Tryeza, Rama dhe Basha pranojnë ftesën e Nishanit

500
Kryeministri dhe lideri i opozitës bien parimisht dakord për të diskutuar zgjidhjet, ndonëse qëndrimet mbeten të ndara
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, bëri dje një tjetër përpjekje për të ulur palët në një tryezë. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, iu përgjigjën dje pozitivisht thirrjes së Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, që palët të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, pas një krize të zgjatur politike. Kreu i Shtetit, përmes një deklarate, u shpreh “i shqetësuar për përmasat që po merr kriza politike në vend”. Presidenti Nishani iu drejtua me një thirrje kryeministrit dhe kreut të opozitës “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin”, duke saktësuar se ai “ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu”.
Fillimisht ishte kryeministri Rama, i cili iu përgjigj publikisht ftesës së Nishanit, përmes një statusi në rrjetet sociale. Shefi i qeverisë tha se ishte “po aq i shqetësuar për krizën”, që sipas tij, ndryshe nga vlerësimi i Presidentit, është “krizë e Partisë Demokratike”. Ndonëse e cilësoi “të vonuar” thirrjen e Kreut të Shtetit, ai shtoi se ishte gati të ulet me Lulzim Bashën.
Gjithashtu, Partia Demokratike dhe i gjithë koalicioni opozitar mirëpritën ftesën institucionale të Presidentit Nishani për dialog në funksion “të zgjidhjes së krizës së rëndë politike që ka mbërthyer Shqipërinë”. “Ndonëse shkaktari i kësaj krize Edi Rama, me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave të qytetarëve shqiptarë, opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasadë për t’u bashkuar përmes zgjidhjes së ofruar, në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe kthimit të shtetit në garnizon elektoral të pushtetit, që kërcënojnë asgjësimin e zgjedhjeve, demokracisë dhe stabilitetit”, theksohet në deklaratën e opozitës. Opozita konfirmoi gatishmërinë, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Nishani.
Edhe më parë, Presidenti Nishani bëri një përpjekje për të ndërtuar një tryezë dialogu, por ajo dështoi. Opozita i qëndron kërkesës për qeveri teknike, ndërsa kryeministri Rama e refuzon këtë qëndrim. Partitë e opozitës nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën elektorale të 18 qershorit. 
Sigal