trarët” e shtëpisë. Llogariti kohën dhe ajo ishte krejtësisht e pamjaftueshme, që ai të ulej në tavolinë dhe të kopjonte me dorë “Lahutën” nga vargu i parë tek i fundit!… Nuk ishte e mundur. Po si do të bëhej atëherë? Ta fotokopjonte? Kjo ishte edhe më e pamundur. Kishte një fotokopjues vetëm në Komitetin e Partisë së rrethit dhe vetëm për materialet “top sekret”, që dilnin me firmën e sekretarit të parë, për të parin e vendit, në Komitetin Qendror. Por kjo ishte si të veje vetë tek porta e burgut. Të shkoje në selinë e Partisë dhe të thoshe: “Ju lutem, ma fotokopjoni pak këtë libër të nëmur, “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës, se më duhet ta zhduk nga faqja e dheut, domethënë ta asgjësoj, pasi gojë më gojë më ka ardhur fjala se, me sot me nesër, do të më arrestojnë për agjitacion dhe propagandë!…E kjo nuk është aspak një stisje historie me disidencë, që në kohën tonë qarkullojnë pa ndonjë vrarje ndërgjegje nga shumëkush, por një ngjarje reale, që i përket vitit 1975, njërit prej kulmorëve të luftës së klasave.

 Kur “Lahuta” ishte armike e Partisë.

Ishte pra mesi i viteve ’70, në qytetin e naftëtarëve në Patos. Pal Nikoll Marku më në fund ishte fonditor në uzinën mekanike. Në të vërtetë nuk kishte qenë ky zanati i tij, por ashtu i kishin ardhur punët, poshtë e më poshtë. Pikërisht këtu zë fill dhe ajo ndodhia e tij me LAHUTËN, një histori më vete. Një roman si “Shakaja” e Milan Kunderës. Një sagë shqiptare nën diktaturë… Si duket në uzinë kishin nisur të qarkullonin fjalë për arrestimin e tij të mundshëm, ndaj një ditë Palin e tërheq mënjanë një punëtor i ri i shkritores, i cili gjithë merak i thotë: “Bacë, ruaju!… Ti m뉉 ke thënë se ke Lahutën?” Baca e kishte dëgjuar të riun inteligjent, që dëshironte të bëhej aktor, por që kishte kleçkë në biografi e nuk i dilte e drejta e studimit. E quanin Kiço Londo… (Vite më pas ai do të bëhej regjisor i njohur i Teatrit Kombëtar dhe drejtor i tij). Pra, punët ishin keq.

Pali akuzohej se kur kishte qenë drejtor i Bibliotekës Tekniko-Shkencore të Naftës (e vetmja e atij lloji në Shqipëri) kishte mbajtur libra të ndaluar, të verdhë, të hequr nga qarkullimi. Libra me damkë. Libra revizionistë! Ai kishte qenë themelues i asaj biblioteke, që kishte për qëllim të ushqente me literaturë profesionale specialistët e shumtë në të gjithë rajonin naftëmbajtës të vendit. Në kohën kur kishte qenë drejtor i saj vinin vazhdimisht shkresa për të hequr nga qarkullimi librat e autorëve, që goditeshin ideologjikisht e politikisht, por pa thënë se ç’duhej të bënin me to punonjësit e bibliotekës… Dhe Baca kishte përpiluar një letër, që ia kishte nisur Komitetit të Partisë, duke i kërkuar organit epror partiak se si duhej vepruar konkretisht, pasi ato libra ishin në inventar, por nuk kishte marrë përgjigje… Por pas goditjes së grupit “sabotator” në Naftë, Drejtorit të Përgjithshëm Lipe Nashi e të tjerë, ishte kërkuar një akuzë dhe për Palin dhe ishte gjetur preteksti pikërisht tek ato librat e ndaluar.

Dihej se hetuesit, pas arrestimit të tij, do të venin në shtëpi e të kontrollonin, do t’i gjenin “Lahutën e Malësisë” dhe nuk kishte nevojë për tjetër akuzë. E ku kishte asokohe libra më të “përbindshëm” se veprat e Fishtës, të cilit i kishin tretur dhe varrin? Sa veta ishin dënuar pikërisht për këtë libër të mallkuar. Të mbaje në shtëpi fshehur “Lahutën” ishte si të mbaje një bandë me diversantë qysh nga vitet ‘50. Por kjo sikur nuk po e trembte “kandidatin” për agjitacion e propagandë. Kur ai kandidati për aktor i tha se mund ta arrestonin, prandaj ta fshihte a digjte sa më parë “Lahutën”, ky me një qetësi olimpike ia kthen:

“Po, miku im fisnik, por më duhen tre muaj për ta zhdukur!”

