Qeveria “ndez” dritën jeshile për ardhjen e fuqisë punëtore nga Azia

216
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Udhëzimi/Si do regjistrohen në sistemin parauniversitar shqiptar fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit dhe të azilkërkuesve

Në 5 vitet e fundit kanë mërguar nga Shqipëria më shumë se 400 mijë shqiptarë, ndërsa vetëm në 2020-n u larguan përfundimisht nga Shqipëria mbi 16.000 vetë, duke shpopulluar vendin me ritme gjeometrike. Shkaku kryesor i shpërnguljes  së shqiptarëve, është varfëria, mjerimi, papunësia, mungesa e shpresës. Mirëpo qeveria dhe kryeministri Rama, as që shqetësohen pse Shqipëria shpopullohet, plaket, sepse po zbatojnë një strategji: Do të sjellin në Shqipëri fuqi punëtore nga Azia, kryesisht nga vendet e Bangladeshit, Pakistanit. Jo më kot, para zgjedhjeve, kryeministri Rama e promovoi këtë strategji, në një vizitë në një fabrikë, ku pronari i pohon kryeministrit Rama se ka bërë projekte, që të sjellë punëtorë nga Bangladeshi të punojnë në fabrikën e tij në Shkodër, pasi në Shkodër nuk ka më punëtorë, meqë kanë mërguar. Dhe kryeministri Rama i entuziazmuar nga ky projekt i pronarit të fabrikës, e “këshilloi” që punëtorët aziatikë t’i mbajë në punë deri sa të mësojnë gjuhën shqipe, e pastaj t’i ndjekë dhe të sjellë aziatikë të tjerë.

Udhëzimi i qeverisë për të mësuar fëmijët e punëtorëve aziatikë në shkollat tona

Qeveria u paraprin projekteve të sjelljes së fuqisë punëtore nga Azia, duke nxjerrë udhëzime, që fëmijët e tyre të futen nëpër shkollat tona. Fëmijët e huaj  që vijnë nga zonat e konfliktit të pashoqëruar dhe ata që kthehen nga emigrimi apo azili, do të regjistrohen për ndjekjen e arsimit parashkollor dhe parauniversitar në Shqipëri. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit i botuar në fletoren zyrtare përcakton se për fëmijët e moshës 3 deri në 5 vjeç, që nuk zotërojnë certifikatë lindjeje, regjistrimi në kopsht do të bëhet sipas deklarimit të prindërve ose të dokumentacionit që fëmija zotëron nga autoriteti përgjegjës për refugjatët dhe azilin. Ndërsa për nxënësit e moshës 6 deri në 21 vjeç, për të vazhduar arsimin e mesëm apo të lartë, do të bëhet ekuivalenti i notave. Nëse nxënësit që nuk provojnë me dokument zyrtar të shtetit nga vijnë, përfundimin apo vazhdimin e një klase, vlerësohen me testim, për shkallën e njohurive nga një komision ndërlëndor, i përbërë nga mësues dhe nga punonjësi i shërbimit psikosocial, që ngrihet në institucionin arsimor parauniversitar publik. Komisioni në bazë të vlerësimit cakton klasën ku nxënësit i përket të regjistrohet. Në shkollat publike të sistemit parauniversitar refugjatët e huaj do të trajtohen me plan individual për mësimin e gjuhës shqipe, si dhe do t’u sigurohen tekstet shkollore.

Arsimimi i fëmijëve të huaj të kthyer nga emigracioni/azili

Pranimi dhe administrimi i kërkesave të prindërve dhe/ose i kujdestarëve ligjorë të fëmijëve të kthyer nga emigracioni dhe të dokumentacionit shkollor që ata disponojnë për regjistrimin e tyre në institucionet arsimore publike të sistemit parauniversitar bëhet nga Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP). Kërkesa për regjistrim shoqërohet, me: a) certifikatën e lindjes së nxënësit; b) dokumentet e shkollimit; c) fotokopje e dokumentit, që pasqyron datën e rikthimit në Shqipëri të nxënësit.  Institucioni arsimor parauniversitar publik, i përcaktuar nga ZVAP-ja, ngre një komision ndërlëndor për fëmijët që kthehen nga emigracioni. Komisioni, mbështetur në vetëdeklarimin e prindërve/kujdestarëve ligjorë dhe në dokumentacionin e pikës 2, vlerëson me testim dhe cakton klasën ku nxënësit i përket të regjistrohet.  Punonjësi i shërbimit psikosocial në institucionin arsimor parauniversitar harton një plan të posaçëm pune për ofrimin e shërbimeve, që ndihmojnë në zhvillimin social dhe individual të nxënësve që kthehen nga emigracioni. Institucioni arsimor parauniversitar publik ku regjistrohen nxënësit e kthyer nga emigracioni: a) ofron kurse të gjuhës shqipe për nxënësit, pasi ata vlerësohen për njohuritë e tyre në këtë lëndë; b) trajton me plane individuale mësimore, nxënësit e regjistruar, me qëllim që të plotësohen detyrimet e programeve lëndore për periudhën kohore të munguar prej tyre; c) mundëson pajisjen e nxënësve të kthyer nga emigracioni me tekste shkollore.

Arsimimi i fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit

Pranimi dhe administrimi i kërkesave të prindërve dhe/ose i kujdestarëve ligjorë të fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit për regjistrimin e tyre në institucionet arsimore publike të sistemit parauniversitar bëhet nga ZVAP-ja.  ZVAP-ja njofton institucionin arsimor parauniversitar publik për regjistrimin dhe riintegrimin e fëmijëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Institucioni arsimor parauniversitar publik, i përcaktuar nga ZVAP-ja, ngre një komision ndërlëndor të përbërë nga mësues dhe nga punonjës të shërbimit psikosocial për fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit, me qëllim: a) vlerësimin e nevojave arsimore dhe të atyre psikosociale të këtyre fëmijëve; b) përcaktimin e klasës ku fëmija do të regjistrohet. Në varësi të specifikave, fëmija regjistrohet në klasën me grup-moshë të njëjtë me moshën e tij ose një vit më pak se kjo grup-moshë. Institucioni arsimor parauniversitar publik: a) harton planin individual mësimor për fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit, duke u bazuar te raporti i vlerësimit të komisionit ndërlëndor; b) ngre grupin e punës, i cili harton planin individual për riintegrimin e fëmijëve. Në këtë grup bën pjesë drejtori i shkollës, mësuesi kujdestar, psikologu i shkollës/punonjësi social, oficeri i sigurisë dhe dy mësues lëndorë. Ky grup harton raporte 1-mujore mbi ecurinë e rastit dhe i përcjell ato në ZVAP-në përkatës; c) siguron tekstet shkollore për fëmijët që kthehen nga zonat e konfliktit. Regjistrimi i fëmijëve që kthehen nga zonat e konfliktit edhe në rastet kur ka mungesë dokumentacioni do të bëhet në bashkëpunim me Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve.