Në hyrje të zonës së njohur si “Durrësi i Ri”, tek rreth rrotullimi që të çon në drejtim të Shën Vlashit, më pret një nga banorët e zonës.“Në zgjedhjet e fundit vendore, 12 mijë votues kanë qenë vetëm nga kjo zonë, imagjino sa familje janë”, më thotë ai, teksa ecim nëpër rrugicat e lagjes, në drejtim të shtëpisë së tij.
Edhe pse kanë kaluar tetë muaj nga përmbytjet e fillim vitit, Ahmet Tufa e ka zëvendësuar lavatriçen e dëmtuar vetëm së fundmi. Pajisjen e re, tregon ai, e ka blerë me para borxh, pasi ajo që kishte në shtëpi u dëmtua nga uji që sipas tij, arriti rreth një metër lartësi.“Kanë ardhur, i kanë regjistruar, filmuar, edhe kaq. Unë i kam çuar letrat atje, me fotografi dhe me të gjitha. Deri më sot, s’kemi asnjë lloj përgjigjeje”, tregon Tufa, kur e pyes nëse ka marrë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara.
Frika e banorëve se përmbytjet mund të përsëriten nuk lidhet vetëm me dëmet e janarit. Në zonë, një prej shqetësimeve kryesore mbetet gjendja e kanaleve kulluese dhe veçanërisht kanali që përshkon Ish-Kënetën.Shyqyri Myrtollari, një prej banorëve të angazhuar në protestën e fundit, thotë se me hyrjen në sezonin e vjeshtës kërkesa kryesore ndaj institucioneve është ndërhyrja për mirëmbajtjen e rrjetit dhe pastrimin e kanaleve.
“Siç e shikojmë, ky kanal ka prej vitesh që nuk është pastruar dhe duhet të merren masa, sepse është një nga faktorët që ka përmbytur të gjithë zonën”, thotë ai.Sipas Myrtollarit, shqetësimet për rrezikun e përmbytjeve u ishin përcjellë institucioneve edhe përpara janarit. Ai tregon se më 6 tetor 2025, një peticion me mbi 860 firma iu dërgua Bashkisë dhe Prefekturës së Durrësit, Këshillit Bashkiak, Parlamentit dhe Kryeministrisë.






