“Si, tre muaj, Bacë? Çfarë po thua? As tre minuta!… E si u dashka kohë për të djegur një libër?”

“Po, mor, po… mirë e ke ti dhe të falënderoj me gjithë zemër që po kujdesesh kaq shumë… por ashtu asht puna!”

Kiço Londo nuk po e kuptonte Palin, edhe pse ia njihnin aq mirë gjuhën e fshehtë njëri-tjetrit. “Përse i duheshin tre muaj, kur ai mund ta digjte aty për aty?” Për herë të parë miku i tij diturak po i dukej disi misterioz. Sidoqoftë ishte i bindur se ai do ta gjente një zgjidhje, për të mos iu gjetur “Lahuta” si provë. Dhe për fat, pasi ishin bërë gati prangat, kopja e asaj letrës së tij, që do të bëhej dhe shpëtimi, ishte gjetur poshtë xhamit të tavolinës së drejtorit të ri të bibliotekës…Më vonë, në një intervistë, Londo do të shprehej se njohja me Palin kishte qenë vendimtare në formimin e gjithanshëm të tij dhe se ai e konsideronte Bacën si një njeri shumë të ditur, të zotin, human, i goditur nga sistemi komunist, po që diti të mbijetojë dhe t’ia dalë mbanë.

Regjisori kujtonte se ishte trajtuar nga ai njësoj si dy djemtë e tij, Gjergji e Sokoli, ndoshta dhe më i përkëdhelur se ata…

Njeriu që ra bashkë me kampin socialist.

Një vit në pritje të përgjigjes së letrës drejtuar Enver Hoxhës

75-a nuk ishte rënia e parë e tij… Ajo kishte ndodhur 15 vjet më parë, në gjashtëdhjetën. Kishte qenë një ushtarak karriere i një specialiteti të veçantë, një njeri i qiellit më shumë se i tokës, pasi fluturimet e avionëve luftarakë nuk mund të bëheshin pa lejen e tij. Ai do të thoshte nëse ishte ose jo moti i mirë për të fluturuar avionët, ndaj e shohim të shërbejë si oficer në aeroporte e aerodrome… Por me rënien e kampit socialit bien një nga një dhe ish – studentët e shkolluar në ish-republikat e kampit socialist. Kështu, më 1961, papritur, Pali përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, duke u akuzuar për bashkëpunim me armiqtë e popullit?! Porse pa thënë kurrë se me cilët. Debati në regjimentin e tij ajror kishte nisur lidhur për mbledhjen e famshme të 81 partive komuniste në Moskë.

E shohim, pas kësaj, duke ngarë pendën e qeve e lëruar tokën në vendlindjen e tij, Kalivare. Fshati i tij i lindjes kishte qenë jo pak i dëgjuar në histori dhe ai ndihej mirë nga kjo, por s’e kishte menduar se do të vinte puna që ai të “ngujohej” aty si një bir plangprishës i revolucionit. Pas përjashtimit nga Partia, ai ndihej keq! I shkruan një letër të gjatë Enver Hoxhës, me një gjuhë idealiste prej shqiptari të kulluar që e do vendin e vet, dhe në pritje të përgjigjes së asaj letre, qëndron i “arratisur” plot një vit nën hijen e Munellës. Shpresonte se retë mbi kokën e tij do të davariteshin e ai nuk do të shkonte me “njollë” pranë familjes, bashkëshortes Violeta, nënë Prenës, që ai e trajtonte me një përkujdesje hyjnore, por përgjigja nuk i erdhi kurrë nga i madhi i vendit. Pali aty ishte si në pritje të Godosë së Beketit, por dihet që Godo nuk vjen dhe njeriu erudit, zotërues i disa gjuhëve të huaja, po e provonte në kurrizin e tij absurdin komunist, duke i mbetur thjeshtë të shtynte parmendën. Ishte një zhgënjim i pashoq. Si ishte e mundur që atë, një nga misionarët e kohës së re, e kishin flakur ashtu, nga ushtria, partia, sinoptika… Tjetër ishin parullat e Partisë për “demokracinë popullore” dhe tjetër realiteti i vrazhdët politik shqiptar, i mbarsur me aq shumë luftë klasash.

