Tender fiktiv 2 milionë euro për protezat ortografike

326
Sigal

Si po favorizohet Vilma Nushi e “Check Up”

 Fiton pa garë miliona euro të tenderave të protezave në spitale

Pezullimi i koncesionit të “Check Up” nuk e ka lënë pa para pronaren Vilma Nushi. Ogerta Manastirliu, apo drejtorët e spitaleve qendrorë dhe rajonalë, e kanë sajdisur me miliona euro të tjera, duke i “kompensuar” sadopak  humbjet në këto kohë. “BoldNeës” ka siguruar dokumentet e disa tenderave, të kryera në harkun kohor 2016 – 2021, të cilat kanë si objekte blerje implante ortopedike, pra hekurat/protezat apo pajisjet që vendosin pacientët me thyerje kockash. Megjithëse me një distancë prej 5 vitesh, fituesit dhe procedurat janë të njëjta; fituese del kompania “Trimed”, e zonjës Vilma Nushi. Madje, pa garë dhe me vlera shumë afër fondit limit. Por, le të analizojmë pikërisht dokumentet që ka siguruar redaksia jonë.

2021/ 2 milionë euro pa garë nga Spitali Ushtarak

Në datën 6 maj 2021, Spitali Universitar i Traumës, apo siç njihet në gjuhën popullore Spitali Ushtarak, ka shpallur fituesin e tenderit për blerjen e pajisjeve ortopedike. Kronikat e vazhdueshme se në këtë spital pacientët paguanin për proteza apo edhe për kurime plagësh, “detyruan” krerët e këtij spitali të bënin tenderin e radhës. Tenderi është me objekt blerje materiale konsumi, implante ortopedike. Kërkohet marrëveshje me disa operatorë ekonomikë për një periudhë 24 mujore. Fondi për këtë tender ishte 199.444.516 lekë pa TVSH, ose rreth 2 milionë euro. Sipas dokumenteve që disponon  “BoldNeës”, në tender ka marrë pjesë BOE “Trimed” & “Layo” me ofertë 198.048.450 lekë, shumë afër fondit limit. Gjithashtu, edhe kompania “OrthoNet” me vlerë 199.243.370,  ose  99%  të fondit limit. Drejtori i Spitalit Ushtarak, Arben Zenelaj, i ka shpallur të dyja fituese, pasi kërkoheshin “disa operatorë”. Ato kanë lidhur menjëherë kontratën.

2016/ Tender fiktiv, 2 mln euro me “oferta 0 lekë”

Por, a kanë qenë të paracaktuara këto kompani?  “BoldNeës”  ka hulumtuar dokumentet e vjetra të tenderave të kryera për blerje implantesh ortopedike. Tenderat janë bërë nga Spitali Ushtarak dhe nga Ministria e Shëndetësisë. Dokumenti më sipër është i vitit 2016. Në atë kohë, Ministria e Shëndetësisë, shpallte “Trimed” dhe “Layo” fitues të tenderit me vlerë rreth 2 milionë euro. Tenderi kishte si objekt “furnizimin me materiale mjekësore për shërbimin e ortopedisë së QSUT-së, Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Rajonal Durrës”. Afati ishte 2 vjeçar. Fondi limit, 199.694.742 lekë. Këto dy kompani kishin ofruar 198,520,968 lekë pa TVSH, ose rreth 98% të fondit limit. Në 2016-ën morën pjesë edhe 5 firma të tjera, por në zarfe kishin 0 lekë! Pra, një garë farsë. Ndërkohë, është mësuar se edhe tenderat në vitin 2019 me këtë objekt i ka fituar sërish e njëjta firmë. Dhe, pa garë. Nga hulumtimi ynë ka rezultuar se spitalet vendosin klauzola për “punë të ngjashme” apo “përfitime nga punë të ngjashme” për s’kualifikimin e kompanive të tjera, duke e bërë monopol edhe këtë shërbim shumë të domosdoshëm për pacientët. Ashtu si edhe çdo shërbim tjetër jetësor, edhe protezat spitalore po mbushin xhepat e oligarkëve të mjekësisë.