Fari dhuron spektakël, fiton Kupën e FSFH-së

751
Sigal

Atmosferë festive në finalet për moshën U-13. Djemtë e Damës mposhtin 4-0 Tiranën 9

Fari fitoi Kupën e FSHF-së në futboll për moshën U-13 të zonës së Tiranës, pasi fitores së pastër 4-0 ndaj Tirana 9, në ndeshjen e zhvilluar dje në ambientin e bukur sportiv pranë Liqenit Artificial të kryeqytetit. Një ndeshje e bukur e lojtarëve të rinj, e shoqëruar me një atmosferë sportive të mrekullueshme, ku nuk munguan tifozët e shumtë dhe fishekzjarrët. Për djemtë e vegjël të Armand Damës kjo ishte fitorja e dytë pas asaj 2-1 me Laprakën, në triangolaren e fituesve të tre grupeve. Tirana 9 kishte humbur më parë 7-1 me Laprakën, kështu që me dy fitore në po aq ndeshje Fari fitoi me meritë trofeun, e dorëzuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku. Në finale morën pjesë tre fituesit e grupeve të zonës së Tiranës. Fari, i drejtuar nga trajneri Armand Dama, e nisi takimin me këtë 11-she: Adi Hyla (portier), Kristi Karaj, Enea Rexhepi, Skeder Qato, Xheron Osma, Enes Kuka, Arbër Bendo, Noel Demollari, Besian Bërnaca, Rogers Bardhi, Marvi Hasani. U aktizuan edhe Kristi Çelmeta, Tomas Gjini, Redon Kodra, Marin Hoxha, Enis Halluni, Mari Sauku, Armen Selxhekaj. Tirana 9, me trajner Hyqmet Haskon, luajti me këta lojtarë: Aleksandër Delia (portier), Albi Jonuzi, Klendi Osmani, Gjino Troka. Andi Zera, Driton Kurti, Kristian Meci, Mikael Shulku, Daniel Mëhillaj, Maringlen Stafa dhe Olsi Doçi. U aktivizuan gjatë lojës edhe Kevi Lala, Ermir Ahmataj, Johan Berberi, Adriano Lleshi, Kristi Qyra. Edhe pse në fushën sintetike luanin djem të moshës U-13, loja pati momenti shumë të bukura, mendim taktik, luftë sportive, por dhe gola të shumtë, por dhe një penallti të pritur nga portieri i Farit, Adi Hyla në minutat e fundit të ndeshjes. Pas një këmbëngulje të gjatë dhe raste të shumta të humbura ishte Arbër Bendo ai që shënoi golin e parë për Farin, duke mposhtur më në fund portierin Delia, një nga më të mirët e Tirana 9. Besian Bërnaca shënoi një gol të zgjuar, duke e çuar rezultatin në 2-0 për Farin, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë prej 25 minutash. Tirana 9, me ndërrimet e bëra u përpoq jo pak për të shënuar golin e saj të parë, por ishin sërish lojtarët e Farit ata që iu gëzuan golin të tretë të tyre të realizuar me anë të Rogers Bardhit. Tirana 9 nuk arrin të reagojë ndaj lojës së organizuar, sulmeve të shumta nga të dyja krahët të Farit, dhe pas një gjuajtje qendrore dhe një topi të rikthyer nga ana e portierit Delia, Redon Kodra shënoi golin e katërt për Farin, duke fiksuar përfundimisht shifrat 4-0. dhe fitimin e Kupës së FSHF-së për zonën rajonale të Tiranës.  Një fitore e merituar e Farit, falë dhe kualitetit më të mirë të lojtarëve, por dhe mendimit të qartë sportiv, aq sa të krijohej përshtypja se shikoje lojtarë të akademive më të mirë në Europë.

   Formati i Kupës

 Në finalen e Kupës së FSHF-së morën pjesë tre fituesit e tre grupeve: Fari nga grupi 1, Lapraka nga grupi 2 dhe Tirana 9 nga grupi 3. Në ndeshjen e parë, Lapraka fitoi thellësisht 7-1 me Tirana 9; në të dytën fitues doli Fari që mposhti 2-1 Laprakën. Në takimin e tretë, Fari fitoi 4-0 me Tirana 9, duke fituar kështu trofeun me dy fitore në po aq ndeshje. Ndeshjet u zhvilluan me nga 25 minuta një pjesë loje, pra 50 minuta në total.