Përgjatë gjithë jetës së tij e kishin bashkëshoqëruar shum뉉 visare autentike t뉉 dheut të vet të lindjes, trevave veriore, ndër to “Lahuta…” e Fishtës, që ai e trashëgonte nga i ati, ndaj s’e kishte të mundur të ndahej prej saj.

Pali, tre muaj duke e mësuar përmendësh “Lahutën e Malcìs…”

Ai, ato tre muaj, që i kishte “kërkuar” Kiço Londos, kishte mësuar “Lahutën e Malcìs” përmendësh. Në çastin që kishte dëgjuar kumtin se libri i famshëm duhej zhdukur, kishte llogaritur me mend se sa kohë i duhej për ta mësuar përmendësh. Në kokën e tij do të rraseshin 16. 000 vargje! Ky ishte një rekord. Mbase dhe vetë Fishta nuk e kishte ditur të gjithin përmendësh, eposin e tij “homerik”. Ani se të mësuarit e “Lahutës” përmendësh ishte një si modë e njerëzve të kohës, jo vetëm atyre veriorë. Dihet që “Lahutën” e dinin përmendësh dhe mjaft jugorë, si folkloristi i njohur Fatos Mero Rrapaj e të tjerë.

Pas tre muajsh, pasi e kishte fshehur në kokë, më në fund i zoti i vihet ta djegë “Lahutën”. E kishte futur në stufë dhe i kishte vënë flakën, por libri jo vetëm që po digjej ngadalë, por po çlironte dhe një aromë mbytëse, që gati sa nuk po i zinte frymën. Shpejt era dhe tymi dolën nga dhoma e vogël e apartamentit, në korridorin e pallatit dhe në derën e tij u dhanë komshinjtë. Po iu zihej fryma dhe atyre, ç’po ndodhte ashtu? Çfarë po digjte Pali?… Nuk ishte ndonjë magji natyrisht (edhe pse magjia do të kishte hije në një rast të tillë), por libri ishte i vjetër dhe era e rëndë që çlirohej vinte nga përmbajtja kimike e lëndës me të cilën ishte bërë botimi.

(Kishte dhe jo pak të tjerë që i dinin përmendësh shumë këngë të “Lahutës”. Por nuk bënin zë. Rrallë qëllonte që “dekonspiroheshin”… Ishte viti 1984 kur ne, disa mësues të gjuhës dhe letërsisë, ishim ngarkuar të mblidhnim fjalë të rralla në kohën e pushimeve të verës, për llogari të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Kur po flisnim për “sendet” e vjetra në Kalor (Ungrej), në lëndinën para dyqanit të fshatit, një burrë hokatar më zë basi nga katundi B., rreth 50 vjeç, nisi të thoshte përmendësh këngën e “Oso Kukës”…I thashë si nën zë se kishte lexuar “Lahutën” e Gjergj Fishtës, por në çast Marku, (kështu quhej) u step, sa nga unë, sa nga shitësi që ishte komunist, sa nga dy-tre persona të tjerë që ishin mbledhur aty rastësisht për të më “furnizuar” mua me fjalë t뉉 rralla.

“Jo, m’u kthye ai, unë thashë këngën e Oso Kukës, që e kam lexuar në tekstin e Folklorit të klasës së 11-të!”…

“Po kënga aty ka vetëm 15 vargje, kurse ti na the nja trefishin?” – nuk u dorëzova unë, gjithnjë në mirëbesim të shitësit kashnjetas, me tesër Partie në xhep, i cili përpos se dashamir i tim eti, ishte njeri fisnik. Për të mos e zgjatur, iu afrova Markut tek veshi dhe i thashë, se nuk e “korisja” shkollën e lartë që kisha kryer për Letërsi…

Kur ai më kthehet përsëri: “Po ti atje ke mësuar vetëm tre rreshta, që Fishta është reaksionar?”

“Po, i thashë, por ka shkollë e mbi shkollë”, pa u shtyrë me tej t’i thosha, se prej dy vjetësh kisha nëpër duar “Lahutën e Malësisë” dhe “Anzat e parnasit”, dhënë nga im ungj (asokohe funksionar i prokurorisë së shtetit), veçse “Lahuta” ishte e mbështjellë me kapakun e një romani rus, me titullin “Buka e bardhë”…)

Një monografi për një personazh unik.

Studiuesi i përkushtuar Mark Mesuli, diplomuar për gjuhë dhe letërsi, gjeti një titull simbolik për monografinë e tij interesante, “Skifteri i Munellës”, një libër, që i bën nder çdo biblioteke, për atë çka sjell nga memoria e pashkruar e gjysmëshekullit të kaluar, përfshi dhe një tog fotografish të zgjedhura. Më parë ai kishte kryer detyrën e kryetarit të komunës së Gjegjanit, dhe kur kishte rënë në “gjurmë” të Palit, kishte marrë udhën e largët për ta takuar në Patos e për t’ia “rikthyer” vendlindjes, përmes ftesës që Baca Pal të ndihmonte për të bërë emblemën e komunës, ndonjë kumtesë etj. Kur i shkrepi që të shkruante dhe një libër për të, ai bëri shumë për t’ia ç’kyçur gojën Palit, i cili nga asgjë tjetër nuk pengohej të fliste, përpos se nga modestia e tij brilante. Gjithsesi me mundim po shkruhej një monografi për një njeri, me plot gojën disident, tjetër se ai nuk e mbante veten për të tillë e nuk e dëshironte veten të afishuar, ndërkohë që po lulëzonin dhjetëra librushka biografike për turlilloj nëpunësish mediokër, që nuk kishin ndonjë gjë për të thënë me jetën e tyre.

Pali kishte lindur me 28 prill 1926 në Kalivare. Pas mësimeve të para në konviktin “Mirdita” të Oroshit, kryen Normalen e Elbasanit në vitet 1938-1944. Përfshihet në forumet e rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga Ndrecë Ndue Gjoka, shefi i arsimit i Nënprefekturës së Mirditës, emërohet mësues me 13 dhjetor 1944 bashkë me shumë të tjerë, por nuk fillon punë pasi dërgohet për studime të larta.

Në vitet 1945 – 48 kryen Akademinë e Aviacionit Ushtarak në Beograd. Një vit më vonë ai është i pari shef i Stacionit Qendror të Sinoptikës në Tiranë, pranë aeroportit të Rinasit.  Bashkë me studiuesin bullgar, Isidorov, në vitin 56, Pali kryen studimin për klimën e Shqipërisë, që vlerësohet nga Akademia e Shkencave e Bullgarisë. Shkon në Bullgari për shkëmbim përvoje, por ai nuk dinte vetëm artin ushtarak të aviacionit dhe fluturimeve, po dhe të recitonte poezitë e Hristo Botevit. Në vitet 56-61 punon oficer dhe shef i stacionit meteorologjik në regjimentin e forcave ajrore në Kuçovë.

Me 1961 përjashtohet nga Partia dhe lirohet nga ushtria, por nuk dorëzohet para sfidave të jetës. Me 1963 krijon bibliotekën e Naftës në Kuçovë, që me 1970 transferohet në Patos, në kohën kur për atje shpërngulet Instituti i Naftës e Gazit. Ajo bibliotekë ishte me të vërtetë përrallore, me disa “kate” libra, 12 mijë tituj, përveç revistave, që vinin nga disa vende të Lindjes. Nuk mbetej prapa as biblioteka e tij vetjake, e cila kishte mbi 5 mijë tituj, në shqip e gjuhë të huaj.

(Shih: Mark Mesuli, “Skifteri i Munellës – Pal Nikollë Marku”, Enti Botues “Gjergj Fishta”, 1999.)

Shqiptari erudit që u ndalua të ecte…

Qysh herët pasioni i tij kishte qenë libri, leximi, dituria. Punonte me zell shkencëtari, duke qenë i mirëpritur në Bibliotekën Kombëtare dhe rrethet shkencore e kulturore të Tiranës së viteve ’50. Dukej qartë se ai ishte nisur për larg, në maja… Po cili kishte qenë në të vërtetë faji i këtij njeriu idealist, që iu ndërpre udha e nisur? Vetëm se ishte njeri i elitës, i përulur pafundësisht ndaj dijes dhe urtisë, po kurrë ndaj diktaturës. Ai kishte kryer studimet jashtë vendit, në Beograd, pastaj ishte specializuar po jashtë, në Bullgari dhe kjo ishte e mjaftueshme për të qenë përherë i dyshuar i regjimit. Pritej vetëm rasti dhe ai erdhi.

