Presidenti Ilir Meta vlerëson me ”Dekorata E Shqiponjës Së Artë”, luftëtarin dhe patriotin Muharrem Rrushiti

1323
Nga Agron MEMA
SARANDË: I harruar prej kohësh në sirtarët e pluhurosur të kujtesës historike shtetërore, por i ngulitur thellë në memorien e popullit, luftëtari dhe patrioti Muharrem Rrushiti është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, z. Ilir Meta me “Dekoratën e artë të shqiponjës. Pas më shumë se një shekulli shteti është zgjuar nga gjumi për të vlerësuar këtë figurë të madhe të patriotizmit dhe të pavarsisë së Shqipërisë. Ceremonia është zvilluar në qytetin e Sarandës. Ngjyrat, simbolet dhe këngët patriotike kombëtare pushtojnë Sarandën me emocionet e tyre. Përurohet memoriali i luftëtarit dhe pjesëmarrësit të Shpalljes së Pavarsisë, Muharrem Rrushiti si dhe i dorëzohet nga ish deputeti Dashamir Tahiri, pasardhësit të luftëtarit, stërnipit të tij Skënder Muço, vlerësimi i Presidentit Ilir Meta akorduar këtij luftëtari të madh të çështjes kombëtare, bir i Çamërisë martire. Tanimë një nga sheshet kryesore të Sarandës do të mbajë emrin “Muharrem Rrushiti”. Të parnishmit , mes një ndjesie që sjell ndjenja kombëtare dhe krenaria që të jep ajo, kanë ndjekur një biografi të këtij luftëtari patriot e të shquar të Çështjes Kombëtare dhe të mbrojtjes së territoreve shqiptare, mbajtur nga studjuesi dhe historiani Halil Shabani, njëkohësisht edhe hartuesi dhe botuesi i monografisë së Muharrem Rrushitit. Kanë folur e diskutuar edhe intelektualë të tjerë pjesëmarrës. Po kush qe Muharrem Rrushiti, kjo figurë e shquar e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarsi, për mbrojtjen e tërësisë territoriale nga copëtimi i shovinistëve fqinj dhe dashakeqësia e Vendeve të Mëdha Evropiane, dashakeqësi që fatkeqësisht ende vazhdon edhe sot kundra vendit dhe kombit tonë?. Historia e njeh si komandant të çetës patriotike “Çamëria”. Sundimi gati pesë shekullor kishte lënë një prapambetje dhe një gjendje të rëndë, sidomos në fshatrat e Jugut shqiptar, gjë që shënonte edhe numrin më të madh të kryengritjeve popullore kundër sundimit turk, kryengritje të cilat nxorrën edhe kapedanë të shumtë nga treva e Labërisë dhe e Çamërisë si Zenel Gjoleka, Çelo Picari, Hodo Nivica etj. Por ai që organizoi dhe udhëhoqi çetën patriotike në Jugun e thellë të Shqipërisë, qe Muharrem Rrushiti. Vitlindja e tij shënon atë të 1860-ës në fshatin Koskë të Filatit. Familja e tij qe në nivelin e mesëm ekonomik, por në shkallën sipërore të mësimit dhe brumosjes me ide patriotike të cilat më shumë i merrte nga i ati. Zhvillimi i tregëtisë me qytetin e Filatit e ndihmoi shumë në krijimin e kontakteve me patriotë të tjerë. Në këtë frymë po formohej personaliteti patriotik i Muharrem Rrushitit duke njohur më thellë format e civilizimit dhe të shfrytëzimit që i bëhej popullsisë vendase të varfër dhe të pambrojtur. Kjo gjendje kultivonte ndjenjën e urrejtjes ndaj padrejtësive të sistemit të administratës turke. Lëvizjet patriotike filluan të rizgjoheshin. Në vitin 1878 patriotët shqiptar të mbledhur në Janinë i dërguan një protestë Qeverisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për aneksimin e viseve shqiptare Greqisë. Nën ndikimin e patriotve më në zë si Abedin Dino, Jasin Panjo, Jakup Çapari, Osman Taka, Muhamet Çapari e Nuredin Spathari, u organizua në Prevezë protesta e memorandume. Rezultati i tyre ishte moszbatimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit. Që nga kjo kohë nisin edhe përpjekjet për krijimin në çdo fshat të klubeve patriotike dhe mësimi i shkrimit të gjuhës shqipe në mënyrë të fsheht. Në këtë kohë Muharremi ishte 18 vjeç dhe u thirr ushtar – nizam nën shërbim të ushtrisë turke, pikërisht kur zhvillonte punimet Lidhja Shqiptare e Prizërenit më 1878-ën. Veprimtarinë e mirëfilltë aktive patriotike ai e filloi më 1895-1912. Fillimisht në fshatin e lindjes e duke u shtrirë në të gjitha fshatrat e Filatit dhe trevat e Jugut shqiptar. Bashkëpunimi me veprimtarë patriotë si Riza Gjoleka, Jasin Murati, Musa Demi etj. përveç hapjes së shkollave