Margarita Xhepa: Është ditëlindja e parë që festoj

1044
Sigal

FORUM/ Flasin, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Zenepe Luka, Makbule Çeço, Vitore Stefa Leka dhe Vllasova Musta

Dje në një ambient afër shtëpisë së saj, u festua në mënyrë të thjeshtë, por shumë të bukur, 80-vjetori i lindjes së “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa. Në këtë 80-vjetor, ajo erdhi me atë buzëqeshjen e saj karakteristike, dhe pse s’ka veçse 25 ditë që ka bërë operacion nga këmba. Kjo ditëlindje e 80-të e artistes së madhe u organizua nga shoqata “Nermin Vlora” me Presidente gazetaren Zenepe Luka. Ardhja e Margarita Xhepës u prit me duartrokitje të mëdha pasi ajo erdhi në ditën e 80 viteve të lindjes si asnjëherë tjetër me një karrocë portative pas një operacioni të rëndë në këmbë. Përqafimet e shumta, urimet, përshëndetjet bënë që në sytë e saj gjatë gjithë takimit të shihje lot. Në gjithë takimin ajo mundohej t’i fshihte dhimbjet dhe të afronte atë buzëqeshjen e saj karakteristike. Në këtë 80-vjetor, kishin ardhur për ta nderuar dhe respektuar artisten e madhe me dhjetëra gra intelektuale nga diaspora si nga Italia, Kosova, Mali i Zi, Greqia, të cilat janë aktiviste të Fondacionit “Nermin Vlora”, por dhe kryetare të shoqatave të ndryshme shqiptare në emigracion. Ndër të ftuarit meshkuj binte në sy i vetmi mashkull (dhe unë) “Nderi i Kombit” Reshat Arbana. Në fillim të ceremonisë. Presidentja e shoqatës “Nermin Vlora” znj. Zenepe Luka” i akordoi “Nderit të Kombit”, Margarita Xhepa titullin e lartë, të parin në historinë e kësaj shoqate, “Nderi i Shoqatës “Nermin Vlora”.  Mes shumë personaliteteve, morëm disa opinione për figurën e Margarita Xhepës në këtë 80 vjetor të lindjes së saj. Ajo që ra më shumë në sy, ishte falja me lot në sy që “Nderi i Kombit” Reshat Arbana i kërkoi Margaritës për një debat të panevojshëm në fundet e viteve 1980.

 Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”

Sot është një nder i veçantë që më bëhet mua. Një nder që nuk e mendoja kurrë. Është hera e parë në jetë që unë festoj një ditëlindje timen. Në zonën time ku jam lindur dhe rritur, ishte zakon që të festoheshin vetëm ditëlindjet e meshkujve, ndaj e them me zemër që është ditëlindja e parë që festoj në këto 80 vjet të lindjes time. Falënderoj përzemërsisht shoqatën “Nermin Vlora” dhe Presidenten, znj. Zenepe Luka për këtë nder të veçantë. Jam ende e pamundur, por do të ishte jo e drejtë të refuzoje këtë mirësi, këtë dashuri, këtë respekt, këtë mirënjohje nga njerëz të shquar që ndoshta nuk e meritoj në këto përmasa (loton). Sot dua të them se jeta ime më duket si një shirit filmi, më duket sikur më del përpara me të gjitha arritjet, sukseset, miqësitë, vështirësitë, pengesat, por mbi të gjitha më del përpara ajo që më kanë thënë prindërit e mi, që arti të bën më njerëzor, më të dashur, më të butë, më të ndjeshëm. Mua më duket sikur kam jetuar shumë, pasi prindërit e mi kanë vdekur kur kanë mbushur të 60-tat, por me ato çka dëgjoj nga ju ndihem e re, pasi mirësia juaj, urimet tuaja, ardhja juaj nga shumë vende të botës më bën që të ndihem shumë mirë. Unë kam ardhur në Teatrin Kombëtar pa marrë pasaportën. Ai teatër u bë jeta ime, u bë shtëpia ime e parë, por mund të them se në atë teatër, pamë vështirësitë, pro dhe arritjet që sot po i shohim si një ëndërr e kaluar. Kujtoj kur shkonim në prova dhe fëmijët ua linim burrave, apo kur fëmijët i merrnim me vete. Ishin vite të vështira, pro vite të mbushura me punë, emocion, xhirime, shfaqje, urime, mirësi. Artit i jam borxhlie. Popullit tim i jam më shumë borxhlie se çdo gjëje tjetër. Ata me duartrokitjet e tyre, me buzëqeshjet e tyre, me urimet e tyre, me respektin e tyre, më kanë motivuar në çdo hap të jetës.

 Reshat Arbana. “Nder i Kombit”

Së pari i uroj Margaritës gëzuar 80-vjetorin e lindjes. I uroj shërim të shpejtë, e qofshin të kaluara. I propozoj që të lidhemi besa-besë, se nuk do ta lemë ketë dynja pa festuar dhe 100-vjetorin e saj. Sot ndihem shumë i lumtur, që kur shoh historinë e jetës sime skenike, kam luajtur me Margaritën në shumë filma dhe drama. Jam i lumtur që kam interpretuar me ‘të në disa nga filmat dhe dramat, rolet më të bukur të jetës time artistike. Sot, me shpirt po e rendis Margaritën  në xhevahirin e artë të margaritarëve të Teatrit Kombëtar, gjerdan që përbën fytyrën e vërtetë të atij teatri të shenjtë.  Jam i lumtur që ajo sot na dha mundësinë  për të thënë këto dy fjalë që i kisha në mëndje me kohë. Por njëherësh, kjo ditë më jep mundësinë për të kërkuar falje për ndonjë lajthitje shkaktuar nga rrethana e ngjarje që na i bën peshqesh koha dhe kjo jetë e vështirë shqiptare.

