Myfit Qorduka: Sot 95-vjetori i themelimit të Flotës Detare shqiptare. Dy anijet e para u emërtuan “Shqipëria” dhe “Skënderbeg” dhe si u përgatitën kuadrot e para

786
Sigal

Më 25 dhjetor 1925, mbërrijnë nga Italia dy anije 190 tonëshe, të cilat u emërtuan “Shqipëria” dhe “Skënderbeg”

95 -vjet nga themelimi i FLD, 25 dhjetor -1925 -2020

Si u përgatitën kuadrot e para të flotës në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik

 Myfit Qorduka

Me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, u bënë përpjekjet e para për organizimin e FD shqiptare nga qeveria e Ismail Qemalit, por fillimi i Luftës së Parë Botërore e ndërpreu këtë angazhim. Shpallja e Pavarësisë me 1912, do të sillte ndryshime të mëdha edhe në aspektin e zhvillimit të flotave detare në Shqipëri. Pavarësinë e shumëpritur e përshëndeti flota jonë detare, e cila në atë kohë kishte 500 copë mjete lundrimi me madhësi të ndryshme. Vlen të përmendet një rast interesant: Më 6 shtator 1912, Agjencia Telegrafike Italiane lajmëronte se në fillim arriti nga shteti shqiptar një anije me flamurin e Shqipërisë. Ishte barka e Zef Llupit, që, për herë të parë doli jashtë atdheut me flamurin tonë kombëtar. Ai nuk kish një flamur të Shqipërisë me shqiponjën dykrenare. Për ta zëvendësuar këtë përdori një pëlhurë të kuqe dhe i vuri në mes për së gjati një shirit të zi që simbolizonte flamurin tonë. Ky rast shërbeu si një traditë për një kohë të gjatë. Kjo formë flamuri u përdor nga anijet tregtare shqiptare. Gjatë kësaj periudhe përbërja e flotës jepet në këto shifra:

* në vitin 1912 – 500  copë barka, * ”      1918 – 7      copë barka, * “      1928 – 60   copë barka, 3 vaporë, * “      1938 – 46      copë barka. Pajisja me 2 anije 190 tonëshe: “Shqipëria” dhe ”Skënderbeg”, do të shënonte zyrtarisht krijimin e Flotës Luftarake Detare, më 25 dhjetor 1925. Në vitin 1934, si rrjedhojë e përpjekjeve të qeverisë së mbretit Zog, u blenë nga Italia dy anije të tjera të lehta, të cilat u emërtuan “Saranda” dhe “Durrësi”. Këto anije u përdorën për të luftuar kontrabandën e mallrave në bregdetin tonë. Në vitin 1928 së bashku me grumbullimin e rekrutëve të parë, që do të shërbenin në marinë, u krijua dhe Komanda e Marinës dhe, në bazë të një marrëveshjeje të qeverisë së mbretit Zog dhe qeverisë italiane, u sollën nga Venecia 4 anije amerikane të tipit ELCO, që ishin përdorur gjatë Luftës së Parë Botërore. Me dekret të Parlamentit Shqiptar të asaj periudhe, që mban datën 16.11.1929, struktura e Flotës Detare Ushtarake përmbante: Komandën e Marinës, një skuadrilje me motoskafë patrullimi “MAS”, një Kapiteneri Porti me 5 zyra në Vlorë, Sarandë, Shëngjin, Himarë e Pogradec. Për traditat detare është folur e do të flitet shumë, prandaj është vendi të kujtojmë thënien lapidar të një filozofi që i porosit njerëzit: “Mos harroni traditën, se harroni veten tuaj, se pa traditën e sotme nuk ka as të ardhme”. Këto tradita i kanë pasqyruar me kompetencë autorët e librave për detin e detarët, Petrit Myftiu, Arqile Papadhitri, Kristaq Çito, Qemal Hysaj, etj, duke rritur dashurinë dhe respektin për punën dhe sakrificat që kërkon profesioni i bukur por i vështirë i detarit.