Jashtë i kishte kryer studimet e larta dhe i vëllai, Deda, dhjetë vjet më i ri, për inxhinier gjeolog, në Bashkimin Sovjetik, ku si student kishte eksploruar Polin e Veriut, duke qenë i pari shqiptar që shkelte atje. As Deda nuk do të bënte ndonjë karrierë shtetërore, do të mbetej gjithsesi në zanatin e tij, gjeolog në Pukë, pastaj në Tiranë në institut, por duke u marrë dhe ai me punë kërkimore-shkencore, ku pati fituar gradën e doktorit të shkencave. Dy vëllezërit mirditas kishin ndjekur udhën e shkollimit, falë të atit që kishte pas shërbyer në xhandarmërinë e Zogut në Shkodër dhe kishte kuptuar se e ardhmja e breznive të reja ishte shkollimi, ndaj një ditë e kishte marrë Palin për dore dhe e kishte çuar në Konviktin e Oroshit…

Baca Pal, siç quhej me nderim nga bashkëqytetarët e tij jugorë, ishte njeridashës i madh, që rrezatonte fisnikëri në çdo fjalë e në çdo gjest. Pas 90-ës ai rikthehet te ajo elita e vjetër e viteve ’50, si dhe bën miq të rinj në radhët e elitës bashkëkohore. Janë të shumta vlerësimet për të, nga njerëz të shquar të vendit, e ku nuk pati shkuar Pali tek ata për t’u bërë i (ri) njohur përmes tyre, por kishin shkuar ata tek ai, pasi kishin “zbuluar” një nga ata njerëz që zor të besoje se mund ta takoje ndonjëherë në një vend jo pak të shprishur nga virtyti. Mjafton të sjellim një pasazh të spikatur nga një artikull i Mustafa Nanos me 2002 në “Shekulli”: “M’u aty (në galerinë e artit në Fier), rasti e deshi që të piqesha me një mirditor të “myzeqarizuar”, jeta e të cilit ishte një roman i bukur tronditës. Emri i tij ishte Pal Nikolla. I mbajtur, i gjallë, i kënduar e mendjehapur, të ngjante me një monument shëtitës. Ishte një copë Mirditë që gjendej shumë mirë në fushëtirat e Myzeqesë, në të cilat kishte harxhuar tridhjetë vite të jetës. Pamja e jeta e tij shkonte mirë në atë bar-odë shqiptare…”

Pali, si një ciceron i Myzeqesë, ishte kthyer në një pritës dhe përcjellës i të rinjve nga Mirdita, Puka etj. Gjashtë muaj para se të ndahej nga jeta, në pranverën e vitit 2009, Pali shoqëron nëpër Apolloni disa klasë gjimnazistësh të Rrëshenit, të cilët ndalojnë dhe para shtëpisë (muze) ku Jakov Xoxa shkruante romanet e tij. Një vit më pas, mësuesja e gjimnazit të Patosit, Mbaresa Nikolla, nusja e shtëpisë së Bacës, kur ai nuk do të ishte më, do t’iu printe nxënësve të saj për një vizitë nëpër Mirditën e paharruar të vjehrrit të saj.

Bredhi e Munellës, në Kuçovë si kujtim.

Sot e kësaj ditë në Kuçovë është një bredh, që Pal Nikollë Marku e pati marrë dikur nga bjeshkët e Munellës dhe e pati mbjellë aty. Në një nga ceremonitë kushtuar atij, pas vdekjes, një grup kuçovasish sollën një fotografi të atij druri të blertë dhe kujtimet për Palin që kishte pas qenë fort i nderuar në qytetin e tyre… Historia e marrjes së filizave të pemëve diku dhe mbjellja e tyre diku tjetër është aq e lashtë, qysh nga Pisha e Shën Françeskut… Njerëzit nga dashuria gjithnjë kanë mbjellë pemë, drurë, në rritjen e të cilave shihnin në njëfarë mënyre rrathët e jetës së vet. Dhe Baca ynë kishte marrë një bredh nga Munella, “Olimpi” i tij krenar dhe e kishte mbjellë rrëzë Tomorit… Nuk ka nbase ritual më të bukur e domethënës se pemë-mbjellja. Ata njerëz të ish-qytetit naftëtar e duan fort atë pishë “malësore”, kujdesen për të, si për një monument të gjallë. Ata thuajse kanë krijuar një poemë të tyren pa vargje, plot mirësi, për një njeri që e deshën shumë.

Baca nga Veriu, “Qytetar Nderi” në Patos.

