Turpi je ti Rudinë, jo presidenti!

731
Sigal

Nga Ilir Levonja*

 Unë nuk do ndalem shumë tek Ilir Meta se e kam folur shpesh për personin, politikanin, presidentin etj. Megjithatë sot e humbi qetësinë dhe pa asnjë diskutim mori kreun e një opozitari të fortë duke kërkuar brenda një dite, zgjedhje lokale, të përgjithshme dhe presidenciale. Sikur ta bënte Edi Rama këtë para 30 qershorit do t’i hiqja kapelen. Por me sa kam kuptuar deri tani tipa si Edi Rama nuk kanë për ta bërë kurrë dhe do t’i duhet atyre që e ndjejnë veten opozitarë të flasin me gjuhën e Ilir Metës. Por akoma më të drejtë për drejtë, atë të protestave të forta për mijra e mijra arsye.

Por po i kthehem çështjes së turpit që pashë në një statut në Twitter të Rudina Hajdarit pak pas konferencës për shtyp të presidentit. Rudina është një nga ato shembuj ku shqiptarët, qofshin këta të majtë apo të djathtë duhet të jenë më agresiv në kuptimin e mos tolerimit duke filluar nga strukturat e partive dhe deri më lart. Kjo për të shmangur përfundimisht meritën e emrit të babait a nënës për të përfituar priviligje, siç është edhe rasti i kësaj duke u futur në listat PD-ës a Bashës për deputete. Ky është në fakt turp i mirëfilltë kombëtar dhe nëse kjo çupa do i kërkonte sot ndjesë ndërkombëtarëve për këtë, po jam dakort. Sepse më shumë se skanimi i hapur që presidenti i bëri situatës në Shqipëri, pengmarrjes së saj etj., është ekzistenca e individëve që futen në role drejtuese, publike për merita të babait. Dhe turpi më i madh kombëtar është fakti tashmë historik që më 30 qershor 2019, Shqipëria është e gjitha mavi. Kreu ca votime ku shqiptarët edhe po qeshin me lot por edhe po qajnë me kripë duke treguar përmes fotosh fletë votime ku shkruhet lloj lloj diçiturash, si më detyruan, për ty atdhe, rrofsh e qofsh Enver djali etj. Turp janë rezultate të tilla ku kandidatit i dalin përfundime me shifra diametralisht të pa rakorduara…, vota më shumë dhe votues më pak. I pe listat zgjedhore, qytetet. E pe Beratin rekordmen të mos rakordimit të votave me votuesit? Sigurisht nuk i shikon se të pëlqen rroga, syri mediatik dhe propaganda që të mbajnë në faqje të retinës. Dhe kur të kaq qejfi i vëmendjes i harron çizmet a galloshet nga ke ardhur. Por nuk se çfarë i bën, je pjesë atyre fjaskove të listave të Lulzim Bashës, e asaj kulture të shkërdhatokracisë në emrë të babait etj. Por ti për këtë nuk skuqesh Rudina, nuk të vjen turp. Flet me gjuhën e ndërkombëtarëve dhe turpërohesh përpara tyre kur në fakt duhet të të turpërohesh përpara shqiptarëve.

Dhe kryesisht përpara demokratëve atyre të ndershëmve që kanë ngrënë kopaçe e plumba duke ndjekur tët at’ nga pas.

Nuk ke se çfarë i bën je pjesë miope e asaj propogande që merret me opozitën, kur kjo e fundit ka vetëm çelsat e kashtës. Në Shqipëri janë një valë e tërë monstruoze që kurrë nuk e kuptuan se llogari i kërkohet pushtetit, jo opozitës. Po kjo nuk ndodh aty se është koha e mbrapshtësisë kolektive që justifikohen e justifikohen me kështu e ka bërë edhe ky. Sot një pjesë skandaloze e pushtetit flasin për Amerikën megjithëse lideri i tyre dikur e quante Trumpin rrezik botëror.

Dhe me që je gjysëm juriste dhe e kualifikuar në Amerikë, çfarë lloj zgjedhjesh janë këto pa konkurrent. Pyet e fol me bashkëjuristët e tu nëse ke kontakte, pyet e fol me bashkështetasit e tu amerikan (me që je amerikane edhe me pasaportë) se si e konceptojnë ata. Dhe dëgjoji e thuaja shqiptarëve drejt përgjigjet e tyre. Thuaja edhe faktin që je bërë deputete me meritën se je vajza e Azem Hajdarit, vrarë nga pushteti që ti po i shërben. Se u fute në ato lista pa votim, por me qejfin e Lulzim Bashës, ndofta me mendjen se duke të futur ty do i afroheshin demokratët. Një lloj logjike oportune e mendjeve të lehta, që ja po na gëzon këto mufkat karshi vendit dhe zgjedhësve të tradhëtuar. Fol me ta dhe na i kthe reston anglisht dhe shqip. Këto zgjedhje sa të duan të ionterpretojnë lart e poshtë studiove, nuk prodhuan qeverisje, por uzurpim. Për rrjedhoj konfliktuaiteti do jetë më i ashpër. Mos të të vij turp nga ca deklarata presidenti. Por nga uzurpimi dhe tallja amerikane kur thotë le ta ankojnë në iks gjykatë kur gjykata nuk ka. Dhe nëse do formohet do jetë tërësisht e atij që shkon në votime me pantallonat e Erjon Braçes siç e tha i madhi popull. Ky është turp, jo ajo që kërkon presidenti, zgjedhje lokale, të përgjithshme e presidenciale njëherësh. Dhe shumë shpejt do ndodhin, edhe për faktin e një rrënimi ekonomik aty në qoshe që vjeshta do zbathi vrullshëm. Turpi je ti Rudinë dhe jo presidenti. Je turp sepse ne Janar u thoshe demokratëve, ai që nuk djeg mandatin nuk është demokrat, kurse tani bën të kundërtën. Dhe nëse do ta dish se sa shumë të mbështesin shqiptarët, këtë statutin me punë turpi, publikoje në fb, jo në twitter. Shqiptarët janë masivisht në fb, twitterin nuk e preferojnë. Publikoje në fb dhe vërjua veshin fjalëve të tyre.

*Autori është publicist dhe shkrimtar. Jeton në SHBA