shqipe në këto fshatra, ndikuan edhe në njohjen, lidhjen dhe bashkëpunimin me patriotë të shquar shqiptarë si Mihal Grameno, Dervish Hima, Sabri Preveza, Hilë Mosi, Çerçiz e Bajo Topulli, Namik Delvina, Nazif Hadëri etj.. Në kryengritjen e Filatit, mars 1902, Muharremi ishte në rreshtat e para bashkë me trimat e tjerë si Alush Taka me shokë. Jehona e kësaj kryengritjeje tundi jo vetëm Filatin, por edhe kryeqendrën e Epirit, Janinën e cila u detyrua të dërgonte përforcime të shumta ushtarake drejt Filatit. Kryengritja u shtyp dhe u arrestuan krerët e saj, mes tyre edhe Muharrem Rrushiti, të cilët u dërguan në burgun e Janinës. Edhe brenda burgut nuk pushoi lëvizja dhe veprimtaria patriotike. Këtu të burgosurit mësuan shkrimin e gjuhës shqipe nga Musa Demi. Të burgosurit kryengritës organizuan dhe shpërthyen burgun duke realizuar arratisjen e tyre dhe udhëtimin për gjithë natën pranë banesave dhe familjeve në Filat dhe fshatrat përreth. Përpjekjet për liri dhe pavarsi intensifikohen dhe pushteti turk kish filluar agoninë. Në vitin 1905 krijohet komiteti “ Për lirinë e Shqipërisë” në Manastir, Janinë dhe Korçë nën kryesinë e Bajo Topullit, Abedin Dino etj. Kjo bëri që të krijoheshin çetat kryengritëse të cilat lëkundën ndjeshëm pushtetin turk në Shqipëri. Në këtë situatë , Muharrem Rrushiti , krijon çetën “Çamëria” me rreth 70 trima, trima të cilët populli i pagëzoi me emrin “gunëdhirtët”. Ishte viti 1908. Çeta gjeti mbështejen dhe përkrahjen e popullsisë vendase. Muharrem Rrushiti krijoi lidhje me çetat e tjera të Jugut si të Nazif Hadërit, Namik Delvinës, Çerçiz Topullit, Spiro Ballkamenit e Themistokli Gërmenjit. Në këto situata çeta intensifikon veprimtarinë e saj luftarake dhe realizohet atentati ndaj n/prefektit të Filatit dhe djegia e gazermave ushtarake të cilat u përcollën me jehonë të madhe nga shtypi i kohës. Përballjet më të mëdha të çetës së Muharrem Rrushitit ishin betejat e Smartes, Bogazit, Pleshevicës, Mursisë etj., por edhe ndihma që dha duke shkuar në ndihmë të çetave të tjera si në Delvinë, Vergo, Kurvelesh, Kuç, Gjirokastër, Kolonjë etj. Në takimin e manastirit të Cepos në Gjirokastër me çetat e tyre të Shqipërisë së Jugut, Muharremi dhe Alush Taka ishin ndër krerët kryesor që përgatitën edhe memorandumin e 10 korrikut 1911. Tanimë në çetën e Muharremit numëroheshin 317 luftëtarë dhe kjo diktoi nevojën e ndarjes në tri çeta, dy nga të cilat komandoheshin nga Alush taka e Musa Demi. Kjo bëri që çeta të korrte vetëm fitore në betejat e zhvilluara gjatë viteve 1910-1912. Fitorja e këtyre betejave kundër pushtuesit turk ngriti nivelin kryengritës në tërësinë e territorit shqiptar, sidomos atë të Jugut. Muharrem Rrushiti dhe katër shokë të tij u bënë pjestar dhe përfaqësuan Çamërinë në kuvendin e Vlorës në kurorëzimin e shpalljes së Pavarsisë më 28 nëntor 1912, ndonëse me pak vonesë nga peripecitë e rrugëtimit që kontrolloheshin nga turqit, por mundën të vinin në Festën e Madhe të Pavarsisë së Shqipërisë. Kjo arrin edhe kulmin e veprimtarisë së tij patriotike se me kalimin e viteve, si dhe nga plagosja në shpatull me moshën e pleqërisë bënë që të vendosej në qytetin e Sarandës, të ndërtonte një shtëpi të madhe si kullë fortifikuese dhe të shtinte vitet e pleqërisë nën kudesin e të afërmve të tij , sidomos nga Haki Musto. Në vitin 1928 qeveria e Zogut i akordoi një pension prej 120 franga ari në muaj. Por ai ju përgjigj:” Thuaj Zogut se mua s’më kanë pëlqyer nishanet as në të ri e jo më tani që jam plak e me një këmbë në varr dhe prandaj nuk i dua ato lekë se ato i nevojiten më shumë Shqipërisë për të marrë këmbët”. Ashtu, i harruar nga koha, vdiq në Sarandë, në banesë ku sheshi para saj tani do të ketë emrin e tij. Viti 1938 shënon largimin nga jeta të këtij luftëtari dhe patrioti të madh. Ai ngelet një figurë qëndrore e luftës për liri e pavarësi, jo vetëm i trevës së Çamërisë, por figurë kombëtar që fatkeqësisht i pavlerësuar nga sistemet e kaluara e deri më sot kur Presidenti Ilir Meta i akordoi ktë dekoratë tepër vlerësuese për kontributin e Tij.
Sigal