Si u përgatitën kuadrot e para të flotës në Jugosllavi dhe në Bashkimin Sovjetik

Në vitin 1945 u nxorrën nga fundi i detit tre motoskafë të mbytur dhe në datën 15 gusht 1945, shënohet data e ringritjes së flotës sonë detare. Këta motoskafë, me nga një mitroloz 20 mm në bash, nisi për patrullim atdheu i sapoçliruar. Ata motoskafë drejtoheshin nga partizanët tanë. Krahas vështirësive të panumërta, nisi kështu rruga e mundimshme e ringritjes dhe modernizimit të flotës, që do kulmonte me anijet e mëdha luftarake dhe nëndetëset. Në vitin 1948, flota, me ato mjete primitive, zhvilloi operacionin e parë luftarak, betejën e parë për mbrojtjen e atdheut nga deti. “Kjo betejë, -tregonte veterani Selam Qejvani, – u zhvillua në dhjetor 1948, në gjirin e Vunoit, ndaj një grupi diversantësh që vinin nga Greqia. Ne dinim vendin e zbarkimit, idenë e operacionit, muajin, mjetet e numrin e njerëzve që do vepronin. Nuk dihej ora dhe mënyra e veprimit. Prita u organizua me idenë që forcat e mbrojtjes do vepronin në tokë dhe flota do vepronte në det me komandant Çelo Arzën dhe komandant grupi anijesh Selam Qejvanin. Ideja e përgjithshme ishte të lejohej afrimi i anijes diversioniste terroriste, depërtimi i saj në thellësi të gjirit, zbarkimi i diversantëve dhe, kur forcat e bregdetit të hapnin zjarr, atëherë do të futeshin në luftim anijet tona, aksion ky që do të realizohej në befasi në dy krahët e pritës e në mënyrë të skalionuar. Anija greke në dhjetor 1948, duke shfrytëzuar errësirën e natës pa hënë, uli shpejtësinë në afërsi të bregut 100-150 m dhe, pasi u bind se nuk ishte diktuar, uli lanxhen (sanallin) me dy diversantë në bord e iu afrua bregut pa zhurmë. Sapo lanxha arriti 10-15 m larg, nga pakujdesia e një ushtari të mbrojtjes sonë, u rrokullisën gurë në det, të cilët shkaktuan zhurmë duke dekonspiruar pritën tonë dhe ata u larguan drejt Korfuzit, duke u shoqëruar nga breshëritë e armëve tona.” Këtu përfundon tregimin e tij Selam Qejvani. Përveç modernizimit të mjeteve, koha kërkonte edhe përgatitjen e kuadrove që do t’i drejtonin ato. Nevoja emergjente e shtetit shqiptar për fuqizimin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare që në muajt e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, krahas pajisjes me anije e nëndetëse bashkëkohore, kërkonte përgatitjen e oficerëve detarë në shkollat e njohura evropiane. Fillimisht, menjeherë pas Luftës, në vitin 1946, oficerët shqiptarë detarë u përgatitën në shkollat e marinës Jugosllave, ndërsa me prishjen e marrëdhenieve, pas vitit 1948 e në vazhdim, ushtarakët shqiptarë u përgatitën në shkollat dhe akademitë sovjetike, ndër më të njohurat e detarisë luftarake në atë kohë. Periudha që nga viti 1945 deri në vitin 1954, sipas dokumenteve luftarake që ruhen në arkivin e FLD-së, efektivave tona detare, krahas vështirësive të ringritjes së këtij shërbimi, si dhe pajisjes me teknikë dhe armatim bashkohor, iu desh të përballonin edhe incidente të shumta detare, tentativa rrëmbimi apo arratisje të anijeve luftarake nga ushtarakë shqiptare të vënë në shërbim të agjenturave të huaja. Në këto incidente, pati edhe viktima detarësh e oficerësh, por që u përballuan me sukses. Në prill të vitit 1954, në përgëzim të realizimit të detyrave me sukses nga efektivat detare, komandanti i përgjithshëm, Enver Hoxha, viziton Pashalimanin, kalon pranë ishullit të Sazanit, duke dhënë njëkohësisht edhe detyra të tjera të rëndësishme për ruajtjen e paprekshmërisë së kufijve tanë detare. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, kur nuk kishte kaluar pak më shumë se një vit nga çlirimi i vendit, kur njësitë luftarake detare ishin riorganizuar e ishin vënë në ruajtje të kufijve ujorë, nisi menjëherë edhe dërgimi i kuadrove për përgatitje në shkollat jashtë vendit. Për të realizuar kërkesën për përgatitjen e kuadrit të flotës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë zgjodhi nga radhët e saj ish-ushtarakë (shumica me arsim fillor) dhe, në dhjetor të vitit 1946, dërgoi në Dyvulje të Jugosllavisë 84 kursantë të shoqëruar nga kapiteni i parë, Abdi Mati. Baza e vjetër detare e Duvuljesë ishte bazë edhe për hidroplane. Afër kësaj baze ndodhej qyteti i vogël Trogir, aty ku kursantët mësuan se veprat e artit të kishës së qytetit ishin bërë nga piktorë shqiptarë dhe përballë qytetit ndodhej fshati me emrin -Albania. Në fillim të vitit 1947, dërgohen në një kurs njëvjeçar në Dalmaci, një grup ushtarakësh për t’u përgatitur si specialistë për anijet luftarake. “Ndër kuadrot e para të detarisë ushtarake që u përgatitën në Jugosllavi, kujtoj Selam Qejvanin, Petro Trenin, Rami Mborjen, Xhavit Selimullarin, Hajri Binaj, Vaskë Themelin, Isuf Mullaj etj. Kur këta u kthyen në Shqipëri para kohe, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, në kinema “Iliria” të qytetit të Durrësit, u organizua ceremonia e gradimit të studentëve që u përgatitën në Jugosllavi. Të gjithë morën gradat dhe emërimet, përveç Isuf Mullait, të cilit nuk iu dha emërimi. Isuf Mullai iu drejtua Kadri Hazbiut për sqarim dhe ai iu përgjigj: “Mos u shqetëso, se ti do të marrësh një detyrë shumë të rëndësishme”. Dhe me të vërtetë, Sigurimi i Shtetit e dërgoi atë me mision special në oborrin e mbretit Zog që ndodhej në Francë. Kështu, më vonë, Isufi do të bëhej personazhi kryesor në romanin “Mërgata e Qyqeve” të shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Këta kursantë, falë përkushtimit e ndjenjës së përgjegjësisë, përfituan mjaft nga përvoja e ushtarakëve fqinjë, për t’i vënë më pas në zbatim në anijet e nëndetëset tona luftarake”, – kujton Qemal Hysaj, një nga kuadrot më të vjetër të FLD-së dhe drejtues për një kohë të gjatë i Akademisë Detare Shqiptare. Kuadrot specialistë të përgatitur në shkollën Jugosllave të detarisë, punuan me përkushtim në njësitë tona detare luftarake, duke patur rastin të jenë edhe drejtues të këtyre njësive. Njëzetë e një prej këtyre kursantëve, mbasi kryen 11 muaj studime, i ndërprenë ato dhe u kthehen në Shqipëri për të drejtuar një grup prej tre dragaminash të përdorura e gati të amortizura, që qeveria shqiptare ia bleu asaj jugosllave. Këto mjete u pritën me entuziazëm në portin e Durrësit, ku ishin të pranishëm gjeneral Mehmet Shehu dhe ministri Nako Spiru. Komandant i dragaminës 14 u vu Anastas Qendro e zëvendëskomandant Pandi Sterjo; në dragaminën 16 komandant Avdulla Hoxha e zëvendëskomandant Sadik Gërxhalliu, ndërsa në dragaminën 18 komandant Bari Dyrmishi e zëvendëskomandant Selam Qejvani. Filluan menjëherë çminimin e Kanalit të Korfuzit.

Ish-Bashkimi Sovjetik, vendi i parë i përgatitjes masive të ushtarakëve tanë detarë

Që nga viti i parë i pasluftës e deri në prishjen e marrëdhënieve Shqipëri- BS në vitin 1961, shkollat detare dhe akademitë e njohura sovjetike të marinës ishin vendet ku u përgatiten breza të tërë kuadrosh të detarisë shqiptare. Grupi i parë i kuadrove të marinës luftarake detare për shkollim në ish-Bashkimin Sovjetik, është dërguar në vitin 1949 dhe janë kthyer në atdhe, në detyra të ndryshme në flotë, në vjeshtë të vitit 1949. Ish-ushtaraku, Qemal Hysaj, kujton se grupi i parë i kuadrove shqiptarë të marinës u përgatit në kryeqytetin e Republikës se Azejbarxhanit, Baku, buzë Detit Kaspik. Kuadrot e parë që studiuan për marinë në BS, ishin 10 vetë: Xhemal Shani, Aziz Hasa, Mark Plani, Stavri Çika, Arqile Papadhimitri, Piro Kola, Muharrem Lulolli, Mehmet Karashabani dhe Shefqet Pinari,- shton më tej Hysaj. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës dhe kolegëve që jetojnë ende, qysh me ardhjen në atdhe, kuadrot e përgatitura në BS u emëruan në detyra të rëndësishme. Kështu, Xhemal Shani u emërua komanandant i Flotiljes e më pas, komandant i Brigadës së Nëndetëseve; Mark Plani shef i shtabit të Flotiljes e komandant baze; Aziz Hasa komandant i Ishullit të Sazanit, etj. Në vitin 1948 u dërguan dy grupe të tjerë studentësh detarie për në BS, njëri prej 23 vetësh në Baku e tjetri prej 5 vetësh në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë Detare në Leningrad (sot San Peterburg). Ndërsa nga mesi i viteve 50 deri në fillim të vitit 1960, në Akademinë Ruse (Sovjetike) u dërguan dhjetëra ushtarakë të tjerë për marinën shqiptare.

Vizita e Enver Hoxhës në Bazën e Vlorës

Ardhja e kuadrove të parë të shkolluar jashtë vendit në krye të FLD-së shqiptare e njësi të tjera të kësaj arme, sipas rrëfimeve të ushtarakëve të flotës, solli përmirësim rrënjësor të nivelit të gadishmërisë në mbrojtjen e ujërave tona detare. E veçantë në këtë periudhë të fuqizimit të FLD-së dhe të përballimit me sukses të incidenteve e provokimeve të shumta të anijeve e nëndetëseve të fqinjëve, ishte inspektimi që bëri Enver Hoxha në Pashaliman dhe në Ishullin e Sazanit në vitin 1954. Lidhur me këtë inspektim,Vangjel Nano, një nga drejtuesit e efektivave detare, në kujtimet e tij shkruan se më 24 prill 1954, nga Vlora afër Sazanit, Enver Hoxha, i shoqëruar nga silurëhedhësja “Heroi”, komanduar nga ekuipazh krejtësisht shqiptar, mbërriti para efektivit të detarëve të Sarandës, ku, midis të tjerave, theksoi: “Jam i gëzuar që detarët tanë janë në gjendje të drejtojnë anije luftarake moderne. Populli e Partia kanë pasur e kanë besim të patundur te detarët, se detarët do t’i ruajnë e mirëmbajnë gjithmonë në gatishmëri e t’i përdorin me efektivitet në çdo kohë. Flota do të pajiset shpejt dhe me anije të tjera, të cilat t’i ruani si sytë e ballit, për të qenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut tonë të dashur.“

Qeveria: Në akademitë sovjetike, të dërgohen studentët tanë më të mirë!

Në vitet 1957 -1958, kur Flota Luftarake u rrit ndjeshëm në anije, nëndetëse e armatim bashkëkohor, siç tregojnë dokumentet zyrtare të kohës, Qeveria Shqiptare, në kuadrin e përparësisë që merrte ky shërbim në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, krahas sjelljes nga Bashkimi Sovjetik të anijeve luftarake bashkëkohore, tregoi kujdes të posaçem për përzgjedhjen e kontigjentit të studentëve shqiptarë që dërgoheshin për t`u përgatitur në akademinë detare të Bashkimit Sovjetik. Ky kontigjent kalonte në një “sitë“ tepër të imët, duke zgjedhur më të mirët midis gjithë studentëve ushtarakë shqiptarë të armëve dhe shërbimeve të ndryshme. Në këtë periudhë, përparësia e përzgjedhjes së kuadrove për Flotën Luftarake, u sanksionua dhe në një urdher të veçantë të dërguar nga qeveria në Ministrinë e Mbrojtjes, me firmën e Enver Hoxhës.

Urdhri për studentët e flotës, tërhiqte vëmendjen e organeve përgjegjëse për kujdesin që duhej të tregonin, kriteret që duhej të ndiqnin në seleksionimin dhe përzgjedhjen që duhej të bënin, që në Rusi të shkonin studentët më të mirë.

Muhedin Brokaj, i cili ka qenë vetë student në BRSS, kujton: “Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Jugosllavine, e vetmja mundësi shkollimi për ushtarakët e flotës sonë, mbetën akademitë e njohura të ish-Bashkimit Sovjetik. Vendimi i Qeverisë Shqiptare në vitin 1957, me nënshkrimin e Enver Hoxhës, për përzgjedhjen e veçantë të studentëve tanë që dërgoheshin si kontigjent i flotës, bëri që nxënesit më të shkëlqyer të shkollës “Skënderbej”në Tiranë, si dhe nga nxënësit më të mirë të gjimnazeve të Shqipërisë, të përqafonin profesionin e bukur e të vështirë të ushtarakut detar. Këtë pivilegj ndër vite (deri në prishjen e marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik), e patën dhjetëra e qindra djem të talentuar, që atë kohë kryen deri dy apo tri shkolla e akademi në BS, duke shërbyer më pas ndër dekada si komandues nënujësash (nëndeteseje), në anijet e bazat ushtarake, që nga Saranda, Pashalimani, Sazani, Durrësi, Vlora e deri në bazën veriore të Shëngjinit.