REZULTATET

Lapraka-Tirana 9       7-1

Fari-Lapraka       2-1

Tirana 9-Fari             0-4

 Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së: “Federata ka një strategji të qartë për futbollin e moshave”

 Ilir Shulku: “Pashë lojtarë të talentuar”

 Federata Shqiptare e Futbollit i kishte vlerësuar me seriozitetin e duhur finalet e Kupës së FSHF-së, teksa të pranishëm përveç Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, ishin edhe drejtuesit e Sektorit të Futbollit Amator, përfshirë Sulejman Demollarin dhe Agim Monen. Pas përfundimit të ndeshjes dhe dorëzimit të trofeut, sekretari Shulku dha këtë prononcim për gazetën “Telegraf”: “Ne si Federatë prej disa vitesh i kemi dhënë një rëndësi të madhe futbollit amator, masivizimit të tij. Futbolli amator është një nga drejtimet kryesore të Federatës, pasi nëpërmjet sportit fëmijët edukohen me cilësitë më të mira. Ne kemi një strategji të qartë, duke organizuar jo vetëm kampionate në të gjashtë zonat rajonale: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër e Korçë, por dhe kupa, me qëllim që fëmijët të jenë në aktivitet të vazhdueshëm. Vetë fakti që, unë kam ardhur personalisht për të dorëzuar trofeun tregon qartë rëndësinë që i kemi dhënë këtij aktiviteti. Ndeshja e sotme, ajo Fari-Tirana 9 ishte me të vërtetë e bukur dhe emocionuese. Madje mund të them pa frikë se, disa prej lojtarëve të rinj ishin të talentuar dhe me të ardhme, nëse ata do të punojnë seriozisht dhe në vazhdimësi”. Futbolli i fëmijëve dhe të rinjve e zhvillon aktivitetin e tij në gjashtë zyra rajonale, ku marrin pjesë fëmijët e moshës nga 10 vjeç deri në 19 vjeç. Kështu, në zyrën rajonale të Tiranës marrin pjesë 145 ekipe, me rreth 2800 futbollistë; në atë Durrësit 55 ekipe, me 1000 futbollistë; në atë Elbasanit 40 ekipe, me 90 futbollistë; në atë Fierit 55 ekipe, me 1450 futbollistë, në atë Shkodrës 66 ekipe, me 1600 futbollistë dhe atë të Korçës 26 ekipe me 52 futbollistë. Në total janë regjistruar 387 skuadra me 8270 futbollistë të rinj.

  Agim Mone: “Masivizim i futbollit për fëmijë”

 Agim Mone është një nga përfaqësuesit e Sektorit Amator pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. “Është hera e tretë që, në si Federatë organizojmë Kupën e FSHF-së për moshat U-13, U-15, U-17 dhe U-19. Në Kupën për moshën U-13 morën pjesë 17 ekipe të ndara në tre grupe, ku tre vendet e para luanin me njëra-tjetrën në ndeshjet finale. Në total kanë marrë pjesë 600-700 fëmijë, të cilët marrin pjesë edhe në një kampionat me dy faza. Qëllimi nuk është kampionatizmi, por masivizimi, si dhe largimi i fëmijëve nga veset e këqija dhe rruga. Kjo është dhe një mundësi për ta, dhe nga pikëpamja fizike. Shohim që ka dhe fëmijë të talentuar, të cilët më vonë do të furnizojnë ekipet e moshave më të rritura.

  Trajneri Dama: “E merituam Kupën”

 Trajneri Armand Dama ishte i lumtur, për fitimin e Kupës së FSHG-së. Dy fitore bindëse të skuadrës së tij, dhe për më tepër me lojë të bukur i dhanë trofeun e tij të parë. “Është hera e parë që e fitojmë Kupën dhe është një kënaqësi për mua dhe lojtarët. I stërvit prej pesë vjetësh ekipet e moshës U-13. Kam një grup të mirë lojtarësh për moshën e tyre, dhe prandaj nuk dua të veçoj ndonjërin, pasi secili ka aftësitë dhe cilësitë e tij. Këto aktivitet na japin dhe kënaqësi. Fitorja me Tiranën ishte e bukur dhe e merituar. Lojtarët e njohin mirë njëri-tjetrin pasi kanë thuajse gjashtë vjet që luanë së bashku, qarkullojnë shumë mirë topin dhe dinë ta organizojnë lojën”, – tha Dama për gazetën “Telegraf”. Ai thotë se, prindërit investojnë shumë për fëmijët e tyre. “Kemi kushte të mira stërvitjeje. Stërvitemi katër herë në javë, plus që kemi një ndeshje në kampionat”.