Bashkëqytetarët e tij të Patosit, me kryebashkiakun Bardhi Meli në krye, u mblodhën një ditë dhjetori (2009), mbi treqind vetë, dhe e shpallën Bacën Pal “Qytetar Nderi”. Ishte një nga ato rastet e rralla kur një titull nderi përputhej plotësisht me atë “titullin” jo zyrtar që atij i kishte dhënë më parë qyteti i tij. Kishte në atë ceremoni shumë naftëtarë, fonditorë, pilotë, metereologë, shkrimtarë, artistë, gazetarë etj. Nga Fieri dhe nga Tirana. Nga Mirdita dhe nga Berati. Se Baca Pal ishte i gjithë Shqipërisë. Një dokumentar, një fotoekspozitë, një botim, disa ligjërata kushtuar atij… Gjithçka në vendin e vet. Ishte bërë lidhja me kohën e kaluar kur në gazetën “Luftetari” me 1959 shkruhej për “Meteorologun” nga Vasil Gjylameti, “punën e tij të kualifikuar e shkencore” në parashikimin e motit. Buletini i tij meteorologjik ishte gjithnjë i pagabueshëm. “Që në të parë Pal Marku duket se është nga malësitë tona, i gjatë dhe trupdrejtë, pak i hequr në fytyrën që ia hijeshojnë mustaqet e vogla, i shkathtë, i shpejtë dhe energjik”, do të portretizohej ai nga publicisti ushtarak.

Por tashmë a nuk duhet menduar dhe për ndonjë titull më të lartë? Ai është krijuesi i shërbimit sinoptik shqiptar (në fillim në varësi të ushtrisë), si dhe themelues i njërës prej bibliotekave unikale të vendit. Ai ishte mishërim i qendrestarit dhe sfidantit politik të një regjimi antihuman, ndaj një akt ndaj tij do të ishte më shumë se vlerësimi për një figurë të radhës… Padyshim që kësaj nisme do t’i bashkoheshin plot intelektualë që herët a vonë kishin shkelur në “tempullin” e tij në Patos, e që natyrshëm janë përfshirë dhe në albumin e tij fotografik, si: Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Ismet Elezi, Alfred Serreqi, Luftar Pajo, Hajrie Rondo, Pirro Naçe, Fiqiri Sejdij, Baftjar Zeqo, Nuri Plaku, apo (nga mungesa) zëra si ai i aviatorit të famshëm Niko Hoxha, apo Zenel Islamit, Ndrekë Lucës etj. Një titull nderi për një të Urtë si Pal Nikollë Marku (Prendi) është një vlerësim për një shtresim intelektual të llojit të tij… që mbase më së miri do t’iu shkonte përcaktimi: Kalorës të urdhrit të dijes.

 Epilog

Ishte viti 1999 dhe Pal Nikoll Marku po udhëtonte me traget nga Durrësi për në Bari, për tek i biri, Sokoli. Në traget ishte dhe një emigrant, që lexonte një libër të ri. Baca Pal nuk mund të rrinte pa e shfletuar dhe i kërkon atij bashkudhëtari, që ta mbante ai ato dy-tre orë që iu kishin mbetur… Libri titullohej “Toka e katedraleve” dhe në kapakun e tij Pali shkruan një shënim të veçantë për veprën dhe autorin, që për rastësi është ky i këtij shkrimi. Ngado që vente, ai bënte këso gjestesh prej fisniku, që askund nuk shkruheshin. Përkthyes i sa e sa soneteve, ai në atë udhëtim, kishte shkuar dhe tek varri i Dante Aligerit në Ravenna dhe në një shirit të gjatë letre, me atë kaligrafinë e tij të përsosur, kishte shkruar vargun kozmik: “L’amor che muove il sol’e le altre stelle” (Dashuria lëviz diellin dhe yjet e tjerë), me të cilin poeti i madh fiorentin përmbyll kryeveprën e tij, dhe e kishte lënë aty si një mbishkrim të rrallë simbolik, shkruar prej dorës së një shqiptari “dantesk”, që ashtu si “Lahutën”, kishte ditur përmendësh dhe “Ferrin”…

S’kishte si të mos na kujtohej ky detaj atë mesditë në Patos, kur me Markun, Kozmain dhe Tolin, te varri i Bacës, vumë një tufë me lule, mbi gurin e sjellë nga Munella, siç ai e kishte pas lënë amanet në ditët e fundit të tij.