 Vitore Stefa Leka-poete, përfaqësuese e gruas në diasporë

 Me Margaritën kam vite që njihem, por mbi të gjitha jam rritur me figurën e saj, me rolet e saj. E adhuroja që fëmijë dhe magjepsesha me rolet në filma apo drama. Margarita është një margaritar në gjerdanin e artë të figurave të shquara të aktrimit shqiptar. Sa më shumë ikën koha, aq më e dashur, aq më e kërkuar, aq më e fisme paraqitet profili i saj njerëzor dhe autorial. Ajo është një grua simbol i vlerave më të mira të gruas shqiptare.

 Tika Kurti- Nderi i Kombit

Margarita Xhepa është një aktore me vlera të mëdha, një grua me tipare të spikatura ndjeshmërie dhe bujarie. Në gjithë jetën time me të kam parë aktoren e talentuar, nënën e mirë, gruan e fortë, intelektualen që di se çfarë kërkon në jetë.

 Irini Qirjako-Mjeshtre e Madhe

Erdha plot kënaqësi në këtë ditëlindje. Figura të tilla si Margarita Xhepa, janë të rralla në vendin tonë qoftë si aktore, qoftë si intelektuale, qoftë si veprimtare. Rolet e saj janë kaq specifikë, kaq të luajtur me mjeshtëri, ku sa herë e shikon zbulon diçka të re. Tek Margarita çdo gjë ndriçon si Margaritar.

 Vllasova  Musta-skenariste

Sot jemi mbledhur për Margaritën dhe mund të them se Margarita ashtu si ka emrin, ashtu është e bukur në shpirt, e bukur në skenë, por dhe e bukur në përditshmërinë e saj. Ajo është një artiste që e ka ruajtur tërë jetën profilin e saj, një profil shumë interesant, një profil që ka emrin e saj dhe është nder i veçantë  që e flasim për Margaritën dhe nuk gjejmë fjalët të flasim për Margaritën. Duhet menduar shumë që të thuash gjërat e veçanta të saj.  Unë Margaritën e kam njohur që e vogël nga skena dhe më duket sikur e njihja direkt, më dukej perëndi dhe sikur ishte një njeri që nuk i përkiste njerëzve të zakonshëm. Në skenë ajo e ka zbërthyer karakterin dhe figurën e personazhit, sikur të ishte vetë personazhi që luante.  Ajo e ka personifikuar dhe materializuar shpirtin e saj në figurën e personazhit.

 Makbule Çeço

 Sot është një ditë e veçantë, eveniment për artisten  e madhe “Nderin e Kombit” Margarita Xhepa,  por edhe për ne që jemi mikeshat e saj për vetë faktin se në këtë ditëlindje kanë ardhur shumë mikesha të saj nga Italia, Greqia, Kosova, Mali i Zi etj., për ta nderuar  këtë figurë të madhe. Ajo vjen sot mes nesh pas një operacioni të vështirë, pro që në 80-vjetorin zoti ja ka kthyer në mbarësi këtë operacion. Nuk dua të flas shumë, pasi për të fjalët duhen si libra të tërë për vetë jetën e saj artistike, për vetë jetën e saj familjare, për rolet, për aktivitete, për filmat, për vlerësimet. Fjalët për të shteren sot pasi Margarita mbetet ajo, artiste e madhe e një vendi të vogël.

 Zenepe Luka-Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora”

Ishte një detyrim që Fondacioni ynë t’i bënte një vlerësim të tillë “Nderit të Kombit” Margarita Xhepa, pasi ajo është një aktore e madhe e skenës dhe kinematografisë shqiptare. Në këtë 80-vjetor, ajo vjen pas një operacioni shumë të vështirë, pasi ajo u rrëzua në Konferencën e Ulqinit me rastin e 100-vjetorit, të Pavarësisë. Ishte pikërisht Fondacioni ynë që i bëri një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë. Qeverisë shqiptare, për ta mbështetur financiarisht këtë operacion  dhe ët sigurojë fondin prej 10 milionë lekë për këtë operacion.  Sot në këtë ditë kanë ardhur ët gjitha degët e Fondacionit që janë në Itali, Kosovë, Mal i Zi,  Maqedoni, Greqi e gjetkë. Margarita vjen sot me karrocë si asnjëherë tjetër pas operacionit dhe sot është në proces rehabilitimi. Në këtë vit Nermin Vlora ka 10- vjetorin e vdekjes dhe ne këtë vit e kemi shpallur Vitin e Gruas së shquar me një  program shumë ambicioz, deri në identifikimin dhe sjelljen në atdhe  të eshtrave  të Donika Kastriotit që kanë 600 vjet që pushojnë në një shtet që nuk e përcjell sot. Njëkohësisht do të sjellim edhe eshtrat e Rexhina Balsha që ndodhen në një ishull të Greqisë.  Me këto figura do krijojmë Korpusin e “Grave të shquara”. Dhe më 28 nëntor këtë vit do ta kurorëzojmë me një Konferencë shkencore  (10-vjetori i vdekjes së Nermin Vlorës) për rolin  e gruas në të gjitha kohërat. Para kësaj do kemi një Konferencë në Zvicër me të gjitha  gratë e shquara. Një nga surprizat e kësaj ditëlindje është edhe torta, e cila është e porositur nga komuniteti i shqiptarëve në Australi, nga 20 mijë shqiptarë që jetojnë atje, nëpërmjet konsullit gjeneral, Resmi Kamberaj, ku kjo tortë ka dy zemra, që personifikon zemrën e shqiptarëve aty, me zemrën e Margaritës këtu.