“Teatri”, Rama citon Altin Bashën: Qartë dhe shqip, mendoj se duhet një godinë e re

438
Sigal

Mungesa e unitetit në radhët e komunitetit të artistëve është shfrytëzuar më së mirë nga kryeministri Edi Rama, i cili vijon të ndajë me ndjekësit citimet e figurave të artit skenik dhe të kinematografisë shqiptare, që kanë shprehur dakordësinë për shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.

Sipas një shprehjeje gati proverbiale në lëmin e historisë “nëse do të rrënosh një Perandori, duhet ta përçash atë prej së brendshmi”.

Mesa duket, Rama i ka vënë veshin këtij udhëzimi në vendimin e tij për të finalizuar me domosdo projektin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Kreu i qeverisë ka reaguar sërish ditën e sotme lidhur me vijimësinë e qëndresës së qytetarëve protestues dhe të artistëve kundër zbatimit të projektit për ndërtimin e një Teatri të ri.

Në një postim në “Facebook”, pas reagimit të aktores Raimonda Bulku, Ndriçim Xhepa, Drita Haxhirajt dhe regjisorit Leka Bungo, Rama ka postuar në rrjetet e tij sociale deklaratën e dhënë nga regjisori Altin Basha, i cili mes të tjerash thekson se nevojshmëria për ndërtimin e një godine të re, vjen pasi Teatri ekzistues nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore.

Mesazhi i Ramës:

Regjizori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese.

ALTIN BASHA:

Qartë dhe shqip, unë mendoj se duhet një godinë e re.

Pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re.

Si regjisor, po ju deklaroj me përgjegjësi, se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe, për rrjedhim, një cilësi të ulët produkti për spektatorët dhe qytetarët.