 Noel Demollari, “Pirloja” shqiptar

 Noel Demollari dha kontributin e tij në dy fitoret e Farit kundër Laprakës dhe Tirana 9, që sollën edhe fitimin e Kupës së FSHF-së. Mesfushori i vogël është tepër i talentuar dhe ka aftësi të shkëlqyera me topin. “Stërvitem prej gjashtë vjetësh futboll dhe luaj si mesfushor me ekipin e Farit. Arma ime më e fortë teknika. Kemi një ekip me lojtarë shumë të mirë, por një falënderim i veçantë i takon trajnerit tonë, Armand Dama”, – tha Demollari për gazetën “Telegraf”. Djaloshi 12- vjeçar dëshiron që, kur të rritet të luajë me Partizanin. Ai ka tashmë idhujt e tij: Kristiano Ronaldon, por ai ngjason më shumë me regjisorin e Juventusit. “Më pëlqen shumë Andrea Pirlo. E adhuroj për atë që bën në fushë, sidomos për gjuajtjet e tij”, – thotë Demollari i vogël.

Shqipëria, miqësore me San Marinon

 Shqipëria, do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore në fundin e edicionit futbollistik. Kundërshtari do të jetë San Marino dhe ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Serravalle”, të qytet-shtetit të vogël, që ndodhet brenda Italisë, më datë 8 qershor në orën 20:30. Ky takim plotëson me tre miqësore, fushatën përgatitore që trajneri Xhani De Biazi, po programon për të përgatitur sa më mirë skuadrën, për eliminatoret e Kampionatit Europian “France 2016”. Më 31 maj, Shqipëria do të luajë kundër Rumanisë në “Stade de Tourbillon” në Sion të Zvicrës. Takimi i dytë miqësor do të zhvillohet më 4 qershor, kundër Hungarisë në Budapest. Më 8 qershor, do të luhet edhe miqësorja e tretë në San Marino. Gjatë gjithë kësaj periudhe ekipi kombëtar, do të jetë i grumbulluar. Kombëtarja e Shqipërisë, është ndeshur vetëm një herë me San Marinon në një ndeshje miqësore më 16 gusht 2006. Kuqezinjtë fitonin 0-3, pikërisht në stadiumin “Serravalle”, me gola të shënuar nga Tare (7’), Skela (28’) dhe Lala (32’). Në atë kohë ekipi kombëtar drejtohej nga Oto Bariç.

 Ministra Nikolla: “Për një sport pa doping”

 Për një sport të pastër. Kjo është iniciativa e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve që promovon një erë të re në disiplinat e ndryshme ku marrin pjesë mijëra të apasionuar pas sportit. Gjatë fjalës së mbajtur në ambientet e Kompleksit Dinamo, ministrja Lindita Nikolla prezantoi projektin për ngritjen e një agjencie të pavarur që do të ketë në përbërje mjekë dhe jurist dhe që do të zëvendësojë komisionin kombëtar antidoping. Kjo agjenci do të bëjë monitorimin e sportistëve që përdorin substanca të ndryshme.

“Është për të ardhur keq, që ne si vend trashëgojmë nga e kaluara eksperienca jo të mira me disa prej sportistëve tanë elitarë, të ndodhura padashur e nga mosdija. Por nuk mungojnë as rastet kur kjo ka ndodhur me vullnet të plotë, janë përdorur këto substanca, duke dëmtuar kështu dhe shëndetin e tyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme financiare, si pasojë e gjobave të vëna nga institucionet sportive ndërkombëtare, por dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e vendit tonë në komunitetin sportiv ndërkombëtar. Kjo nuk duhet të ndodh më! Ne duhet që njëherë e mire të sigurohemi që, sporti shqiptar të distancohet nga praktika të tilla, të shëmtuara dhe destruktive për të ardhmen e tij. Sigurisht që dhe shteti do të marrë masa të rrepta ndaj atyre që vendosin të bëhen pre e këtyre substancave, duke mos hezituar dhe toleruar askënd. Për këtë, ne po mundësojmë riformatimin e Komisionit Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive, i cili nuk do të jetë më një komision i varur nga shteti por do të vijë në formatin e një Agjencia të Pavarur, e përbërë nga specialistë, profesionistë kryesisht mjekë dhe juristë”, – tha ministrja Nikolla. Numri 1 i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve vuri gjithashtu theksin edhe te mbështetja financiare që do të kenë institucionet sportive falë programit të ri për sportin. “Me anë të një udhëzimi të këtyre ditëve ne mundësuam ndryshimin e skemës së re të financimit në sistemin sportiv kombëtar, në mbështetje të zhvillimit të politikave buxhetore sipas përparësive dhe kritereve të përfitimit të këtij fondi në funksion të rritjes së efiçencës, autonomisë, në përdorimin dhe monitorimin për një vetëmenaxhim të strukturave të sportit, si një domosdoshmëri kjo për krijimin e kushteve optimale për kalimin e të gjithë sistemit sportiv kombëtar në vetëfinancim”, – tha ministrja Nikolla.